0Shares

Ligji për Miniera dhe Minerale duhet të ndryshohet apo edhe të hartohet ligji i ri me qëllim që t’i hap rrugë sektorit minerar që të shfrytëzohet në zhvillim ekonomik.

Kështu tha Sala Berisha Shala, anëtare e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, e cila shtoi se ligji i ri do të bazohet në ligjin aktual.

Këto deklarata Berisha Shala i ka bërë në tryezën e organizuar nga INDEP me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të minierave, projektligji i ri për miniera dhe minerale”, ku të pranishëm janë përfaqësues komisionit të pavarur për miniera dhe mineral.

“Vitin që shkoj ne kemi pasur për obligim që të monitorojmë ligjin për Miniera dhe Minerale se a po zbatohet, ne e konsiderojmë që është një ndër ligjet më të rëndësishëm i cili do t’i hap rrugë zhvillimit të sektorit minerar. Natyrisht që sektori minerar është një nga sektorët më të fuqishëm të zhvillimit të një vendi…Grupi i punës për mbikëqyrjen e këtij ligji gjatë takimeve me institucionet dhe grupet e interesit është informuar në përgjithësi se ligji është në zbatim por ka nevojë koordinim të institucioneve, si dhe plotësimin e ligjit ose hartimin e një ligji të ri. Ne si komision jemi përcaktuar që ta bëjmë hartimin e ligjit të ri komplet për Miniera dhe Minerale, natyrisht duke u bazuar në materialin e ligjit ekzistues por duke e plotësuar me të gjitha ato element në të cilat kemi hasur se si grup punues”, tha Berisha Shala.

Musa Shabani nga Bordi i Komisionit të Pavarur për Mineral dhe Minerale, tha se kompanitë me ligjin aktual duhet të paguajnë qindra mijëra euro garancione bankare dhe tani me ligj të ri, të parashihet ndryshim.

“Kemi pasur disa çështje që janë ngritur tek çështje e gradacioneve siç u cek tek çështje e parë. Ligji i cili është sot në zbatim, janë detyruar bizneset e reja që për herë të parë hynë në sektorin e minierave, bizneset që janë aktuale që duan me marrë licencë të re që para se me fillua aktivitetin kanë qenë të detyruara një pjesë së pasurisë së tyre me blloku nëpër banka si garancion që pastaj pas shfrytëzimit, pasi ajo licencë të ketë skaduar të jetë një lloj garancioni që sipërfaqja e cila është shfrytëzuar më vonë t’i kthehet të ri kultivohet në një gjendje të pranueshme për mjedisin. Kjo ka qenë një ngarkesë shumë e madhe për arsye se kjo ka kushtuar deri në qindra mijëra euro, është dashur që kompanitë miliona euro mi bllokuar nëpër banka ende pa e fillua aktivitetin”, tha Shabani.

Sipas tij, tani me propozimin e ri për ligj, kompanitë nuk do ta kenë obligim t’i bllokojnë në fillim të punës një pjesë të madhe të parave të tyre.

Ndërsa vërejtje kishte edhe një investitor, Gani Maliqi, i cili tha se ligji aktual ka mangësi të mëdha.

“Ndryshimet që do të bëhen i përkrahim por ne si kompani i kemi gjetur disa pika të nxehta në ligjin e ri që do të duheshin të ndryshoheshin. Natyrisht problemet që kanë të bëjnë me mineralet ndërtimore, janë mirë të rregulluara me ligj, kurse, tani do të adresohen edhe më mirë edhe për mineralet të çmuara dhe metalike të cilat kanë një funksion tjetër dhe nevojitet një kohë shumë më e gjatë për hulumtim…Ma merr mendja që në licencat e hulumtimit që në mes të hulumtimit dhe licencës së shfrytëzimit të vuhej edhe licenca për vlerësim edhe të ketë një afat 5 vjeçar”, tha Maliqi.

Ligjet në rast si ky i minierave mund të ndryshohen, hartohen edhe nga vet Kuvendi i Kosovës e më pas i dërgohen Qeverisë. Aktualisht ligji si draft është në diskutime publike, e më pas Komisioni për Zhvillim Ekonomik do të hartojë me grupet punuese. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)