LAJMI I FUNDIT:

Kina deporton “spiunen” amerikane

Kina deporton “spiunen” amerikane

Biznesmenia amerikane Sandy Phan-Gillis, e cila është dënuar për spiunim në Kinë, është deportuar në SHBA pas vendimit të gjykatës kineze, transmeton BCC.

Phan-Gillis është dënuar të martën me tri vjet e gjysmë heqje lirie, por ajo nuk do të qëndrojë në burg. Ajo tashmë ka qëndruar dy vjet e gjysmë në paraburgim para se të fillonte gjykimi.


E lindur në Vietnam, por me origjinë nga Kina, Phan-Gillis u arrestua në mars të vitit 2015 derisa po udhëtonte për në Kinë me një delegacion afaristësh nga Teksasi.

Bashkëshorti i saj, Jeff Gillis ka bërë të ditur se Kina ka akuzuar gruan e tij se ka vizituar dy herë këtë shtet për misione spiunimi në vitin 1996 dhe se ka bashkëpunuar me FBI-në për kapjen e dy spiunëve kinezë në SHBA.

Phan-Gillis është ruajtur në një lokacion sekret gjashtë muaj dhe më vonë është dërguar në qeli të vetmisë. Ajo ka lëshuar Kinën dhe tashmë ka arritur në Los Anxhelos.

Pas kthimit të Sandy (57) janë ulur tensionet ndërmjet SHBA dhe Kinës, ndërsa negociatat për lirimin e saj janë intensifikuar me rastin e vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit Rex Tillerson në Kinë, në mars të këtij viti.