0Shares

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi të enjten në Kuvendin e Kosovës se sa herë që ka pasur bisedime e negociata midis Kosovës e Serbisë janë përdorur serbët e Kosovës, nga Prishtina zyrtare kinse për integrimin e tyre, kurse nga Beogradi zyrtar kinse për mbrojtjen e tyre

Kështu deklaroi deputeti Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Dialogu politik në Bruksel midis Thaçit e Daçiqit, nga qeveria e Kosovës argumentohet edhe me nevojën për integrimin e serbëve të Kosovës. Në fakt, sa herë që kemi pasur bisedime e negociata midis Kosovës e Serbisë janë përdorur serbët e Kosovës: nga Prishtina zyrtare kinse për integrimin e tyre, kurse nga Beogradi zyrtar kinse për mbrojtjen e tyre. Qeveria e Kosovës flet për integrimin e serbëve që të jetë sa më e pranueshme nga faktorët ndërkombëtarë dhe t’ua zbusë zemrën atyre që ia kanë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, Qeveria e Serbisë flet për mbrojtjen e serbëve në Kosovë për ta rritur hegjemoninë e vet, me ç’rast serbët lokalë janë mjeti për territor dhe pasuri natyrore e jo anasjelltas. Kësisoj, oportunizmi i Prishtinës bëhet komplementar me hipokrizinë e Beogradit”, tha Kurti.

Ai tha se integrimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm është integrimi shoqëror e jo ai institucional.

“Për integrimin institucional do të mund të thuhej se është i nevojshëm por kurrsesi i mjaftueshëm. Integrimi institucional është integrimi përfaqësuesve të serbëve dhe jo i serbëve. Prandaj, integrimi i kufizuar tek ai institucional është i brishtë. Kujtojeni p.sh. rastin e Oliver Ivanovicit i cili për tetë vjet rresht ishte integruar në institucionet e Kosovës por e dimë se ku është sot dhe çka bën atje. Integrimi institucional është elitar, është integrim i elitës. Përmes këtij integrimi diku mirëmbahet e diku edhe prodhohet elita por nuk integrohet komuniteti”, tha ndër të tjera, Kurti. /Telegrafi/

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)