LAJMI I FUNDIT:

Kosova anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive të Kulturës

Kosova anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive të Kulturës

Kosova anëtarësohet edhe në një mekanizëm ndërkombëtar kulturor. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë konfirmimin për anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive të Kulturës (IFACCA) i cili është rrjet global i këshillave të artit dhe ministrive të kulturës, me organizatat anëtare në mbi 70 vende.


Rolin kryesor bartës në procesin e këtij anëtarësimi e ka pasur Task-Forca për anëtarësim të Kosovës në Institucionet/Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtarësimin në IFACCA e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm ngase mundëson qasjen në një rrjet ndërkombëtar është i dedikuar në përmirësimin dhe zhvillimin e politikave kulturore, krijimin e fondeve të artit, zhvillimin e audiencës dhe qasjes publike në arte.

“Anëtarësimi në fjalë do të shërbejë në krijimin dhe zhvillimin e politikave më të mira në fushën e artit e të kulturës në Kosovë dhe në promovimin e aktiviteteve kulturore përbrenda vendit dhe në skenën ndërkombëtare. Anëtarësimi do të mundësojë edhe shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet tjera anëtare”, thuhet në njoftim.

IFACCA është themeluar në vitin 2000 dhe ka selinë në Sidnej të Australisë. Misioni i kësaj federate ka të bëjë me krijimin e bashkëpunimit efikas dhe afatgjatë në sektorin e artit e të kulturës mes shteteve anëtare me qëllim të ndarjes së njohurive dhe përvojave për të zhvilluar dhe forcuar këtë fushë duke forcuar partneritetin dhe nxitur dialogun.

Ndër aktivitetet e shumta që organizon kjo federatë, mban edhe Samite të ashtuquajtura “të shkallës së vogël” ashtu sikurse samiti i fundit botëror i organizuar në Valletta të Maltës (18-21 tetor 2016).

Ndërkaq, kujtojmë se themelimi i Task-Forcës është propozim i MKRS-së të cilën Qeveria e ka miratuar më 1 qershor të 2016-6ës dhe përbëhet nga përfaqësues të: Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues; Presidencës, Kryeministrisë, Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Integrimeve Evropiane, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur.  /Telegrafi/