LAJMI I FUNDIT:

Kurthet e vitit në ikje

Kurthet e vitit në ikje

Po ikën ky vit. Dikush thotë: kurrë mos u ktheftë! Dikush mund ta kujtojë në mënyra të ndryshme, duke e zgjedhur pjesën e mirë të tij, tjetri, pjesën gjysmë të mirë…!

Zgjedhjet personale nuk gjykohen derisa ato janë vetëm “personale”. Por, ndërsa që historia njerëzore ngjason me gishtat e dorës, ajo s’ka qenë asnjëherë e barabartë.


Mbase, këtu e kërkojmë të kaluarën, e kujtojmë “ikjen” e kohës duke u përpjekur që shkëlqimin e jetës ta ndërtojmë me luftën e përhershme për liri, barazi, vëllazëri. Pra, matja e kohës, një gjest që disa herë nuk na pëlqen, reflektohet më së shumti në ndërrimin e viteve, tek ky kufi i lëvizshëm kohor nga pikëpamja jonë psikofizike.

Prandaj, sado që ikja apo ndërrimi i viteve personifikon momente relaksimi, është kujtesa ajo që na lidhë me të gjitha ditët, më shumë a më pak, gjithnjë me idenë nëse patëm fat, nëse realizuam qëllimet tona, nëse viti që iku na solli më shumë brenga e mërzi se sa fat e lumturi…!

Nga iluzionet dhe ëndrrat e fillimvitit do të kishim dashur gjatë gjithë vitit në ikje t’u bënim ballë realiteteve, pa pyetur për sfidat dhe kurbanet e kohës. Por, ato “realitetet” shpesh nuk janë personale dhe më shpesh burojnë nga një zinxhirë gjërash dhe faktorësh sa natyrorë, po aq edhe shoqërorë.

E, si kemi vepruar ne…?

Disa, në maratonë e sipër jemi përballur me peshën e ekzistencës duke u munduar ta balancojmë moralin me antimoralin. Dikush nga ne ka këputur litarët e natyrshëm të ekzistencës për t’u shfaqur i lirë përpara Zotit dhe Ligjit. Një tjetër i ka dhënë vetës të drejtë të mendoj se nëse do ta ndiqte shpejtësinë, do ta arrinte sfidimin e dritës! Tjetri, duke e përbuzur peshën e përbashkët të hises së Diellit, ka ndjekur udhën e zjarrit. E, kështu, pa fund: sfidime, ëndrra, ngarendje, mërzi, kurthe, shkallime natyrore, ligjore, morale…

Shpejtësia, zjarri dhe uji i turbullt janë pak a shumë kurthet e natyrës (vis majoris), të cilave s’u dilet përpara. Nganjëherë ato shfaqen si dënim, dhe në të shumtën e rasteve si mallkim! Fatkeqësisht, ka edhe aq shumë kurthe jo natyrore, kurthe të imagjinuara që shpejt kthehen në të materializuara, kurthe të planifikuara me plotë ide mizerable, me plotë skema të mjegullta fillimi ose fundi i të cilave shkëlqen nga trishtimi. Prandaj, edhe duhet të pajtohemi me thënien se çka komploton mendja e njeriut as djalli nuk di dhe as ai s’i bie në fije…!

Në konceptimin e fenomenit kurth, pritë, cak, dakik etj., lypset më shumë vëmendje dhe sigurisht, më shumë organizim sfidues, jo në aspektin individual, por në atë shoqëror dhe shtetëror. Viti na shërben për këso lutje e meditime. Në fakt për këso veprime, sepse realiteti po ndryshon më shpejtësi të madhe në sytë tanë dhe ndryshe nga të papriturat kurthet po bëhen një lloj stili, një lloj riti, dhe padyshim një lloj kulture duke qenë se ato, kurthet, s’janë burim i modernitetit. Në fakt, kurthet kanë historinë e tyre të lashtë, ndërkaq s’do mend se ato sot janë kthyer në fenomen të modernitetit sa nga dendësia, po aq edhe nga perfeksioni…!

Kurthet, janë kudo: në trendin tonë të jetës private dhe publike, në politiikë, në ekonomi, në biznes, në arte, në teknologji, në industri etj. Ato, janë kthyer në orgji dhe fatalitet duke e maskuar vitin, duke e gozhduar kohën, duke e goditur interesin individual dhe shoqëror, duke e zhvendosur realitetin në irracionalitet, duke e shkatërruar moralin, lirinë, shkencën etj.

Kurthet, përgjatë vitit në ikje, penetrojnë me ngulm ta makiavelizojnë secilën ëndërr që kemi. Ato, në mynxyrat më perfide, po e shkaktojnë rrënimin e kodeve njerëzore, etikën, zakonet, kulturat standarde, planet e qeverisjeve me perspektivë, vizionin ekzistencial shoqëror dhe shtetëror, madje po synojnë edhe rrënimin e kodeve natyrore dhe hyjnore! Pra, ato po përpiqen ta rrëmbejnë vetëdijen tonë për ta kthyer në substancë pa vlerë, me një fjalë: në hiq…

Fundviti na e bënë të qartë tashmë se kurthet synojnë një denacifikim kolektiv njerëzor si mënyrë për ta shpërfytyruar lirinë natyrore dhe hyjnore: kufirin e fundit që na ndanë nga kaosi…

Por, njerëz, përtej këtij kufiri ne e humbim statusin që kemi: atë të Homo Sapiensit. Prandaj, viti në ikje duhet të na e kujtojë këtë të vërtetë, kurse fillimviti luftën me të cilën e shpëtojmë qenien tonë nga mërzia dhe pesha e hirtë e plotë brenga që na sjellin kurthet. Por, ndërsa që historia njerëzore ngjason me gishtat e dorës dhe se ajo e dimë që s’ka qenë asnjëherë e barabartë për të gjithë njerëzit, kjo nuk duhet të na dëshpërojë dhe as të na fus në humnerën e urrejtjes dhe të hakmarrjes. Përkundrazi, duhet të na mbajë në balancë me idetë dhe me veprimet për t’i ndjekur udhët e së mirës, ngase ne jemi njerëz, e kurthet bëhen nga jonjerëzit, me një fjalë nga barbarët…

A jemi ne ata…?

Secili të pyes vetën e tij. Sigurisht, përpara se të gjendet në kthetrat e së keqes, apo në udhën që s’ka dalje.

Gëzuar njerëz të mirë. Ndihmojeni dhe duajeni njëri-tjetrin. Mbrojeni lirinë me dashuri e vetëbesim. Atdheun. Shoqërinë e hapur dhe demokratike. Sfidojeni mizorinë, absurdin, demagogjinë, mashtrimin, teknologjinë e kurtheve….

Paçi më shumë fat më 2017…