LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve: Një numër i prodhuesve vendorë përdorin vajin e palmës

Klubi i Prodhuesve: Një numër i prodhuesve vendorë përdorin vajin e palmës

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK), ka reaguar rreth përdorimit të vajit të palmës në disa produkte të qumështi, ku thotë se ky vaj shkakton probleme. Sipas këtij klubi vaji i palmës përdoren nga një numër i kufizuar i prodhuesve vendor. Sipas KPK-së institucionet duhet të ndërmarrin disa masa.

Reagimi i Plotë i KPK-së.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) ka përcjellë me vëmendje diskutimet e kohëve të fundit në medie rreth çështjes së produkteve të qumështit me përmbajtje bimore, përkatësisht të atyre me përmbajtje të vajit të palmës. KPK-ja ka analizuar në hollësi praktikat e vendeve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje me synim të gjetjes së modaliteteve dhe sugjerimeve për të evituar çdo paqartësi që mund të ketë në opinionin publik rreth kësaj teme si dhe për shkak të rëndësisë së mbrojtjes së konsumatorit.

Debati mbi efektet potenciale të konsumit të vajit të palmës në shëndetin e konsumatorit është duke ndodhur edhe në Bashkimin Evropian. Si rrjedhojë ka shtyrë Komisionin Evropian (KE) që t’i drejtojë një kërkesë për të realizuar një ‘analizë shkencore‘ Autoritetit Evropian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA). Bazuar në gjetjet e EFSA-së është konstatuar se konsumi i produkteve me përbërje të vajit të palmës, sidomos tek moshat e reja, paraqet një ‘shqetësim të theksuar shëndetësor’ mbi ekspozimin ndaj substancave me përbërje të vajit të palmës në shëndetin e konsumatorit.

Pas mendimit të EFSA-së, Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së kanë filluar të punojnë në gjetjen e mundësive dhe të masave rregullatore për të reduktuar ekspozimin e konsumatorëve ndaj produkteve me vaj palme.

Në Kosovë një numër i madh i produkteve të importuara nga sektori i qumështit dhe një numër i kufizuar i prodhuesve vendorë, përdorin vajin e palmës si pjesë integrale e prodhimit të tyre. Kjo ka shkatuar huti dhe pasiguri tek konsumatorët. Andaj, duke u shqetësuar për efektet e mundshme ndaj konsumatorit, KPK-ja kërkon nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin këto masa.

1. Institucionet e Republikës së Kosovës të fillojnë dhe të punojnë në miratimin e masave që do ta rregullojnë ekspozimin e konsumatorëve ndaj këtij produkti duke iu referuar praktikave të shteteve të BE-së. Ndërkohë, të rriten kontrollet në mënyrë që të parandalohen, identifikohen dhe te evitohen praktikat tregtare ku vaji i palmës mund të jetë një ‘përbërës i fshehur’ dhe i padeklaruar. Për KPK-në është jetike, që me çdo kusht të mbrohet siguria dhe shëndeti i konsumatorit.

2. Deklarimi dhe emërtimi i ushqimit: ekzistojnë raste ku vaji i palmës është paraqitur me emrin gjenetik si vaj bimor. Në bazë të ligjeve në fuqi (Ligji për mbrojtjen e konsumatorit si dhe Ligjir për ushqimin), ushqimi i cili është plasuar në tregun e Kosovës duhet ta ketë deklaratën. Deklarata nënkupton të gjitha shenjat e shkruara, emërtimin tregtar, shenjën mbrojtëse, emërtimin e markës, paraqitjen e fotografive ose simbolin, i cili i referohet ushqimit dhe vendosët në ambalazh, etiketën ngjitëse ose të varur dhe informatat të cilat e përcjellin ose i referohen atij ushqimi. Deklarata duhet të jetë e shkruar në mënyrë të dukshme, si dhe duhet të jetë e lexueshme dhe e kuptueshme. Andaj, produktet të cilat përmbajnë vaj palme duhet të kenë të shkruar në deklaratën e tyre këtë përbërje.

3. Ndarja në pozicionimin e produkteve të qumështit dhe atyre me përmbatje bimore, sidomos të vajit të palmës. Identifikimi transparent do të kishte impakt pozitiv në informimin e drejtë të qytetarëve për konsumin e produkteve që i blejnë në baza ditore. Pozicionimi i produkteve të qumështit me përmbajtje bimore e sidomos me përmbajtje të vajit të palmës në pikat e shitjës me shumicë dhe pakicë duhet të rregullohet sipas praktikave të BE-së. Në këtë rast, këshillohet të ketë ndarje të qartë të hapësirës pozicionuese në mënyrë që konsumatori të jetë i informuar drejtë për përmbajtjën e produktit dhe të mos ndikohët në blerjet e tij.

Duke marrë parasysh që KPK-ja ka punuar dhe është duke punuar në vazhdimësi në vetëdijsimin e qytetarëve për kualitetin e prodhimeve vendore, ne besojmë që adresimi dhe zgjidhja e shpejtë e këtyre sfidave do të parandalon ndikimin e padëshiruar në imazhin e produkteve vendore. Ne besojmë që produktet e Kosovës janë cilësore dhe konsumatorët do të vazhdojnë t’iu besojnë dhe t’i konsumojnë në baza ditore. /Telegrafi/