LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka arritur sukses në luftimin e ekonomisë së zezë

Kosova ka arritur sukses në luftimin e ekonomisë së zezë

Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, morri pjesë sot në Konferencën mbi vlerësimin e riskut për korrupsionin në gjyqësi, prokurori dhe në prokurimin publik, të organizuar nga Projekti i Përbashkët i Bashkimit Evropian / Këshilli i Evropës kundër Krimit Ekonomik në Kosovë (PECK II).

Më këtë rast, zëvendësministri Agim Krasniqi falënderoi organizatorët për organizimin e kësaj Konference, si dhe theksoi se është esenciale që praktika të tilla të ndërmerren në vazhdimësi sipas planeve të parapare me qëllim që Kosova të vazhdoj me progresin e duhur në fushat më të cenueshme shtetërore dhe ekonomike.


“Në këtë kontekst pa dyshim që nevojitet një bashkërendim i bashkëpunimit efektiv ndër-institucional, me faktorin ndërkombëtar, rajonal si dhe me sektorin privat, me qëllim të adresimit të dukurive negative në mënyrë sa më efikase”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.

Zëvendësministri Agim Krasniqi bëri të ditur se “Qeveria e Republikës së Kosovës në janar të vitit 2014 ka aprovuar Strategjinë dhe Planin e veprimit për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve ekonomike për vitet 2014-2018. Qëllimi i strategjisë është që të reduktojë ekonominë joformale për 1pp përgjatë periudhës 2014-2018 dhe të rrisë vlerën e aseteve të konfiskuara të përfituara në mënyrë të jashtëligjshëm”.

Ai gjithashtu prezantoi të arriturat përgjatë viteve 2014 – 2016 , ku sipas tij gjatë kësaj periudhe në kuadër të Mekanizmat raportues dhe implementues është themeluar hierarkia e raportimit e përbërë nga 4 nivele: Qeveria, Grupi punues qeveritar nivel udhëheqësve, Sekretariati dhe grupi teknik nivel te institucioneve përgjegjëse ne zbatim te PV, ku është bërë monitorimi i implementimit të PV dhe arritjes së indikatorëve të përformancës. Si pas tij si rezultat i funksionimit të mirëfilltë të mekanizmit monitorues dhe raportues, deri në fund të vitit 2016 kemi realizim prej rreth 76% të planit të veprimit të Strategjisë me dy objektiva tërësisht të implementuara (objektiva 1 – Ngritja e vetëdijes për ndikimet ekonomisë joformale dhe krimeve financiare, Objektiva 3 – promovimi i procedurave të inteligjencës, hetimit, të ndjekjes penale, dhe gjyqësore), si dhe rritje në arritjen e objektivave operative të institucioneve zbatuese të ligjit të reflektuara në ngritje të vazhdueshme të hyrave direkte dhe masave në parandalimin e pastrimit të parave.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit ndër-institucional në luftimin e ekonomisë joformale dhe krimeve ekonomike (2014-2016), zëvendësministri Agim Krasniqi bëri të ditur se gjatë vitit 2014 është bërë vlerësimi i nivelit të ekonomisë joformale në vend që ka rezultuar të jetë nga 31-38% duke përfshi remitencat, është bërë vlerësimi i riskut në sektorin e ndërtimeve, është hartuar dhe aprovuar ligji për pastrimin e parave konform standardeve ndërkombëtare, që i ka parapri anëtarësimit të Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) në organizatat ndërkombëtare si, FTAF dhe Egmond Group”.

“Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet NJIF, PK, dhe BQK-së në luftimin e krimeve ekonomike, dhe janë hartuar procedurat standarde operative për NJIF, PK dhe ATK për çasje dhe shkëmbim të dhënave, nënshkrimi i memorandum bashkëpunimit ndërmjet NJIF, Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës dhe ATK, doganat e Kosovës, ATK dhe policia kanë krijuar njësinë e përbashkët për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve të fituara nga krimi, për të ndihmuar në bashkërendimin e aktiviteteve në luftimin e krimeve ekonomike, si dhe krijimi i grupit ndër-institucional ndërmjet institucioneve dhe agjensioneve zbatuese të ligjit për shënjestrimin e top rasteve të krimeve të rënda financiare dhe të korrupsionit”, ka shtuar zëvendësministri Krasniqi.

Ai bëri të ditur gjithashtu se në kuadër të rezultateve operative, është ngritja e vazhdueshme e të hyrave të përgjithshme buxhetore ku mesatarja përgjatë 2014-2016 ishte 6.6% apo rreth 94.6 milion EUR rritje në mesatare, ku TVSH shënoi rritje mesatare prej 7.5%, TAP 11.3% dhe TAK 9.6% përgjatë 2014-2016.
“Raporte të dyshimta për shpëlarje të parave dhe financim të terrorizmit të pranuara nga NJIF-K në mesatare ishte rreth 103 raste përgjatë 2014-2016, ndërsa hetimet e filluara për krime financiare shënuan rritje përgjatë periudhës 2014-2016, ku në vitin 2016 ato arritën në 2,132 raste”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.

Sipas zëvendësministrit Agim Krasniqi, planet për të ardhmen janë që të bëhet ndërtimi i metodologjisë nacionale për kryerjen e vlerësimeve të riskut në sektorët më të cenueshëm ekonomik në vend. Gjatë vitit 2017 është paraparë të bëhet vlerësimi i nivelit të ekonomisë joformale, dhe vlerësimi i riskut në sektorët më të cenueshëm ekonomik (lojërat e fatit/ kasinot dhe OJQ-t), të bëhet Rishikimi i planit të veprimit dhe Strategjisë me inputet që pritet të dalin nga aktivitetet e sipërpërmendura, si dhe gjatë vitit 2018 pritet të bëhet vlerësimi i riskut në nivel kombëtarë që duhet të i paraprijë avancimit të Planit të Veprimit dhe Strategjisë për një periudhe 4 vjeçare. /Telegrafi/