LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që 20 shkurti të jetë “Dita e Minatorëve të Kosovës”

Kërkohet që 20 shkurti të jetë “Dita e Minatorëve të Kosovës”

Me rastin e 28 vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, e cila shënon epopenë e lavdishme të minatorëve, jo vetëm të “Trepçës”, por të tërë Kosovës, sot në Stantërg u mbajt manifestimi qendror “Java e Minatorëve”, ku u kërkua që 20 shkurti të zyrtarizohet si Dita e minatorëve të Kosovës.

Në këtë manifestim, përveç minatorëve dhe mysafirëve të shumtë ishin edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, zëvendës ministra, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përfaqësues të Sindikatës së minatorëve të Shqipërisë etj.


Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm i Trepçws, u shpreh të jetë krenar për trashëgimin që lanë gjenerata të tëra të minatorëve.

Sipas tij, greva e vitit 1989 ishte goditja më e madhe ndaj okupatorit. “Fati i minatorëve ishte fati i vetë popullit gjatë tërë historisë, të gatshëm për sakrificë në çdo kohë për interes kombëtar. Kjo u dëshmua më së miri gjatë vitit 1989, atëherë kur ndodhi goditja më e madhe e okupatorit që kulmoi më vonë edhe me UÇK-në dhe me çlirimin definitiv të vendit. Kjo lavdi na bënë me përkulje të respektojmë të gjithë ata që konribuuan për këtë ditë. Lavdia e së kaluarës do të jetë frymëzim për të ndërtuar vendin”, ka thënë Tmava.

Drejtori i minierës me flotacion, Qazim Jashari, pasi foli për gjendjen aktuale të kësaj miniere, tha se greva e atëhershme ishte veç tjerash edhe vazhdimësi e përpjekjeve të gjeneratave të tëra të popullit shqiptar për bërjen e shtetit të Kosovës.
“Greva e minatorëve e vitit 1989 ishte vazhdimësi e përpjekjeve brez pas brezi të popullit shqiptar për bërjen e shtetit të Kosovës dhe inspirim për të gjithë brezat që do të vinë për realizimin përfundimtar të këtyre përpjekjeve”, theksoi Jashari.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Pavarur të minatorëve të Trepçës, duke folur për shkeljen e të drejtave të minatorëve sot, ka përmendur edhe gjashtë kërkesa, në mesin e të cilave kërkoi që formimin e Bordit mbikëqyrës të Trepçës, i cili do të përbëhej prej ekspertëve dhe jo prej njerëzve të ndikuar politikisht.

“Pas 18 vitesh nga lufta të drejtat tona shkelen në forma të ndryshme. Ndër kërkesat e minatorëve janë, ligji i pensioneve dhe invalidëve, të numërohet stazhi i punës nga vitet 90-ta e tutje, të respektohet ligji i punës dhe të zbatohet kontrata kolektive, të ndalohet korrupsioni dhe nepotizmi, të zyrtarizohet 20 shkurti festë shtetërore Dita e minatorëve të Kosovës”, tha ai
Kurse, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka apeluar tek qeveritarët që të mos ndikojnë politikisht për përbërjen e menaxhmentit të Trepçës, sepse këtij menaxhmenti tani i duhen kuadro dhe ekspertë që çojnë proceset përpara në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Mos të merren secili me menaxhmentin e Trepçës tani duke u shtyrë njëri me tjetrin, sepse nuk i duhet, neve na duhen kuadro të mira të cilat çojnë proceset përpara dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur, sepse Trepça ka nevojë për këtë”, ka thënë Bahtiri.

Ndryshe, para 28 viteve, rreth 1300 minatorë të Trepçës kishin hyrë në grevë të urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu zhbërjen e Jugosllavisë së atëhershme. /Telegrafi/