LAJMI I FUNDIT:

Kompensohen dëmet e fermerëve‏

Kompensohen dëmet e fermerëve‏

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) edhe në këtë vit i ka përkrahur fermerët që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi dhe blegtori. Dyqind e tetëdhjetë e tetë fermerë që i kanë pasur të kompletuara raportet rreth dëmeve të sivjetme, janë përkrahur me 154.500 euro.

Kjo përkrahje, sipas ministrit Blerand Stavileci, është bërë për t’ju ndihmuar sadopak në humbjet që ata kanë pësuar nga fatkeqësitë natyrore. “Jemi munduar t’ju dalim në ndihmë fermerëve që kanë pasur dëme nga fatkeqësi të ndryshme. Bujqësia qëndron në varshmëri të madhe me faktorët klimatik dhe për t’i përkrahur edhe në këtë aspekt, që të vazhdojnë përsëri me veprimtari bujqësore, sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit ne ua kemi kompensuar dëmet deri në një masë të caktuar”, tha ministri Stavileci.

Ai shtoi se në të ardhmen do të krijojnë një fond të veçantë për sigurimin e kulturave bujqësore dhe se vitin e ardhshëm planifikojnë t’i fillojnë negociatat me kompanitë e sigurimit për krijimin e linjave të veçanta për sektorin e bujqësisë.


Fermerët e kompensuar thonë se kjo mbështetje ua ka lehtësuar humbjet që kanë pasur nga dëmet e shkaktuara prej fatkeqësive.

Njëri prej të kompensuarve është edhe kultivuesi i perimeve, Bedri Vitia, nga fshati Vushtrricë i komunës së Graqanicës. Ai thotë se përmes kësaj mbështetje, ka arritur që sadopak t’i mbuloj dëmet e shkaktuara nga bora e këtij fillim viti. “Gjatë këtij viti kam pasur dëme të konsiderueshme nga bora e madhe, e cila ma shkatërroi serrën që e kisha ndërtuar para disa viteve. Por tash me kompensimin në vlerë prej 2200 që e kam marrë nga Ministria e Bujqësisë, edhe pse jo sa jam dëmtuar, kam arritur që sadopak t’i kompensoj këto dëme që kisha në serrë”, thotë Vitia.

Vlera e tërësishme e dëmeve që ju kanë shkaktuar këtyre 288 fermerëve nga fatkeqësitë natyrore ka qenë 219.700 euro. /Telegrafi/