LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe problemi shqiptar

Kosova dhe problemi shqiptar

Çështja e Kosovës , bashkë me çështjen shqiptare në përgjithësi, paraqesin sot një prej problemeve qendrore të zgjidhjes së krizës politike në Ballkan. Mendojmë se pa një zgjidhje politikisht të pranueshme të çështjes së Kosovës në kuadër të çështjes së përbërë shqiptare, nuk do të mund të ketë paqe të përhershme në rajon. Përderisa shkenca serbe përpiqet të dëshmojë se “Kosmeti është serb”, argumentet historike flasin bindshëm se “serbët janë vendosur në Kosovë me rastin e zgjerimit të shtetit serb në këtë drejtim nga Nemanjiqët” (shekulli XI e XII i erës sonë e më vonë).

Në territorin etnik shqiptar, për pasojë pushtimesh, në Mesjetë dhe në kohën e Perandorisë Osmane, janë vendosur pakica sllave, turke dhe rome. Pakica sllave është shtuar ndjeshëm me kolonizimin e dhunshëm në mes të dy luftërave botërore. Megjithatë, kurrë nuk ka arritur të jetë mbi 10 për qind të popullatës në tërësi. Popullata shqiptare në trojet e veta në ish Jugosllavi dhe territori i saj etnik gjatë gjithë historisë ka jetuar dhe ka funksionuar si një bashkësi etnike me pjesën tjetër të shqiptarëve të Ballkanit.


Së këndejmi, pretendimet e Serbisë për trojet shqiptare nuk mund të qëndrojnë dhe të arsyetohen shkencërisht me të kaluarën serbe në Kosovë. Kosova, historikisht dhe aktualisht, përbënte dhe përbën një tërësi të veçantë politiko territoriale. Kosova e sotme, qysh nga periudha antike, ishte territor qendror i provincës ilire të Dardanisë. Kosova gëzonte mëvetësinë e vet qysh në periudhën kur u konstituua si Vilajet (1868). Edhe në periudhën tjetër të historisë së zhvillimi të vet, Kosova kishte status të njësisë së veçantë.

Gjatë viteve ‘80 të shekullit XX, serbët filluan të shprehin shqetësimet e tyre gjoja për diskriminim e presion për shpërngulje pasi në Kushtetutën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe në Kushtetutën e Krahinës Socialiste të Kosovës të vitit 1974, shqiptarët kishin fituar disa të drejta, si përfaqësimi ne Kuvendin e në Gjykatën Kushtetuese dhe në Kryesinë e RSFJ-së, ndërsa shqiptarët, që nga demonstratat e vitit 1981 që u shtypën nga ushtria federale dhe nga policia e Serbisë, kërkonin republikë të barabartë me republikat e tjera në Jugosllavi, zhvillim të mëvetësishëm ekonomik. Pas shumë burgosjeve, vrasjeve e persekutimeve, Sllobodan Millosheviqi, i cili kishte ardhur në pushtet në vitin 1986 në Serbi e në Jugosllavi, erdhi në Kosovë për të shënuar 500 vjetorin e betejës së Kosovës (1989) me ç’rast mbajti një fjalim para një turme serbësh ku haptazi përkrahu programin nacionalist serb të Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve dhe të tërë eshtabilishmentit serb, faktikisht paralajmëroi luftëra të reja në Jugosllavi për krijimin e Serbisë së madhe.

Për shqiptarët ishte e qartë se tani ishin para përpjekjeve për realizimin e projekteve famëkëqija të Akademisë Serbe të Shkencave, të Kishës Ortodokse Serbe dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë. Në shtator të vitit 1987, Sllobodan Millosheviqi dhe përkrahësit e tij morën nën kontroll Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Nga kjo pozitë me ndikim, ai pati mundësi të zhvillonte më tutje projektin e tij për krijimin e Serbisë së madhe. Prej korrikut të vitit 1988 deri në mars të vitit 1989 ndodhi ashtuquajturi revolucion antiburokratik me protesta që kishin për qëllim rrënimin dhe përmbysjen e qeverive përkatëse në Vojvodinë e në Mal të Zi, ku patën sukses të plotë.

Tani ishte në radhë Kosova. Në fillim të vitit 1989 Kuvendi i Serbisë propozoi ndryshime në Kushtetutën e Serbisë, të cilat do ta zhvishnin Kosovën nga pjesa më e madhe e autonomisë, duke përfshirë kontrollin mbi policinë, politikën arsimore dhe ekonomike, të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe edhe si gjuhë zyrtare dhe heqjen e së drejtës së vetos mbi ndryshimet e mëtutjeshme në Kushtetutën e Serbisë.

Populli i Kosovës e kuptoi qëllimin e pushtetit serb dhe filluan demonstratat masive. Duke filluar nga shkurti i vitit 1989, minatorët e Trepçës dhe të shumë minierave të tjera të Kosovës u futën në grevë për ç’ arsye situata tendoset edhe më shumë në Kosovë. Duke marrë si shkas demonstratat dhe revoltën e shqiptarëve të Kosovës dhe trazirave në të cilat policia përdori forcën dhe shtypjen që, për pasojë pati edhe shqiptarë të vrarë e të plagosur dhe shumë të tjerë të arrestuar, Kryesia e RFJ-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme që pastaj qeverisë ia mundësoi të imponojë masa të posaçme të cilat do të sjellin edhe gjakderdhje të reja.

Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës u mblodh në Prishtinë me masa të rrepta ushtarako-policore për të shqyrtuar dhe votuar ndryshimet e propozuara për kushtetutën. Edhe pse në sallë kishte më shumë mysafirë (ndër ta edhe pjesëtarë të Sigurimit Shtetëror e të Shërbimit Sekret Serb) sesa delegatë dhe pa numërimin e rregullt të delegatëve dhe abstenimin e një numri të delegatëve shqiptarë e votimit kundër të një numri të tyre, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Vukashin Jokanoviq, shpalli miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Për ta futur Kosovën de jure dhe de facto nën sovranitetin serb, më 28 mars, serbët thirrën Kuvendin e Serbisë për të votuar ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë dhe, me ketë votim, faktikisht përfundoi autonomia e Kosovës e njohur me Kushtetutën e vitit 1974. Me këtë votim filloi edhe rrënimi i sistemit shtetëror juridik të RFSJ-së pasi, pas këtyre ndryshimeve, Millosheviqi forcoi pushtetin e vet dhe nacionalizmin serbomadh dhe më 8 maj të vitit 1989 ai u zgjodh kryetar i Serbisë.

Në dhjetor e vitit 1989 shqiptarët filluan të organizohen nëpër parti politike dhe të krijojnë pushtetin paralel. Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën për shpalljen e Kosovës republikë ndërsa me 7 shtator aprovuan edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova ishte njësi e organizuar në pikëpamje partiake, ushtarake dhe juridike dhe si pjesë integrale e frontit antifashist të Ballkanit dhe më gjerë. Kosova gëzonte statusin e autonomisë politiko territoriale edhe sipas Kushtetutës së ish Jugosllavisë të vitit 1974.

Përkundër instalimit të dhunshëm të pushtetit serb në Kosovë pas suprimimit të autonomisë politiko territoriale të saj, Kosova në pikëpamje kushtetuese juridike dhe politike mbështetet në dokumentet burimore kushtetuese mbi statusin e saj si republikë, të bazuara në vullnetin plebishitar të popullit shumicë në Kosovë dhe të shprehur nga ana e pushtetit legal dhe legjitim të Kosovës, një pjesë e të cilit funksiononte jashtë, por institucionet legjitime të zgjedhura ose të emëruara funksiononin edhe brenda Kosovës pas miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut (1990), referendumit gjithëpopullor në tërë territorin e Kosovës (1991) për Kosovën Republikë të lirë, të pavarur e demokratike dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare e presidenciale dhe lokale (1992) kur u formua qeveria e Kosovës në ekzil dhe presidenti i Republikë së Kosovës (akademik prof. dr. Ibrahim Rugova) me qëndrim dhe funksion legal në Prishtinë deri me konfirmimin e tij nga pushteti aktual i Serbisë gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet ushtarake e strategjike të Jugosllavisë (24 mars-10 qershor 1999) dhe dëbimit të tij në Perëndim (Itali).

Mohimi i statusit autonom të Kosovës në Federatën e ish Jugosllavisë, që u bë me amendamentet kundër kushtetuese të Serbisë të vitit 1989, në fakt, qe një akt i dhunës së një njësie federale ndaj një njësie tjetër federale që shkelte barazinë e nacionaliteteve dhe të njësive federale të tyre të përcaktuara dhe të garantuara me nenet 2 e 4 të Kushtetutës atëherë gjithnjë në fuqi të ish Jugosllavisë të vitit 1974.

Ishte ky akti i parë i rëndësishëm i krizës kushtetuese në ish Jugosllavinë, akt ky që e bën të logjikshme ndërlidhjen e çështjes së Kosovës me shpërbërjen e Jugosllavisë. “Kosova, sipas asnjë dokumenti kushtetues, pra as sipas Kushtetutës së Kosovës, as sipas Kushtetutës së Jugosllavisë (1974), dhe as sipas Kushtetutës së vetë Serbisë, nuk ka qenë pjesë integrale e Serbisë”. “Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë, por si, identitet politiko territorial i vetvetes, me kushtetutë të veten, ishte njësi konstitutive njësi federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë. Për më tepër, thënia se Kosova “është në kuadër të Republikës së Serbisë”, “kishte karakter deklarativ dhe jo konstitutiv”, meqenëse “baza konstitutive e gjetjes së Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë është Rezoluta e Prizrenit e vitit 1945, e cila, si e tillë, u dërgua me Deklaratën Kushtetuese të Kosovës.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë, Kosova, si dhe populli shqiptar në përgjithësi në ish-Jugosllavi, në territoret ku përbën shumicën e popullsisë, realisht paraqitet subjekt i vetvetes, pra subjekt i vendosjes për fatin e vet në rrethana të reja historike sipas parimit të vetëvendosjes kombëtare. Mëvetësia politike territoriale dhe juridike e Kosovës mund të arsyetohet më shumë fakte, si historike, ashtu dhe juridike të pakundërshtueshme, ndër të cilat mund të veçohen: një, realiteti nacional demografik dhe territorial i popullit dymilionësh shqiptar, dhe dy, individualiteti historik, gjeografik, nacional strukturor dhe politik i Kosovës.

Përveçse me strukturën etnike të Kosovës, me shumicë dominante shqiptare, mëvetësia e Kosovës bazohet dhe në vullnetin politik të popullit shumicë të Kosovës, të shprehur nëpërmjet mekanizmave institucionalë demokratikë të saj dhe në të drejtën e vetëvendosjes s popullit shumicë shqiptar në Kosovë, e cila, ç’ është e vërteta, i takon edhe si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare edhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar.

Ndër faktet e tjera politiko juridike, theksojmë edhe këto: Së pari, Kosova në ish-Federatën multinacionale të Jugosllavisë kishte status të njësisë konstitutive; së dyti: ish-Federata e Jugosllavisë u zhbë dhe Kosova me asnjë akt konstitucional të saj nuk mori pjesë në themelimin e Federatës Serbo-Malazeze; së treti: Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj (2 Korrik 1990), me vendimin në kuadër të saj, “doli nga struktura komplekse kushtetuese e Republikës së Serbisë”, nga e cila qe aneksuar pa vullnetin e popullit të vet (1945); së katërti: Kosova kishte kufijtë e saj interfederalë që nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj, sikundër që edhe kufijtë e jashtëm të ish Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës; dhe, së pesti: me pavarësinë e Kosovës nuk bëhen ndryshime kufijsh të brendshëm ndërmjet njësive konstitutive të ish-Federatës jugosllave Kosovës dhe Serbisë, sepse, ndërmjet tyre, kishte kufij që përcaktoheshin dhe garantoheshin me Kushtetutën e ish Jugosllavisë të vitit 1974.

Prandaj, parimi, ashtu siç është zbatuar për republikat e ish Jugosllavisë së viteve 1991-92, vlen edhe për Kosovën. Pikëpamja serbe që çështjen e Kosovës ta reduktojë në dimensionin e lirive themelore dhe të të drejtave njerëzore është e paqëndrueshme. Prezenca e ideve gjenocidale të pushtetit serb në rrjedhat mendimore të pushtetit, por dhe të qarqeve jashtë tij, prezenca e përmbajtjeve dhe e synimeve gjenocidale në aktet shtetërore dhe juridike të pushtetit në qendrat e tij të vendosjes bashkë me vetë rrjedhat faktike të gjenocidit dhe të akteve gjenocidale qysh prej projekteve të Vasa Çubrilloviqit e deri tek aktet e viteve të fundit për kolonizimin serb të Kosovës, flasin në mënyrë bindëse për kursin “në funksion të synimeve për ndërrimin e strukturës etnike të Kosovës”. Prandaj, nuk ka dyshim se dimensioni më i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës ka të bëjë me konfliktësinë shqiptaro serbe: së pari, rreth karakterit etnik, historik, politik dhe ndërkombëtar të Kosovës, dhe së dyti, rreth natyrës së mëvetësisë së Kosovës dhe të pozitës së saj politiko shtetërore.

Çështja e Kosovës, për kah substanca e saj, është çështje e vetëvendosjes së popullit të saj. Në të vërtetë, vetëvendosja paraqet një të drejtë natyrore të tij, e cila duhet respektuar “mbi bazën etnike dhe të çdo rezoni demokratik” si e drejtë “e prononcuar në shkallë të së drejtës pozitive ndërkombëtare”. Historia politike e çështjes së Kosovës flet mbi padrejtësitë ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve. Me këtë rast përkujtojmë se aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë në vitin 1945, u bë pa vullnetin e popullit shqiptar.

Në të vërtetë, Kosova është aneksuar qysh në vitin 1912, mandej dhe më 1918. Nëpërmjet Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës mbi pavarësinë dhe barazinë e Kosovës në Federatën Konfederatën e Jugosllavisë, në fakt, populli shqiptar i Kosovës shpaloi synimet mbi përcaktimin e fatit të vet politik, të cilat u finalizuan me Rezolutën mbi Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur të 18 tetorit 1991. Ky dokument, i nxjerrë në kohën kur harta politike dhe gjeografike e ish-Jugosllavisë kishte marrë një pamje dhe strukturë tjetër, e profilizoi politikisht vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për të qenë “subjekt i vendosjes për fatin e vet historik” sipas parimit të vetëvendosjes kombëtare, “i cili, si e drejtë, i takon kombit, ashtu dhe pjesës së kombit parimisht, ndërsa parimisht dhe praktikisht pjesës së kombit, i cili paraqet shumicë territoriale etnike në një rrip të pandërprerë tokësor të shumicës etnike të ketë zgjidhje të drejtë të saj vërtetë “pa valorizimin e plotë dhe të drejtë ndërkombëtar të trungut etnik të Kosovës dhe të vullnetit politik të artikuluar dhe të institucionalizuar të shumicës dominante shqiptare të popullsisë së Kosovës”.

Populli shqiptar i Kosovës paraqet një të tretën e popullit shqiptar në Ballkan, madje “me lidhshmëri direkte në tërë hapësirën e shumicës etniko territoriale në Ballkan”. Prandaj, si mund të ndodhë që, për shkak të ndarjes gjeopolitike të të njëjtit popull, njëra gjysmë e popullit të njihet si komb, kurse pjesa tjetër vetëm pse jeton e ndarë nga populli amë, të konsiderohet “pakicë kombëtare”. Shqiptarët kudo që të jetojnë, janë një popull. Edhe sikur të niseshim nga pozicionet kushtetuese të Serbisë dhe të Kosovës, sipas Kushtetutës së ish-Jugosllavisë të vitit 1974, do të mund të nxirrnim konkluzion të qëndrueshëm konstitucional se Serbia, ashtu edhe Kosova, kishin, në esencë, një pozitë plotësisht të pavarur njëra nga tjetra në funksionimin e shtetit, dikur të përbashkët. Populli autokton në Kosovë, me koncentrim të lartë etniko territorial, përbën pjesën dominante (rreth 90 për qind) të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Ky fakt Kosovën vetvetiu “e profilizon dhe e përcakton si territor të gjerë me individualitet të fuqishëm demografik, politik dhe kombëtar”.

Natyrisht se tash nuk ekziston as “interesi i përbashkët”, as Federata multinacionale e Jugosllavisë së mëparshme, “në kuadrin e të cilës ishte u vënë konstruksioni prezumacioneve mbi vullnetin e lirë të Kosovës dhe interesin e përbashkët”. Do të përmendim disa nga argumentet kryesore në favor të pavarësisë së Kosovës. Së pari, strukturën etnike të Kosovës, që flet për shumicën dominante demografike shqiptare, si një realitet kombëtar demografik territorial të popullit shqiptar në Kosovë me përmasa ballkanike, ku ai përbën një të tretën e popullit shqiptar në Ballkan. Së dyti, vullnetin politik të popullit shqiptar të Kosovës, vullnet ky i shprehur nëpërmjet mekanizmave institucionalë demokratikë të Kosovës, në kohën kur pozita politike dhe kushtetuese juridike e përbërësve konstituivë të ish-Jugosllavisë kishte ndërruar krejtësisht; atëherë kur dokumentet burimore kushtetuese të Kosovës morën natyrën e formësimit definitiv socio politik dhe kushtetues juridik të pozitës së re të pavarur të Kosovës. Së treti, të drejtën për vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës e cila i takon dyfish: si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare dhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar.

Kohëve të fundit dëgjohen vërejtje se me pavarësinë e Kosovës bëhen ndryshime kufijsh. Sipas Kushtetutës së ish-Jugosllavisë të vitit 1974, sikurse republikat, edhe Kosova, kishte kufijtë e saj interfederalë, të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj, sikundër që edhe kufijtë e jashtëm të ish Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, me pavarësinë e Kosovës nuk bëhet kurrfarë shkeljeje e “parimeve të Helsinkit lidhur me kufijtë e jashtëm”. Kosova, njëkohësisht është rast i okupimit klasik, sikurse që paraqet edhe rast të represionit sistematik shtetëror ndaj një populli, të cilit i pamundësohet realizimi i së drejtës “për të qenë zot i fatit të vet”, përkundër përmbushjes së tri elementeve qenësore: etnik, historik e politik, që e arsyetojnë bollshëm vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ndodhi në vitin 1991, kur u rrumbullakësua shpërbërja shtetërore e ish Jugosllavisë. Kosova, në fakt, me plebishitin e popullit, i ndërkombëtarizoi kufijtë e vet. Kosova nuk paraqet rast të secesionit, meqë ajo nuk “u secesionua nga ndonjë krijesë shtetërore ekzistuese, por u sovranizua pas dekompozimit të ish Jugosllavisë”. Qendrat e vendosjes do të duhej t’i bëjnë një qasje me objektive çështjes shqiptare në përgjithësi dhe çështjes së Kosovës në veçanti. Veprimi i parë më i rëndësishëm që mund t’i bëjnë është që të pushojnë t’i referohen Kosovës si një provincë serbe dhe shqiptarëve si minoritet. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet përkufizimi i çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare si “çështje ndërkombëtare”. Qendrat e vendosjes do të duhej të kuptojnë se çështja e Kosovës nuk do të mund të zgjidhej me restaurimin e autonomisë ose të ndonjë republike në një federate të centralizuar me dominim serb. Vetëm kështu mund të pushojë trajtimi i Kosovës si “çështje e brendshme” e Serbisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të inaugurohet paqja e përhershme në rajon. Qendrat e vendosjes duhet ta kuptojnë se çështja e Kosovës është vetëm njëri përbërës i çështjes shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë ato do të mund të pushojnë t’i qasen pjesërisht kësaj çështjeje.

Duke u nisur nga lakmia për toka dhe synimi i ndryshimit te strukturës demografike te rajoneve me shumice etnike shqiptare shteti serb qe nga ‘’Naçertania’’ e vitit 1844 ka ushtruar gjenocid të hapur ndaj popullit shqiptar e veçanërisht dhe sistematikisht gjatë e pas luftërave ballkanike e Luftës së parë dhe Luftës së dytë botërore për të arritur kulmin me ardhjen në pushtet të regjimit të Slobodan Milosheviqit np Serbi e Jugosllavi.

Doktrina serbe për pastrim etnik të trojeve shqiptare u zbatua me përpikëri me pastrimin etnik të Sanxhakut të Nishit në vitin 1887 me dëbimin e qindra mija shqiptarëve dhe me djegien e 665 fshatrave shqiptare të këtij Sanxhaku.

Janë, më së paku, dy arsye, që më kanë shtyrë të merrem me këtë temë: e para, aktualiteti i saj dhe, e dyta, ndjenja e nevojës për t’i sqaruar disa nisma dhe individë të cilët ishin largpamës dhe sakrifikuan shumë çka gjatë periudhës 20-vjeçare te aktivitetit të tyre. Vendosja në një rrafsh e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe e çështjes së Kosovës është bërë për shkak të ndikimeve të ndërsjella që kanë ato ndërmjet tyre: nga njëra anë, për arsye se procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe rreth Kosovës, kur ajo u përjashtua nga kuvendimet për rendin e ri federal apo konfederal të saj, ndërsa, nga ana tjetër, për arsye se çështja e Kosovës, mu për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë, merr dhe paraqitet me një dimension të ri politik, por dhe konstitucional juridik.

Vështirë se do të mund t’i përmbahem plotësisht qëllimit që i kam vënë vetes që në këtë shkrim t’i zbardh disa ngjarje që kanë ndodhur gjate angazhimit tim 20-vjeçar për lirinë e Kosovës dhe të popullit te saj. Po filloj me diskutimin publik të organizuar tinëzisht nga qeveria serbe për ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974. Diskutimi publik për ndryshimet kushtetuese në qytetin e Pejës u organizua nga Lidhja Socialiste e Popullit Punues nëpër shtëpitë e kulturës në lagjet e ndryshme të qytetit me ç’rast shumë veprimtarë të çështjes kombëtare haptas shprehnin qëndrimet dhe mendimet e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese të cilat ishin kundër interesave të popullit shqiptar. Fatkeqësisht, në mesin e këtyre diskutimeve, kishte edhe diskutues aktivistë të Partisë Komuniste, të cilët, me direktiva dhe pa kokën e tyre, thoshin se Kosova, me këto ndryshime, nuk do të humbë asgjë. Këta shqipfolës, megjithëse e kishin të qartë se kjo nuk qëndron, i mbronin qëndrimet e Partisë në dëm të popullit shqiptar. Edhe vetë diskutova në disa raste duke mos marrë parasysh që në sallë, në shumicën e rasteve, kishte edhe punëtorë të Sigurimit Shtetëror serb, të cilët regjistronin çdo diskutim që ishte në kundërshtim me qëndrimet partiake të asaj kohe.

Mund të them se ky ishte fillimi i angazhimit tim publik për mbrojtjen e interesave legjitime të popullit të Kosovës. Diskutimi publik për ndryshimet kushtetuese ishte vetëm një farsë pasi në interpretim është falsifikuar dhe nuk janë dhënë identike qëndrimet e popullit por të aktivistëve partiakë. Kjo rezultoi me pakënaqësi në mesin e qytetarëve për çka u organizuan edhe shumë demonstrata dhe protesta të cilat përfunduan me viktima të shumta.