LAJMI I FUNDIT:

Këta ish-zyrtarë të lartë mbesin barrë e rëndë për buxhetin e shtetit

Këta ish-zyrtarë të lartë mbesin barrë e rëndë për buxhetin e shtetit

Zyrtarët e lartë shtetërorë janë duke përfituar paga të majme edhe pas përfundimit të mandatit. Paga të majme, zyre, asistent e shofer u garanton atyre Ligji për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, i miratuar në vitin 2008.

“Ish-funksionarët e lartë që kanë ushtruar së paku gjashtë muaj njërin nga funksionet e përcaktuara në nenin 2 pika 3 të këtij ligji, e fitojnë statusin e ish-funksionarit të lartë për të realizuar pagë mujore në lartësi prej 70% të pagës aktuale të funksionit përkatës”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 3 të Ligjit për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë si dhe ndryshim-plotësimi i këtij ligji.

Kur ishte miratuar Ligji për herë të parë në vitin 2008, lista e zyrtarëve që përfitonin pas përfundimit të mandatit ishte e shkurt.

“Një ish Zyrtar i Lartë” sipas këtij ligji Ish-funksionarë të lartë të Republikës së Kosovës konsiderohen: ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Kryeministri dhe ish Kryetari i Gjykatës Supreme”, thuhet në paragrafin e tretë të nenit 2 të Ligjit për Ligji për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, i miratuar në vitin 2008.

Por, kjo listë është zgjeruar në vitin 2011, me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, përkatësisht nenin 2 të ligjit bazik.

“Ish Zyrtar i Lartë” sipas këtij ligji konsiderohen: ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Kryeministri, ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish Kryeprokurori i Shtetit dhe ish Kryetari i Gjykatës Supreme”, thuhet në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përfitimin e Ish-zyrtarëve të lartë.

E paragrafi i tretë i nenit 3 i parasheh rastet kur një ish-zyrtar i lartë privohet nga përfitimet.

“Një përfitim i tillë nuk paguhet nëse ish- Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti Konsoliduar i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të Institucionit Përgjegjës”, thuhet në paragrafin e tretë të nenit 3.

Ky nen e lë pa përfitime shtesë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, pasi ai ka një pagë më të lartë si president se sa që kishte sa ishte kryeministër.

Ish-funksionarët që nuk marrin pagë prej buxhetit të konsoliduar të shtetit, marrin 70% të pagës aktuale. Përveç pagës, ata kanë edhe përfitime të tjera.

“Pavarësisht nga ligjet e shërbimit civil, institucioni përgjegjës i siguron ish-funksionarit të lartë një asistent të lartë, vozitësin dhe një truprojë”, thuhet në paragrafin e katër të nenit 3.

Përveç veturës, shoferit e truprojës, një ish-zyrtar i lartë u mbulohen edhe disa shpenzime të tjera.

“Një Institucion Përgjegjës siguron për secilin ish Zyrtar të Lartë një hapësirë të përshtatshme zyre të mobiluar dhe të pajisur. Shpenzimet e komunikimit (p.sh: telefoni, interneti) nuk kalojnë shumën 1200 euro në vit”, thuhet në paragrafin e 7 të nenit 3 të Ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë.

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani merr pagën si profesor i rregullt i Universitetit të Prishtinës, por ai gjithashtu përfiton edhe si ish udhëheqës i Gjykatës Kushtetuese.

Paga e tij bazë si profesor i rregullt i UP-së është 1429.54 euro, ndërsa si ish zyrtar ai merr tani 6736.32 euro neto në vit.

“Shuma që Gjykata Kushtetuese i paguan ish-kryetarit Hasani, si ish-zyrtar i lartë, është 6,736.32 euro (neto) në vit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Përkthyer në pagë mujore, duke e pjesëtuar me 12 muaj të vitit, i bie që Enver Hasani merr 561.36 euro.

Gjykata Kushtetuese nuk është përgjigjur nëse Hasani i shfrytëzon edhe përfitimet tjera që ia mundëson Ligji, siç janë zyra, shoferi dhe shpenzime të tjera.

Ish kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani i cili kishte dhënë dorëheqje nga i pari i kësaj Gjykatë vetëm 1 muaj para përfundimit të mandatit, do të marrë 70 % të pagës bazë, që është 1443 euro.

Fejzullah Hasani ka kalkuluar mirë, para se të merrte këtë vendim. Ai për KALLXO.com pati thënë që nuk do të kthehet si gjykatës në Supreme, për shkak se do të përqendrohet në punën e tij në fakultet. Nëse ai do të kthehej për të punuar si gjykatës, do ta merrte pagën e një gjyqtari, ndërsa tash ai e merr pagën e ish-kryetarit, duke mos e ushtruar profesionin.

Edhe në Gjykatën Supreme kanë thënë se përgjigjet duhet të kërkohen në Ligj, por nuk kanë saktësuar nëse Fejzullah Hasani i shfrytëzon të gjitha privilegjet.

“Lidhur me pyetjet e parashtruara se kush përfiton, çka përfiton dhe kush e gëzon statusin e ish Funksionarit , shikoni Ligjin nr. 03/L001 të R.K.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme të dërguara përmes administratores, Ajna Gashi.

Gazeta JnK ka kërkuar sqarime nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për përfitimet që i gëzon ish-kryeprokurori, Ismet Kabashi.

“Ish-kryeprokurorit të Shtetit i takojnë përfitimet e ish-zyrtarit të lartë, sipas nenit 3 të Ligjit Nr. 03/L-001 Për Përfitimin e Ish Zyrtarëve të Lartë”, tha Ekrem Lutfiu zëdhënës në Këshillin prokurorial të Kosovës.

Përveç 70% të pagës ish-kryeprokurorit të shteti, Ismet Kabashit, i takon edhe zyre, një shofer dhe një truprojë. Gjithashtu, i takojnë edhe shpenzime prej 1,200 euro për internet, telefon dhe shpenzime të tjera për komunikim.

Në Kuvendin e Kosovës, është ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ai që merr pension. Paga e tij si ish-kryetar është me lartë se sa e deputetëve aktual. Ai merr plotë 1627.5 euro pagë bruto si dhe 333.64 euro si pagesë për përvojën e punës.

Jakup Krasniqi që tani është kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-s, në 2014 ishte kandidat në listën për deputet, ku kishte marrë votat e mjaftueshme për të ulur në karrigen e deputetit. Ai kishte qenë personi i dytë më i votuar në NISMA, me 18,613 vota. Vetëm kreu i partisë, Fatmir Limaj kishte marrë vota më shumë se ai. Megjithatë, Krasniqi hoqi dorë nga ulësja e deputetit, duke vazhduar të përfitojë si ish zyrtar i lartë. Si deputet i Kuvendit të Kosovës ai do të merrte pagë bazë prej 1448 euro, ndërsa si ish kryetar paga e tij është më e madhe për 179 euro.

Heqja dorë e Jakup Krasniqit nga pozita e deputetit e rëndoi buxhetin e Kuvendit, meqë një deputet që mori ulësen në vend të tij, tani merr pagë të plotë.

Përveç pagës, ish zyrtarët e lartë kanë edhe benefite tjera. Atyre u takon një zyre e mobiluar, një asistent i lartë, një truproje dhe 1 shofer që zgjedhën direkt nga ish zyrtari.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi në një përgjigje për Gazetën JnK ka treguar se sa paguhen këta.

“Një asistent i lartë, një vozitës dhe një truprojë, të cilët zgjedhën nga ish Kryetari i Kuvendit dhe paguhen sipas legjislacionit për shërbimin civil, në shumë prej 638€ në muaj secili”, ka thënë Krasniqi për Gazetën JnK.

Ligji ua garanton edhe një zyrë edhe 1200 euro në vit për mbushje të telefonit dhe internetit.

“Një Institucion Përgjegjës siguron për secilin ish Zyrtar të Lartë një hapësirë të përshtatshme zyre të mobiluar dhe të pajisur. Shpenzimet e komunikimit (p.sh: telefoni, interneti) nuk kalojnë shumën 1200 euro në vit”, thuhet në pikën 3.7 të nenit 3 të Ligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë.

Por si ish kryetar i Kuvendit nuk marrin pagë Nexhat Daci dhe Kolë Berisha, ani pse që të dytë kanë parashtruar kërkesë për t’i realizuar këto përfitime.

Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit ka thënë se ligji për përfitimet e ish zyrtarëve të lartë ka hyrë ne fuqi më 1 gusht 2008. Ai tha se në kohën kur ish kryetarëve të Kuvendit u ka pushuar ushtrimi i funksionit të kryetarit të Kuvendit, nuk ka pasur ligj që ka rregulluar këtë çështje.

“Dispozitat e Ligjit për përfitimet e ish zyrtarëve të lartë, nuk e kanë rregulluar statusin e ish zyrtarëve të lartë që e kanë ushtruar funksionin e Kryetarit të Kuvendit para hyrjes në fuqi të këtij ligji, përkatësisht dispozitat e ligjit aktual nuk parashohin veprim prapaveprues për përfitimet e ish zyrtarëve të lartë”, tha Krasniqi për Gazetën JnK.

E njëjta vlen edhe në Qeverinë e Kosovës. Ani pse Kosova ka plot 5 ish-kryeministra që nga paslufta, asnjë prej tyre nuk përfiton si ish-zyrtar pasi ligji nuk ka fuqi retroaktive. Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për Gazetën JnK.

“Aktualisht nga Zyra e Kryeministrit nuk kemi asnjë përfitues si ish zyrtar i lartë, duke u bazuar në ligjin për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Kryeministrit dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas ZKM-së, Ish-Kryeministri Thaçi nuk mund t’i gëzojë këto përfitime për shkak të pozitës që ka tani.

“Ish Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e realizon këtë përfitim monetar pasi që aktualisht mban pozitën e Presidentit të Kosovës”, vazhdon përgjigja e tyre.

Katër ish-kryeministrat e tjerë, Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku e kanë fatin e dy ish krye kuvendarëve, Dacit e Berishës, të cilët nuk i gëzojnë këto për shkak se ky ligj ka hyrë në fuqi, atëherë kur këtë të fundit veçse kanë përfunduar mandatin e tyre. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Deklaratat kërcënuese të Vuçiqit, reagon Sanduloviq: Kam paralajmëruar se kjo do të ndodh, por BE-ja dhe ShBA-të nuk më dëgjuan

Deklaratat kërcënuese të Vuçiqit, reagon Sanduloviq: Kam paralajmëruar se kjo do të ndodh, por BE-ja dhe ShBA-të nuk më dëgjuan

Lajme
Ndërron jetë ish-shefi i sigurimit të Thaçit, Xhavit Ferizi - Raketa

Ndërron jetë ish-shefi i sigurimit të Thaçit, Xhavit Ferizi - Raketa

Lajme
QKSS: Çfarë është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?

QKSS: Çfarë është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?

Lajme
Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Deklarimet e Vuçiqit për luftë, deputeti gjerman i reagon ashpër Borrellit e Lajçakut, po e akuzoni Kurtin pa arsye

Politikë
Pak para takimit në Bruksel për çështjen e dinarit serb, Lekaj e Statovci japin qëndrimet e tyre

Pak para takimit në Bruksel për çështjen e dinarit serb, Lekaj e Statovci japin qëndrimet e tyre

Elfije Boletini
Policia në kërkim të Shkelzen Ahmetit nga Gjakova, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij

Policia në kërkim të Shkelzen Ahmetit nga Gjakova, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij

Lajme
Kalo në kategori