LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet faturimi i rrymës në gjithë territorin e Kosovës

Kërkohet faturimi i rrymës në gjithë territorin e Kosovës

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik të martën aprovuan raportin vjetor për vitin 2016 të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ata me këtë rast kërkuan të dinë ndikimet e tarifave të reja te konsumatorët, çështjen e importit dhe eksportit të energjisë që ka dallim të madh të çmimit të eksportit që është shumë më i vogël se ai i importit.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të bordit të ZRRE-së, Krenar Bujupi është përgjigjur pyetjes së deputetit Blerim Grainca për ndikimin e të hyrave nga tarifat e reja. Ai ka thënë se me tarifat e reja, i licencuari inkason rreth 200 mijë euro më pak të hyra se sa vitin e kaluar.


“Kur t’i mbledhë të gjithë megavatet që i kemi pasur këtu kilovatët e shpenzuar të energjisë elektrike te konsumatorët, të shumëzuara me tarifat që kanë qenë vitin kaluar i kemi marrë 126 milionë e 820 mijë euro. Ndërsa me tarifat e reja, duke e pasur parasysh të njëjta se na nuk e kemi bërë kalkulime po veç i kemi marrë edhe tash kemi thënë tarifat e njëjta me qenë sikurse vitin e kaluar, çka do të thotë që kilovatët sikurse vitin e kaluar. Ne as nuk i kemi supozuar kilovatët për këtë vit. I kemi lënë këta kilovat që kanë qenë vitin e kaluar e kur t’i njehë këta kilovatë që kanë qenë vitin e kaluar në tarifat e reja dalin 126 milion e 587 mijë euro. Do të thotë dalin nja 200 mijë më pak se sa vitin e kaluar. I licencuari merr më pak të hyra se sa vitin e kaluar për të njëjtën sasi”, ka thënë Bujupi.

Anëtari i Komisionit, Enver Hoti, ka kërkuar të di pse çmimet e eksportit të energjisë janë më të ultë se ato të importit.

“Është interesant ju e keni paraqit një aktivitet bukur të ngjeshur të këtij raporti. Po më bien në sy një çmim. Energjia elektrike e importuar me kontratë komerciale gjatë vitit 2016 është bërë për 47 euro e 62 centë për megavat. Ndërsa eksporti është bërë me një çmim shumë më të ulët për 29 euro e diçka. Do të thotë diferenca është për 18 euro. Ju e keni përshkruar aktivitetin, por nuk keni paraqit ndonjë arsye pse ka ndodhur kjo”, tha Hoti.

Krenar Bujupi, ushtrues i detyrës së kryetarit të bordit të ZRRE-së, u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për tarifat e reja, eksportin dhe importin e energjisë.

“Pikërisht 7 me tre është se ne kemi shumë teprica gjatë natës, ndërsa kemi mungesa gjatë ditës. Duke pasur parasysh që ne po e shesim eksportin kaq lirë, ne më shumë e kemi pasur dëshirë që me ia dhënë konsumatorit mundësinë për të kursyer faturën e vet se sa për të dërguar këtë eksport dika tjetër. Eksporti gjatë natës në çdo vend është i lirë. Kjo është bërë raporti i madh mes ditës edhe natës, pasi ne kemi me shitur me atë çmim. Ne kemi me dhënë me një çmim të lirë, 30 euro për megavat”, tha Bujupi.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka kërkuar që të bëhet faturimi e energjisë së shpenzuar në gjithë Kosovën, pa dallime etnie apo të tjera.

“Mbetet çështje serioze çështja e humbjeve komerciale dhe çështja e faturimit dhe inkasonit të energjisë në të gjitha rajonet në të gjitha konsumatorët pa dallim përkatësive rajonale apo përkatësive të tjera. Duhet të faturohet rryma edhe duhet të inkasohet rryma. Institucionet duhet ta keni përgjegjësin që këtë ta realizojnë. Për arsye se qytetarët nuk mund ta bartin inifiçiencë të institucionit apo probleme që janë të natyrës politike. Duhet të zgjidhen këto”, tha Mustafa.

Po ashtu Bujupi është pyetur për pozitën e tij, i cili që nga shtatori është ushtrues i detyrës pasi në ZRRE nuk ka kryetar të Bordit. Bujupi tha se më 15 maj të këtij viti i skadon mandati. /Telegrafi/