LAJMI I FUNDIT:

KPK: Sulmi ndaj prodhimeve vendore ‘Made in Kosova’ po bëhet për përfitime politike

KPK: Sulmi ndaj prodhimeve vendore ‘Made in Kosova’ po bëhet për përfitime politike

Klubi i Prodhuesve të Kosovës përmes një komunikate ka shkruar se sektori i prodhimit është gjenerator kryesor i zhvillimit ekonomik dhe punësimit, dhe si i tillë është sektori më strategjikë që do ta fuqizojë shtetësinë e Kosovës.

Andaj, sipas KPK, është obligim i çdo institucioni, subjekti politik edhe individi të promovon dhe punon në fuqizimin e këtij sektori.

“Klubi i Prodhuesve të Kosovës është organizatë apolitke dhe si e tillë nuk angazhohet në çfarëdolloj aktivitet që do të anon për interes të ndonjë subjekt politikë. Qëllimi kryesor i KPK-s është të promovon dhe mbron prodhimet vendore. KPK-ja është duke punuar në vazhdimësi për të edukuar qytetarin për rëndësinë e konsumit të prodhimeve vendore. Ky konsum duhet të bazohet në kualitetin e lartë që kanë prodhimet vendore. Megjithatë, vetëdijësimi i qytetarëve për konsumin e prodhimeve vendore është proces që asnjëherë nuk duhet të ndalet sepse ky proces nuk ka ngjyrim politik, nuk ka ngjyrim institucional e as fetar, por ka ngjyrim individual por me interes të përbashkët”, thuhet në reagimin e KPK.

Po sipas KPK, secili nga ne kemi përgjegjësi që me veprimet tona t’i përkrahim prodhimet ‘Made in Kosova’ e jo t’i dëmtojmë ato.

“Të sulmosh prodhimet ‘Made in Kosova’ për të vetmin qëllim, për të dëmtuar kundërshtarin politik është jo etike, jo e drejtë dhe tejet e dëmshme për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Imazhi i këtyre produkteve është ndërtuar më mund dhe punë të palodhshme shumëvjeçare të punëtorëve dhe pronarëve”.

“Duke marrë parasysh që KPK-ja punon në mbrojtjen e interesit të prodhuesve dhe punëtorëve të tyre, ne publikisht kërkojmë që të gjithë politikanët dhe partitë politike të Kosovës të distancohen nga sulmet e prodhimit vendor për përfitime politike. Nuk mund të fitohen poena politikë duke shkelur mbi prodhimin vendor, nuk mund të fitohen vota duke humbur vende të pune. Prodhimet dhe fabrikat vendore nuk i takojnë vetëm pronarëve, por i takojnë të gjithë punëtorëve dhe shoqërisë. Prodhimet dhe fabrikat vendore janë dhe do të mbesin të Kosovës. Nëse një fabrikë sulmohet për përfitime politike është njësoj si të sulmohet themeli i shtetësisë së Kosovës”, përfundohet në reagimin e KPK-së. /Telegrafi/