LAJMI I FUNDIT:

KB Sigal Prishtina vazhdon me “Trokit”

KB Sigal Prishtina vazhdon me “Trokit”

Sot (e hënë) në ambientet e klubit më të suksesshëm të basketbollit në vendin tonë, KB Sigal Prishtina u bë zyrtarizimi i ripërtëritjes së marrëveshjes së këtij klubi me agjencinë kreative “Trokit”.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i klubit z. Blerand Stavileci dhe drejtori menaxhues i “Trokit”, z. Besart Gërguri. Në fakt, nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, për shkak se të dyja palët ishin mjaft të kënaqura nga dy vitet para të bashkëpunimit ndërmjet tyre. Agjencia në fjalë e kishte prezantuar klubin bardhekaltër në mënyrën më të mirë të mundshme në të gjitha garat ku merrte pjesë.


Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së re, z. Gërguri u shpreh i kënaqur përkitazi me bashkëpunimin me krerët e KB Sigal Prishtinës. Ai shfrytëzoi rastin që t’u premtonte punë dhe ide akoma më kreative për sezonin e ri kur tanimë është zyrtare pjesëmarrja e klubit nga kryeqyteti në garën më të vlefshme për klube në Europë, Champions League.

Gërguri dhe Stavileci pasi nënshkruan marrëveshjen

Po ashtu, ai e siguroi kryesinë e klubit se duke patur parasysh rëndësinë e kampionateve në të cilat bën gara KB Sigal Prishtina, agjencia të cilën ai e drejton ka javë që është e përgatitur për një prezentim sa më dinjitoz dhe më profesional të klubit.

Në anën tjetër, kryetari i klubit z. Blerand Stavileci e vlerësoi lart bashkëpunimin me agjencisë kreative “Trokit” si dhe potencoi kënaqësinë e tij në lidhje me kreativitetin e kësaj agjencie. Sipas tij, kjo agjenci ka arritur që ta prezantonte klubin bardhekaltër në mënyrë të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, qoftë në garat që i ka zhvilluar brenda vendit, qoftë ato jashtë, duke mos ngecur as edhe një grimcë ndaj ekipeve që kanë një traditë më të gjatë dhe investime më të mëdha në sportin e basketbollit.

Kjo marrëveshje ashtu si e kaluara e obligon agjencinë kreative “Trokit” që ta menaxhojë marketingun e KB Sigal Prishtina; të përkujdeset për shërbimet grafike dhe promot e klubit, të ridizajnojë veshjet e lojtarëve, të bëjë foto-sesionet gjatë tërë sezonit, t’i prezantojë lojtarët për qëllime reklamimi, etj. /Telegrafi/