LAJMI I FUNDIT:

Koalicioni, “ikje” nga realiteti

Koalicioni, “ikje” nga realiteti

Koalicioni i mundshëm qeverisës në mes të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe takimet “sekrete” të herëpashershme të liderëve të këtyre dy partive, janë të orkestruara nga Qeveria e Kosovës madje me qëllimin e vetëm – tërheqjen e vëmendjes nga problemet madhore.

Të paktën kështu e përshkruajnë analistët politikë sjelljen e partive të dala nga lufta prej momentit që në Kosovë ka arritur lideri i Aleancës, Ramush Haradinaj, i shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, shkruan “Zëri”.

Në kohën kur “top-temë” e medieve është bashkëqeverisja e mundshme, Kosova është duke kaluar nëpër procese shumë të rëndësishme, ndërsa skandalet e njëpasnjëshme s’kanë të ndalur.


Skandali i pasaportave, skandali i përgjimeve telefonike, bisedimet me Serbinë nga të cilat veriu mund të “përfitojë” status special, arratisja e ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për të mos e vuajtur dënimin, ikja po ashtu e të dënuarve nga gjykimi “Bllaca 2”, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, janë vetëm disa nga temat aktuale të cilat pothuajse kanë mbetur nën hijen e koalicionit. /Telegrafi/