LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi kërkon angazhimin e ambasadorëve për të sjell investitorë në Kosovë

Kelmendi kërkon angazhimin e ambasadorëve për të sjell investitorë në Kosovë
-->

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, mori sot pjesë në hapjen e punimeve të konferencës dy ditore me temë “Diplomacia Ekonomike & Made in Kosova”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kelmendi ka kërkuar angazhim më të madh të ambasadorëve në promovimin e prodhimeve të Kosovës. Duke përmendur si shembuj prodhimin e vezëve, lëngjeve dhe ujit, që mbulojnë tërësisht nevojat e tregut të brendshëm, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se zhvillimi ekonomik do të mundësoj që së shpejti këto ekonomi të jenë të gatshme edhe për eksport.

“Politikat fiskale të bëra në këtë mandat qeverisës, po japin rezultat dhe atë në sferën e prodhimit. Tash kemi përfunduar përgatitjet e pakos fiskale 2, dhe presim edhe miratimin nga FMN në mënyrë që të filloi një rilindje e prodhuesve kosovarë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Kelmendi edhe njëherë shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e Klubit të Prodhuesve në aktivitetet e tyre, sidomos në organizimin e panaireve ndërkombëtare, si një mundësi për tërheqjen e blerësve dhe informimin e investitorëve të mundshëm për tregun prodhues të Kosovës.

Duke përmendur përparësitë që ofron Kosova, ai ka përmendur tatimin në fitim, që është 10 për qind dhe më i vogli në regjion, lirimin nga tatimi në fitim në tri vitet e para, taksat në të ardhura personale, që janë më pak se 15 për qind, dhe fuqia punëtore e Kosovës, që është e re, efektive, kualitative dhe profesionale.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Kelmendi ka përmendur iniciativat ligjore të ndërmarra nga Qeveria, e të cilat kanë dhënë rezultatet e veta në zhvillimin ekonomik. Zëvendëskryeministri përmendi Ligjin për Investime Strategjike, si një mundësi e mirë që edhe vetë ambasadorët të hulumtojnë tregun e vendit ku janë akredituar, dhe të sjellin blerës në Kosovë. Edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, mundësia e përfitimit si investitorë të jashtëm, sipas zëvendëskryeministrit Kelmendi, është rregulluar me Ligjin për Garantimin e Investitorëve të Jashtëm. Por, ligji më i rëndësishëm ekonomik mbetet ai për Trepçën.

“Kemi krijuar Ligjin për Trepçën si shoqëri aksionare, ku 80 për qind është aksionar shteti dhe 20 për qind janë punëtorët. Është hera e parë që një ligj i tillë ka bërë 20 për qind aksionar punëtorët. Kemi paraparë në këtë Ligj, që nëse dikush dëshiron të investoj në Trepçë, shteti është i interesuar të shes aksionet dhe t’ia jep menaxhimin funksional, edhe pse nuk e ka shumicën prej 51 për qind të votave, siç parashihet me ligjet tjera”, theksoi ai.

Kelmendi përmendi industrinë e këpucëve, atë të përpunimit të mobileve, industrinë bujqësore, si disa prej fushave të cilat kanë kapacitete për t’u zhvilluar më shumë dhe për të dal produktet e tyre edhe në tregun evropian. Duke parë ngarkesën politike që kanë për produktet kosovare shtetet e regjionit, zëvendëskryeministri Kelmendi vlerësoi se MSA-ja është e vetmja mundësi për zhvillim të mëtejshëm.

“Ne kemi shpresën në Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim. Pas hyrjes në fuqi të saj, ne kemi përcjell faktorët në të cilët ka ndikuar kjo marrëveshje. MSA-ja ka arrit në vitet e para të rrit importin më shumë nga shtete evropiane, dhe të zvogëloj importin nga shtetet e regjionit, për arsye se çmimi është duke rënë shkallë-shkallë, për çdo vit nga dy për qind, dhe pas pesë viteve bëhet zero, dhe besoj se një pjesë e madhe e prodhimeve që janë marrë nga regjioni, do të zëvendësohen plotësisht nga shtetet e BE-së” tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Mos nevoja për certifikim shtesë të produkteve evropiane, të cilat lirohen nga dogana me MSA, ka ndikuar pozitivisht edhe në tregun vendor.

MSA-ja po na ndihmon që ne të kemi një treg të besueshëm, dhe të jetë një treg për të cilin nuk ka ngarkesa politike, dhe akceptimi i prodhimeve kosovare është shumë më pozitiv se sa që është në shtetet e regjionit”, tha zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi. /Telegrafi/