LAJMI I FUNDIT:

Kosova rrezikon të mbetet pa energji elektrike

Kosova rrezikon të mbetet pa energji elektrike

Me 21 korrik në mbledhjen e fundit të Qeverisë në ikje të drejtuar nga Isa Mustafa miratoi vendimin për shpronësimin e pronave që preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatimin e thëngjillit, por kjo nuk kryen punë që të kemi energji elektrike edhe për shumë gjatë.

Kjo sipas drejtorit të KEK-ut çon në kolaps energjetik vendin pasi rezervat e thëngjillit garantojnë vetëm për dy javë energji elektrike.

Në mbledhjen e Qeverisë, Isa Mustafa ka dhënë disa arsye pse nuk mund të ndodhë shpronësimi në këtë kohë, ani pse për shkak të situatës emergjente, KEK-u ka propozuar shpronësimin e 17 pronave të pronarëve që gjenden në afërsi të ekskavatorëve të KEK-ut në këto fshatra.

Mustafa tha se arsyeja e parë është pasi “kanë lindur probleme të konsiderueshme lidhur me vazhdimin e mëtutjeshëm të mihjes sipërfaqësore të KEK-ut në drejtim të fshatit Shipitullë dhe Hade, për shkak të asaj se me kohë nuk janë bërë shpronësimet atje dhe se çdo vonesë këtu rrezikon që të ndalet puna e KEK-ut në atë pjesë dhe të mbesim në mungesë të prodhimit të energjisë elektrike”.

Arsyeja e dytë sipas Mustafës, është se nuk mund të bëhen shpronësime emergjente në këto dy fshatra pasi kërkohen masat ligjore që nuk janë përmbushur, raporton Insajderi.

Sipas kryeministrit në ikje, “në masa emergjente nuk mund të hyjnë shpronësimet në atë pjesë, por duhet të plotësohen masat ligjore”.

Arsyeja e tretë është, gjithmonë sipas kryeministrit se vonesat për shpronësim janë bërë nga vet pronarët e tokave pasi sipas tij ata janë “vonuar në kryerjen e proceseve të parapara ligjore” të cilët  janë “jashtë plotësimit të këtyre kushteve”.

“Në qoftë se KEK-u në bazë të kornizës së Bankës Botërore gjënë mundësi që të arrijë marrëveshje me palët atje dhe të krijojë mundësi tjera për hyrje në pronësi sipas kornizës, është çështje tjetër, mirëpo ne procedurat ligjore është e domosdoshme që t’i përmbushim, sepse është një çështje që më së paku mund të thuhet se është emergjente, është më shumë sesa emergjente, sepse mund të dëmtohet shumë KEK-u dhe mund të dëmtohemi me furnizim me energji elektrike për arsye të vonesave”, ka thënë kryeministri.

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj i ka thënë Reuters, se KEK-ut i duhet të marrë në shfrytëzim 52 hektarë të pronës private në mënyrë që të nxjerrë qymyrin e pashfrytëzuar, por banorët lokal duan më shumë para për rivendosjen e tyre dhe Qeveria e Kosovës nuk e ka adresuar me sukses këtë problem, edhe pse ky proces kishte nisur në vitin 2013.

“Ne do të punojmë me kapacitet të plot vetëm edhe dy javë”, ka thënë Gjukaj për Reuters.

“Në javët e ardhshme ne do të përballemi me një mungesë të konsiderueshëm të energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese. Të gjitha varen sesi ne do të shpenzojmë rezervat e ngarkesës”, ka shtuar ai.