LAJMI I FUNDIT:

Kur shartohet politika

Kur shartohet politika

Falë Zotit, zgjedhjet u kryen, e edhe pushimet po vijnë, ndërkohë që votat po numërohen dhe po mblidhen sikur kokrrat e grurit nëpër arat e fukarasë. Duhet me i mbledhë numrat diqysh, ku janë e ku nuk janë për me e bë Qeverinë. Kushtetuesja njëherë ka fol. E, pa qeveri, nuk bënë na thonë njohësit ndërkombëtarë të politikës, edhe pse ne jemi mësuar pa qeveri. Ne funksionojmë edhe me qeveri nga importi.

Kur jemi te votat, e keqja më e madhe duket se është se të gjitha kokrrat e grurit janë me madhësi të njëjtë elektorale. Kështu, falë ekspertëve tonë të fushatave, të korrjeve dhe shirjeve, politike në radhë të parë, edhe numrat do t’i kishim sipas nevojës. Nëse jo, do të shkojmë sërish në zgjedhje, ose do t’i shartojmë… numrat. Gjithçka shartohet. A nuk u shartuan edhe koalicionet parazgjedhore?


Pse pra të mos shartohet një votë me diçka dhe të bëhet e madhe sa një shalqi nga ata që vijnë nga Shqipëria? Ose, të shartohet me shegë dhe prej një kokrre të bëhen 100…! Edhe ashtu, ndër ne, për nevoja të shartimit mund të kombinohet gjithçka. Bimët me bimë e madje edhe shtazët, e të mos flasim për politikën.

E pse të mos shartohen edhe votat? Edhe ashtu në kopshtin tonë zoo-politik nuk kanë ndonjë ADN specifik. Nuk ka identitet që nuk ndërrohet për pushtet. Nuk ka platformë që nuk shartohet. Politikani ynë është veç një inxhinieri sociale. Diçka në mes të robotit dhe njeriut i cili duhet të jetë model, për treg, për eksport jashtë kontinentit. Pse të mos shartohet kastraveci rus, për shembull, me domatet nga Anadolli dhe të mbillen në politikën tonë? Kjo tashmë po funksionon!

Pra, edhe politika, sikurse fermerët tanë, e pranojnë shartimin si mënyrë për me u përshtat me nevojat e tregut. Për shembull, kur politika dhe interesi publik shartohet me interesa private, sipas disa politikanëve tanë, kjo nxjerr në treg një produkt të ri: prostitucionin politik. E pranoi një deputet në afshin e debatit. Apo ishte në panik? Mund të pranohet edhe komenti se të gjitha kanalet ku zhvillohet debati parazgjedhorë edhe paszgjedhorë janë për t’u koduar me “+18”. Jo se përmendin gjenitalet, apo vet aktin seksual, sepse ato nuk përmenden… aq shpesh! Por, duhet të mbrojmë fëmijët tanë. Fundja, seksi është rreziku më i vogël. Më rrezik ka nga politika e cila prodhon urrejtje. Sheh televizor dhe nuk i njeh politikanët e djeshëm, madje as ata të rinj që u rekrutuan nga qarqet intelektuale. Thjeshtë, ndërrojnë prej emisioni në emision. Ndërrojnë imazh dhe qëndrime. Sot shajnë, nesër puthen. Numrat!

Pastaj, fjalori! Thonë se kemi e prostituta politike, të licencuara, diçka si profesion. Atëherë ky profesion medoemos ushtrohet nga të dyja gjinitë. Apo, më saktë, nga të gjitha gjinitë. Nejse, prostitucioni politik vlon, sipas disave, ndërkohë që vetë politika jonë vazhdon të mbetet e virgjër. Përbetohet për euro-atlantizëm dhe euro-integrime. Mund të tingëllojë e pamundur, por te ne asgjë nuk është e pamundur.

Pyet qytetarët: “E kapërdini dot, këtë politikë”? Si mendoni se do të përgjigjen? E pse jo? Është nga importi. Gjithë politika shqiptare është nga importi. Nuk ka asgjë autentike, as demokracia madje, si do të thoshte dikur i përvuajturi politik, Ukshin Hoti, njeriu i cili nuk arriti as të pranohej për së gjalli nga politika kosovare. Ai asnjëherë nuk pranoi të shartojë asgjë, rekomandonte veç produkte vendore.

Kur jemi te ajo çka e bënë toka jonë, sot dëgjojini këto fjalë nga mediat. “Shalqirin, domaten, trangujt, vendore nuk i hamë”, thonë fermerët të cilët i prodhojnë ato dhe me të cilat ata e furnizojnë një pjesë të mirë të tregut rajonal. “Nuk i hamë, sepse bimët janë e ushqyer dhe ndikuar me substanca të ndryshme. Kjo është helm, pak a shumë”, pranojnë ata, pa e lëvizur qerpikun. Nuk shqetësohen nga politika se mundet me ua ndalë biznesin. As nga gjykatat. As nga… askush. Nuk e hanë vet! Populli e ha! Populli dëgjon politikën. Nuk dëgjon përralla më. Hap kanalin me politikë dhe fillon të gërhas.

E, politika jonë, pra nuk qenka helm? Është nga importi, e certifikuar, betohen politikanët. Por, nëse politika është nga importi, politikanët gjithsesi i kemi prodhim vendorë. Ata i hedhin substanca helmuese politikës. Kështu, politika jonë nuk zgjidh asnjë problem, edhe pse gjithsesi krijon shumë probleme dhe atë jo vetëm shëndetësore. Shumë probleme, sidomos kur shartohet me gjithçka.

Por, kujt i bën nëse t’i tashmë e ke blerë produktin? Askush nuk do të dijë për ty, pasi tashmë ke votuar. Ke blerë mallin. Ke falur apo shitur votën, pra nuk ke ku të ankohesh. Shkon në Ministri, por shpejt bindesh se edhe Ministria është shartuar me kungull. E, ministrat me tranguj. Përjashta është e kuqe, një e kuqe e bukur si do të thoshte shitësi nga ekrani për domaten, ndërsa përbrenda nuk hahet. Është e pjekur me zor. Ndërkaq, zgjedhjet na rastisën në qershor, por dielli nuk ishte veror dhe temperaturat ishin të ulëta, prandaj trangujt dhe domatet tona politike dolën të papjekura. Vështirë se do të hahen, as këto sivjet. Ose do t’i “pjekim” me zor, dhe do t’i ngjyrosim…!

Thonë se më 2018 vera do të marrë më e nxehtë, me më shumë diell. Kush e di? Mbase votat deri atëherë do të shartohen me diçka dhe do të dalin edhe vizat… pastaj, kujt i bënë për Qeverinë. Softueri ynë i njeh të gjitha perandoritë, e rrjedhimisht edhe qeveritë….! Çdo qeveri e pranojmë më lehtë se tonën!

Me çka me e shartua politikën tonë?