LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Donald Trumpi: Shqiptarët i duan amerikanët pa kushte, por Trumpi ua shton drojën!

Kosova dhe Donald Trumpi: Shqiptarët i duan amerikanët pa kushte, por Trumpi ua shton drojën!

Me ardhjen e presidencës së Trumpit, kosovarët druajnë se mund ta humbasin mbështetjen e SHBA-ve për shtetin e tyre.

Një statujë tre metra e lartë e Bill Clintonit qëndron në një qoshe të bulevardit që mban emrin e tij. Aty pranë, era e ftohtë e dimrit valëvit flamurin. Në fasadat e një godine me apartamente pas statujës, varet një portret i madh i ish-presidentit të SHBA-së plot buzëqeshje. Kjo është një shenjë e raporteve të veçanta të Kosovës me Amerikën, dhe veçanërisht me demokratët e familjen Clinton.


Pak metra më tutje nga statuja e Bill Clintonit, vitrina e një dyqani mban emrin Hillary. Është një butik me veshje për gra, që shet kostume të stilit Hillary Clinton, veshje zyrtare dhe për raste të veçanta. Pronarja, Elda Morina, është një tifoze e madhe e znj. Clinton.

“Ajo ka një stil klasik, praktik, por elegant”, thotë ajo për DW. “Por gjithashtu i përmbahet karakterit të saj: një grua e fortë, një frymëzim i vërtetë.”

Gjatë luftës së Kosovës në fund të viteve 1990, ishte Amerika nën drejtimin e presidentit Bill Clinton që u angazhua për çështjen e Kosovës me një ndërhyrje ushtarake kundër Serbisë. SHBA-ja, qysh atëherë, vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e aj për pavarësinë.

Grupe studentësh kalojnë çdo ditë gjatë rrugës për në universitet pranë statujës së Clintonit. Besa, një 20 vjeçare, studente për matematikë, thotë, se ajo është krenare që ka një statujë të tillë në qytetin e saj.

“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë”, thotë ajo. “Ai na ndihmoi ne të jemi të lirë, kur në Kosovë ishte luftë. Tani edhe ne mund të festojmë 4 korrikun. Ne e duam shumë Amerikën.”

Besa i ka ndjekur me vëmendje zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhja e Trumpit e ka lënë atë dhe të tjerët në një gjendje tensioni dhe pritjeje.

“Ne druhemi nga Donald Trumpi, se ai mund të bëjë ndryshime që nuk janë të mira për Kosovën”, i thotë ajo DW-së.

Kosova është ende në procesin e rikuperimit nga një konflikt ende larg të qenit i zgjidhur. Kur Kosova u përpoq të shkëputej nga Jugosllavia, pasoi një konflikt brutal. Konflikti u zhvillua mes Ushtrisë të ish-Jugosllavisë (sot Serbia) dhe forcave të shqiptarëve të Kosovës të organizuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në mars 1999, pas vite luftimesh, SHBA-ja drejtoi ndërhyrjen e NATO-s kundër Sllobodan Millosheviqit. Operacioni i bombardimeve të NATO-, që zgjati tre muaj, e detyroi Millosheviqin të tërheqë trupat nga Kosova dhe kështu iu dha fund luftës. Që atëherë, trupat e NATO-s janë në Kosovë në misionin paqeruajtës të KFOR-it.

Kosova deklaroi në mënyrë unilaterale pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008. Serbia ende e konsideron Kosovën provincë të saj, por sot Kosovën e kanë njohur 113 vende anëtare të OKB-së. Këshilli i Sigurimit nuk e ka njohur sovranitetin e Kosovës për shkak të vetos së Rusisë dhe të Kinës kundër pavarësisë dhe në mbështetje të Serbisë. Shumë mendojnë tani se me zgjedhjen e Trumpit do të shuhet dhe shpresa për mundësinë e njohjes zyrtarisht të pavarësisë nga OKB-ja.

“Arsyeja përse kemi qenë të suksesshëm ndërkombëtarisht ka të bëjë me angazhimin aktiv të SHBA-veë”, thotë Agron Demi, analist politik në GAP, i cili druhet se mbështetja nga SHBA-të do të ndryshojë kur Trumpi të jetë president. “Ka shumë njerëz, duke më përfshirë edhe mua, që mendojnë se do të jetë më e vështirë për Kosovën nën presidencën Trump. Demokratët gjithmonë e kanë mbështetur çështjen e Kosovës. Ne kemi nevojë për këtë mbështetje, por tani me Trumpin duaj se nuk do ta kemi atë.”

Një pjesë e kësaj frike mund të shpjegohet me praninë e NATO-s në Kosovë. Gjatë fushatës presidenciale, Trump deklaroi se Amerika nuk do të vazhdojë të mbrojë aleatët e saj në NATO nëse një gjë e tillë do të kërkojë rritje e shpenzimeve ushtarake për Aleancën. Në fillim të kësaj jave, ai e quajti NATO-n si të “jashtë kohe”, duke shkaktuar me këtë deklaratë pasiguri të mëtejshme.

Kosova nuk ka një Ushtri të vetën dhe është e varur nga NATO-ja për mbrojtjen e kufijve të saj. Në veri të Kosovës, shumica e qytetarëve janë serbë që përbëjnë pesë për qind të popullsisë. Ndarja e vendit është e dukshme në qytetin e Mitrovicës, ku ura mbi lumin Ibër ndan faktikisht shqiptarët nga serbët.

Dhjetëra posterë me Trumpin janë afishuar në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit dhe në to shprehet mbështetja e serbëve për të.

“Njerëzit në veri shpresojnë që Trumpi do t’u ndihmojë atyre ta bëjë sërish Kosovën pjesë të Serbisë”, thotë Demi. “Kjo është shqetësuese dhe në dëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.”

Prishtina dhe Beogradi janë angazhuar në procesin e negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian qysh nga viti 2011, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Por, raportet midis dy shteteve janë përkeqësuar pas arrestimit në Francë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, bazuar në një fletarrest nga Serbia. Një tjetër acarim shkaktoi edhe treni i nisur nga Serbia në relacionin Beograd-Mitrovicë dhe i dekoruar me parullën në 21 gjuhë se “Kosova është Serbi”. Treni u ndalua pak para se të arrinte në kufi, urdhër të kryeministrit të Serbisë, i cili besonte se shqiptarët e Kosovës kishin planifikuar sulm.

Zyrtarët kosovarë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndryshimin e pushtetit në SHBA. Sidoqoftë, presidenti Hashim Thaçi e uroi zyrtarisht Trumpin pas fitores në zgjedhje.

“Miqësia e përhershme mes vendeve dhe popujve tanë është baza mbi të cilën ne do të vazhdojmë ta thellojmë bashkëpunimin bilateral”, është shprehur Thaçi.

Trumpi ende nuk e ka komentuar politikën ndaj Kosovës dhe Ballkanit.

“Askush nuk e di se çfarë do të bëjë Trumpi”, konkludon Demi duke shtuar se “mund të presim dhe të shpresojmë që marrëdhëniet tona nuk do të ndryshojnë për keq.”

Pronarja e butikut Hillary, Elda Morina, është e zhgënjyer që Hillary Clinton nuk u bë presidentja e parë grua e SHBA-së. Por, ajo thotë se e respekton vendimin e amerikanëve.

“Nëse Amerika ndihet mirë me Trumpin, është mirë edhe për ne”, thotë ajo. “Ne i duam pa kushte amerikanët.”

Në trend Lajme

Më shumë
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

Politikë
Cilat ishin gjetjet e Themelores nga mbrojtja e të akuzuarve në rastin e “53-milionëshit”?

Cilat ishin gjetjet e Themelores nga mbrojtja e të akuzuarve në rastin e “53-milionëshit”?

Drejtësi
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Lajme
Votimi në veri, KQZ: 1,461 votues më shumë se në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023

Votimi në veri, KQZ: 1,461 votues më shumë se në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023

Lajme
Kalo në kategori