LAJMI I FUNDIT:

AGK nxjerr 18 rekomandime për raportimin e medieve gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve

AGK nxjerr 18 rekomandime për raportimin e medieve gjatë fushatës  dhe ditës së zgjedhjeve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka organizuar debat me temën “Zgjedhjet dhe përgjegjësia e medieve në këtë proces”.

Kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj ka kërkuar nga mediet që të respektojnë kriteret profesionale gjatë fushatës dhe zgjedhjeve të 11 qershorit.


“Mediet duhet që të kenë kujdes të jashtëzakonshëm në këtë kohë kur jemi në prag të zgjedhjeve pasi që tashmë kanë filluar të shfaqen profile të ndryshme nëpër rrjete sociale me përmbajtje propaganduese. Në kuadër të kësaj mediet duhet të verifikojnë informacionet në mënyrë që të mos bijën pre e FAKE NEWS” ka theksuar Hysenaj.

Ndërkohë, Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore” tha se disa medie janë vënë në dispozicion të partive. “Ka nevojë që të krijohet një kod i posaçëm për media sa i përket raportimit në kohë zgjedhjesh” tha Bajrami.

Nga ana tjetër Jeta Xharra, drejtoreshë e “BIRN”, theksoi se asnjëherë nuk ka pasur më shumë media në shërbim të politikës. Ajo theksoi se ka media mercenare të cilat janë në shërbim dhe paguhen nga ana e politikës. “Gazetari e ka për obligim të verifikojë informatën të cilën e boton. Kurrë nuk ka qenë më e lehtë me i verifikua informatat dhe kjo mund të bëhet me një kërkim të thjeshtë në mënyrë që t’i mbajmë përgjegjës politikanët për atë që e thonë” ka deklaruar Xharra.

Pjesë e diskutimit ka qenë edhe Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, Laura Pula, e cila ka thënë se mediet janë aleat i këtij institucioni gjatë ditës së zgjedhjeve. Prokurorja Pula ka kërkuar nga gazetarët që t’i verifikojnë informacionet pasi sipas saj, këto informacione shërbejnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Me marrjen e informatave të sakta ne kemi reaguar dhe do të reagojmë. Unë e respektoj punën e gazetarëve në këtë aspekt sepse shpesh herë informacionet që i kemi marrë nga mediet na kanë ndihmuar në zbulimin e veprave penale. Informacionet e verifikuara do të na ndihmonin shumë në zbulimin e veprave penale në këto zgjedhje” ka thënë prokurorja Pula.

Në fund të diskutimit, pjesëmarrësit u pajtuan që t’i nxjerrin 18 rekomandime për atë se si mediet duhet të raportojnë gjatë fushatës si dhe ditës së zgjedhjeve.

Rekomandimet e dala nga takimi “Zgjedhjet dhe përgjegjësia e medieve në këtë proces”

Me qëllim të raportimit të drejt dhe respektimit të standardeve profesionale, duke e ditur rëndësinë që kanë mediet gjatë fushatës si dhe në procese zgjedhore, pjesëmarrësit e takimit të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me datë 29 maj 2017, rekomandojnë si në vijim:

 – Mediet të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale

– Mediet të krijojnë hapësirë të njëjtë për të gjitha subjektet politike – koalicionet parazgjedhore

– Mediet të respektojnë Kodin Etik gjatë raportimit

– Mediet të fokusohen më shumë në verifikimin e informatave

– Mediet të bëjnë verifikim të shumëfishtë të informacioneve

– Mediet të kontaktojnë personat për të cilët shkruajnë

– Mediet të kenë kujdes me përdorimin e përmbajtjes së prodhuar nga palët e treta

– Mediet të kenë kujdes të posaçëm në rastet kur nëpër rrjete sociale qarkullojnë informacione të dyshimta

– Mediet të tentojnë të konfirmojnë gjithmonë informacionet që i pranojnë përmes rrjeteve sociale

– Mediet t’i shmangin informacionet që postohen nëpër web-faqe të dyshimta

– Mediet t’i shmangin informacionet që postohen nëpër web-faqe të afërta me subjekte politike

– Mediet t’i shmangin informacionet që mund të postohen nëpër profile të rrejshme në rrjete sociale

– Mediet të tentojnë të konfirmojnë tek autoritetet gjithmonë informacionet e dyshimta

– Mediet të shmangin mundësinë që të postojnë apo të huazojnë lajme të rreme

– Mediet të shmangin postimin e sondazheve apo në rast të publikimit të jepen të gjitha informatat se kush e ka realizuar, kush e ka financuar, sa persona janë anketuar dhe metodologjia e përdorur gjatë anketimit

– Mediet duhet të bëjnë presion për debat të barabartë të kandidatëve për kryeministër

– KPM të insistojë në disiplinimin e partive duke dalë me një vendim të qartë se minutazha e barabartë duhet t’u jepet koalicioneve e jo subjekteve politike

Respektimi i parimeve të lartcekura do të ndikojë në pasqyrimin e drejtë të fushatës dhe zgjedhjeve të 11 qershorit si dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në ngritjen e besueshmërisë së qytetarëve në raport me mediet. Raportimi i drejt dhe profesional arrihet vetëm përmes verifikimit të informacioneve dhe respektimit të plotë të Kodit Etik./Telegrafi/