LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Mitrovicës subvencionon fermerët me 200 koshere bletësh

Komuna e Mitrovicës subvencionon fermerët me 200 koshere bletësh

Në kudër të realizimit të projekteve dhe planeve zhvillimore në sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Komuna e Mitrovicës realizoi projektin “Subvencionimi i fermerëve me koshere bletësh”.

“Në kuadër të këtij projekti kanë përfituar gjithsej 50 fermerë, të cilëve u janë dhurua nga 4 koshere bletësh. Realizimin e këtij projekti e ka ndihmuar edhe shoqata e bletarëve “Poleni”, duke ofruar të dhëna dhe statistika për gjendjen e sektorit të bletarisë në komunën e Mitrovicës.

Në takimin e mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës, me rastin e nënshkrimit të kontratave nga ana e bletarëve, kryetari i Komunës Agim Bahtiri dhe Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (DBZHR), z. Nasuf Aliu i informuan fermerët për investimet që komuna ka bërë dhe do të bëjë në të ardhmen në sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në njoftimin për media.

Bahtiri tha se investimet në sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë një ndër prioritetet e zhvillimit ekonomik të Komunës së Mitrovicës, andaj edhe Komuna vazhdimisht do të mbështesë dhe do ti rrisë investimet në sektorin e bujqësisë, duke i mbështetur fermerët përmes subvencioneve dhe grandeve.

Ndërsa Drejtori Aliu falënderoi kryetarin e Komunës, stafin e drejtorisë, shoqatën e bletarëve Poleni dhe fermerët për punën dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti. Ai tha se DBZHR në bashkëpunim me donatorë ka realizuar një numër të madh të projekteve në mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ku janë ndihmuar pothuajse të gjithë sektorët.

Po ashtu ai theksoi se DBZHR do të vazhdoj të bashkëpunoj ngushtë me fermerët, shoqatat e fermerëve, institucionet relevante, organizatat qeveritare dhe jo qeveritare për të qenë vazhdimisht në rrjedha dhe në shërbim të fermerëve dhe qytetarëve.

Aliu edhe njëherë theksoi se DBZHR ka për qëllim që përmes subvencioneve, grandeve, trajnimeve, shërbimeve këshillimore të krijon kushte të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, agrobiznesit dhe agro-turizmit, ku përmes investimeve direkte dhe indirekte të krijohen vende të reja të punës dhe të hyra familjare në zonat rurale./Telegrafi/

unnamed (4)