LAJMI I FUNDIT:

Kosova, pranë krizës së re energjetike (Video)

Kosova, pranë krizës së re energjetike (Video)

Kosova brenda dy javësh mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili e ka përshkruar situatën si mjaft alarmante.


Ai thotë se alarmin për arritjen në një situatë të tillë, si e tanishmja, e ka paralajmëruar një vit më parë.

Ai shpjegon se procedurat për marrjen e pronësisë së 52 hektarëve, të cilat janë pronë private, kanë nisur nga KEK-u në vitin 2012 por, sipas tij, institucionet e caktuara e kanë neglizhuar procesin e shpronësimit të hapësirlës e cila tashmë është zonë e interesit kombëtar. Gjuka thotë se ligjet janë shkelur dhe në atë zonë ka pasur ndërtime të egra e jolegale të cilat në bazë të informacioneve dhe regjistrimeve në terren, kanë qëllim përfitimin personal të ndonjë grupi apo personi të caktuar.

Musa Shabani, kryetar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, thotë se KEK-u e ka licencën për shfrytëzimin minerar në zonën në të cilën janë shfaqur problemet për shpronësimin e pronave.

“Ky është problem, faktikisht, i Qeverisë. Për sa di unë, Qeveria tashmë është duke u marrë me këtë çështje”, tha Shabani.

Por, pavarësisht insistimit të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik e Qeverisë së Kosovës në largim, ministri kjo përgjegjëse për energjetikën, nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje.

Por, a ka forma alternative të furnizimit me energji elektrike në rast të përballjes me një krizë energjetike?

Gjuka thotë se Korporata Energjetike e Kosovës nuk është përgjegjëse për një gjë të tillë, sepse ajo ka licencë vetëm për gjenerim të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës, më 21 korrik, në mbledhjen e saj të rregullt, ka miratuar vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesi, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike, për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, zona kadastrale Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq. /REL/