LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet pakt kombëtar: Të shpallet arsimi i paprekshëm nga politika

Kërkohet pakt kombëtar: Të shpallet arsimi i paprekshëm nga politika

Kërkohet një pakt kombëtar për sektorin e arsimit. Ky pakt, duhet të shpallë arsimin të paprekshëm nga politika, riorientimin e investimeve në arsim dhe përkrahjen shumë më të madhe për mësimdhënësit. Këtë kërkesë e ka adresuar eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj.

Ai ka thënë për “Zërin” se ky pakt duhet të përfshijë edhe bashkëpunimin në nivel të shkollës, të mësimdhënësve e të nxënësve me kolegët nga Shqipëria e Maqedonia e më gjerë.


“Cikli intervenues duhet të shtrihet në së paku shtatë vjet – me qëllim që në vitin 2021 të fillojnë efektet e para pozitive për së brendi por edhe në krahasim me fqinjët e me Evropën. Është krejtësisht iluzore të priten përmirësime për PISSA 2018 kur përfundoi vitit 2016, e kur dihet buxheti për vitit 2017”, thotë ai, raporton Zëri.info.

Rexhaj ka thënë rezultatet e PISA-s janë “maja e akullit” të problemeve të akumuluara me dekada në arsimin kosovar.

Ai ka vlerësuar se e mira në mbajtjen e këtij testi është se Ministria ka lejuar mbajtjen e testit për të parë shkallën e degradimit të arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet.

“Për cilësinë e dobët duhet fajësuar të gjitha nivelet dhe faktorët. Arsimi në Kosovë nuk merret seriozisht nga asnjëra palë. U bënë dhjetë vite që në Kosovë pagat e arsimtarëve rriten në kohë të zgjedhjeve dhe pa asnjë kriter e asnjë dallim për të gjithë”.

Rexhaj thotë se vetëm në Kosovë themelohen pesë universitete për një javë, pa asnjë përgatitje, pa asnjë ndërtesë dhe me borde politike që nuk e dinë se çka do të thotë ai post.

“Kujtoni se si e shkruan ‘prontoja’ historinë e Universitetit Haxhi Zeka në Pejë përmes zgjedhjes së anëtarëve injorantë të bordeve”. Për të kuptuar më mirë gjendjen e arsimit në Kosovë, ai thekson se mjafton fakti që “vetëm në Kosovën e varfër ndërtohen shkolla në çdo kodër për të mbledhë vota politike, vetëm në Kosovë emërohesh drejtor për besnikëri të verbër politike ndaj kryetarit të Komunës (më herët ka qenë ndaj ministrisë), vetëm në Kosovë mësuesi shkon në klasë vetëm me një shkumës… Ne e kemi humbur rrugën në oborr në arsimin tonë”.

Por, ai thotë se nuk mund të jetë i kënaqur askush me nivelin e cilësisë në arsim në asnjë moment pas luftës.

“Mirëpo, problemi më i madh është se nuk ka pasur as ngritje graduale sado të vogël nëpër vite. Nëse e shikojmë me vëmendja do të vërejmë se cilësia në arsim bie me rritjen e nivelit arsimor, për ilustrim, shkolla fillore mbahet më mirë se sa shkolla e mesme e ulët e kështu me radhë deri tek universiteti”, raporton Zëri.info.

Rexhaj vlerëson se gjendja më e keqe është në arsimin e mesëm të lartë – për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasë, diversitetit më të madh të programeve-drejtimeve dhe mungesës së kualifikimeve, si dhe trajnimeve cilësore për mësimdhënësit.

“Për habi, politikanët kosovarë gjithmonë janë thirrur se kemi arsim të nivelit evropian. Kjo për mua gjithmonë ka qenë shumë e habitshme. Unë kam shpresuar se pas rezultateve të PISA-s njerëzit do të hiqnin dorë nga një sjellje e tillë. Por, për habi edhe këto ditë po shoh referenca të këtilla dhe premtime për përmirësime të shpejta”, thotë Rexhaj për “Zërin”.