LAJMI I FUNDIT:

Kusari – Lila mban ligjëratë para studentëve të Vjenës dhe Venedikut

Kusari – Lila mban ligjëratë para studentëve të Vjenës dhe Venedikut

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila, ka mbajtur ligjëratë në Prishtinë para 130 studentëve të programit Vjena Master i Arteve në të Drejtat e Njeriut, të cilët i informoi për politikat dhe reformat e zhvillimit ekonomik, për ambientin e të bërit biznes, për tregti si dhe potencialin që ka Kosova karshi vendeve tjera të rajonit.

Zëvendëskryeministrja tha para studentëve se Kosova është vend stabil, më i sigurt se shumë vende tjera evropiane dhe se 70 për qind e popullatës janë nën moshën 30 vjeçare. “Që nga përfundimi i luftës, ne jemi duke punuar me intensitet të plotë për të lëvizur përpara me proceset ekonomike. Ne jemi anëtare të CEFTA-s, kemi filluar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë dhe gjatë këtij viti presim të nisim edhe ato me BE-në. Kosova është vend i vogël, por mundësitë që ofron në aspektin e fuqisë së lirë punëtore dhe marrëdhënieve tregtare e bënë atë shumë të madhe karshi vendeve tjera”, theksoi ajo.

Kusari – Lila i informoi studentët për vendimin e vështirë për marrëdhëniet tregtare me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën. “Vendimi për masat e reciprocitetit nuk ishte e lehte, por tejet i nevojshëm. Është e padrejtë që një vend të importojë miliona euro produkte në një vend tjetër, ndërsa t’ua pamundësojë të njëjtën gjë vendit nga i cili fiton aq shumë”, tha Kusari – Lila.


Në anën tjetër, studentët shprehën interesim lidhur me potencialin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me Afrikë dhe Azi, në rolin e BE-së në Kosovë, rëndësia e zhvillimit të ndërmarrjeve të mëdha për ekonominë e Kosovës si dhe ligjin e punës.

Të shoqëruar nga profesorë të Universitetit të Vjenës, studentët gjatë tërë javës, kanë takuar përfaqësues të qeverisë, organizata të ndryshme vendore dhe të huaja, përfaqësues të mediave dhe minoriteteve. /Telegrafi/