LAJMI I FUNDIT:

Kujdesi për gardalinat

Kujdesi për gardalinat

Gardalinat europiane juglindore, ose Carduelis carduelis balcanica (emir taksonomik) janë zogjtë e vegjël që të gjithë i kemi parë dhe i njohim për këngën e tyre të këndshme.

Gardalina është një zog 12-13.5 cm i gjatë dhe peshon 16-22 gram. Gjinitë janë të ngjashme, me fytyrë të kuqe, kokë të zezë dhe të bardhë, trup i kombinuar në ngjyrat kafe e çelur në pjesët e sipërme dhe të bardhë në ato të poshtme, dhe krahë të zinj me të verdhë. Sqepi i fildishtë është i gjatë dhe i drejtë, ndërsa bishti është i bigëzuar.

Disa momente të rëndësishme mbi përkujdesjen e këtyre zogjve janë:

Dieta

Dieta e gardalinës duhet të përfshijë një përzierje të melit, fara drithi dhe ushqim barishtor për kanarina, fara bimësh të kultivuara si guizotia abyssinica, fara gjembaçësh, të cilët janë shumë të preferuar (p.sh. carduus) dhe insekte kur zogjtë janë të vegjël. Sallata, spinaqi, barërat, meli, pjesa e sipërme e brokolit dhe maja karote duhet të jepen në kohë të rregullt.

Uji i freskët dhe rëra duhet të ofrohen gjatë gjithë kohës. Meqë  ata nuk janë aq insektengrënës si disa zogj të tjerë, nuk e preferojnë shumë ushqimin e gjallë. Me ushqimin e njomë, i cili ofrohet në disa ditë, mund të përzihen vezë milingone, krimba të vegjël, krimba në dyll dhe larva fluturuese të frutave.

Ushqimi i ofruar gjatë gjithë kohës nuk ka ndonjë vlerë të madhe, por ai është shumë i rëndësishëm të ofrohet gjatë periudhës së çiftëzimit (nevojitet më shumë ushqim i gjelbër) ose gjatë ndërrimit të puplave.

Përkujdesja

Shumica e gardalinave strehohen në kafaze mbarështimi individualë, sikurse kanarinat. Gjithsesi, ato mund të vendosen në kafaze të mëdhenj për të fluturuar dhe për të kënduar.

Këta zogj janë shumë akrobatikë. Ata mund të varen poshtë purtekës dhe të vërtiten nga një purtekë në një tjetër. Gardalina është një shpend i shoqërueshëm.

Në gjendje të lirë, në dimër, ata grupohen dhe formojnë tufa mbi 40 zogj, ndonjëherë edhe më shumë. Ato formojnë grupe edhe me zogj të tjerë të ngjashëm. Kështu krijohen tufa të mëdha zogjsh, të cilët mund të fluturojnë së bashku në kërkim të ushqimit.

Grupimi siguron edhe mbrojtje ndaj grabitqarëve të mëdhenj. Formimi i tufave konsolidohet gjatë periudhës së migrimit.

Riprodhimi

Duke patur vetëm një sezon të shkurtër çiftëzimi, gardalina në gjendje të lirë do të inkubojë vezët vetëm gjatë korrikut deri në mes të shtatorit. Femra, në fillim do të shtrijë 4-6 vezë. Këto vezë, me ngjyrë të lehtë të kaltër, kërkojnë inkubacion nga femra për jo më pak se 12 ditë.

Zakonisht gardalinat që rriten nga njeriu çiftëzohen në kafaze. Gardalinat meshkuj shpesh çiftëzohen edhe me kanarina femra, me qëllim që të japin individë me zë shumë të bukur, duke marrë më të mirën e të dy specieve. Këta zogj hibridë nuk riprodhohen më. /Telegrafi/