0Shares

Përfaqësuesja A e Kosovës të shtunën me fillim nga ora 20:30 është mysafire e Maqedonisë, në ndeshjen që i takon Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Kjo ndeshje do të luhet në palestrën “Boris Trajkovski” të Shkupit, por pa shikues, sepse kështu kanë vendosur autoritetet maqedonase.

Në takimin e parë të luajtur para nëntë ditëve në Prishtinë, Kosova e ka mposhtur Maqedoninë me shifrat 72:68, por Përfaqësuesja jonë në këtë mesjavë pësoi disfatë me shifrat 76:50 në Tallinn nga Estonia.

Në fakt, përfaqësuesja e Estonisë është e vetmja pa asnjë disfatë në grup dhe kështu pothuajse e ka të siguruar kualifikimin tutje.

Në anën tjetër janë Kosova dhe Maqedonia që po luftojnë për pozitën e dytë që i dërgon në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Maqedonia ka bilanc prej 2 humbje e asnjë fitore në grup, kurse Kosova ka bilanc 1 fitore e 1 humbje.

Kështu pas dy humbjeve rresht, Maqedonia është në një pozitë mjaft të vështirë dhe më nuk ka vend për gabime për këtë Përfaqësuese.

Ndërkaq me fitoren në Shkup, Kosova do të vazhdonte tutje në kualifikime së bashku me Estoninë, duke e eliminuar kështu Maqedoninë.

Pas humbjes 72:68 kundër Kosovës në Prishtinë, Maqedonia do të duhet të fitoj me 5 pikë epërsi për të krijuar një avantazh, i cili më pas do ta bënte luftën me Kosovën edhe më interesante për një pozitë tutje.

Përfaqësuesja jonë të premten ka zbarkuar nga Tallinni në Shkup dhe sonte do ta zhvilloj stërvitjen e parë në palestrën “Boris Trajkovski”. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)