LAJMI I FUNDIT:

Kongresmeni Amerikan: Presim qeveri stabile në Kosovë

Kongresmeni Amerikan: Presim qeveri stabile në Kosovë
-->

Kongresmeni amerikan, Matt Gaetz, bashkë me një grup kongresmenësh, ishte në një turne ballkanik nga Turqia nëpër Greqi, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, kurse nga dhoma e Kongresit në Washington, ka  shprehur përshtypjet e tij për këtë vizitë.

Ai flet për politikën sigurinë dhe ekonominë e rajonit, duke dalë i shqetësuar me politikat dhe ndryshimet e imponuara të Recep Tayyip Erdogan në Turqi, i cili, sipas Gaetz, është duke shtruar ndikim destruktiv në gjithë Ballkanin, sidomos në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Jam gjithnjë e më i shqetësuar se Erdogani po ka një ndikim shumë destruktiv në Ballkan dhe përgjatë Evropës. Në Turqi, qeveria po merr masa të ashpra për ta riformuar mënyrën qeverisjes dhe se si e shohin islamin në vend, duke e bërë kështu sistemin më pak gjithëpërfshirës e më shumë autokratik”, ka thënë Gatez, për gazetametro.net

“Turqia e Erdoganit duhet të siguroj Shtetet e Bashkuara (SHBA) se koncepti i një islami politik të mos imponohet në vendet si Kosova, Maqedonia dhe Bosnja”, shprehet Gatez.

Kongresmeni Amerikan thotë se është pak e çuditshme se pak ditë para arritjes në Kosovë, ra qeveria në Prishtinë, por siç shprehet Gaetz, Kosova e ka një borxh ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe popullit të vet.

“SHBA’ja vazhdon të jetë e interesuar në Kosovën, pasi shumë amerikanë kanë paguar për lirinë e Kosovës. Ne presim që nga zgjedhjet e ardhshme të sigurohet një qeveri stabile, gjykata të forta dhe të drejta si dhe fuqizim i sundimit të ligjit, të drejta të plota në pronën private dhe një shtyp të lirë”, thekson Gaetz.

Ajo çka i kishte lënë përshtypje kongresmenit Gaetz, është që Kosova siç e quan ai, është një Arabi Saudite e thëngjillit, pra një vend me shumë resurse thëngjilli dhe po pengohet të shfrytëzoj këto resurse nga lobimet e disa fondacioneve si ajo e miliarderit Soros, dhe fonde të tjera nga Evropa.

Sipas kongresmenit Gaetz, pavarësimi Energjetik i Kosovës është i rëndësishëm, sepse largohet nga influenca e energjisë ruse, dhe këtë nuk duhet ta pengoj lobimet e ndryshme.

“Pavarësimi i Kosovës në energji është i rëndësishëm, sepse tepër shumë shtete janë të varura nga energjia ruse, gjë që ka ndikim negativ në politikat e tyre. Pavarësimi Energjetik përpos kësaj është interes jetik për zhvillimin e ekonomisë,  dhe një Kosovë më të sigurt”, përfundon Gaetz në intervistën për gazetametro.net.