LAJMI I FUNDIT:

Katarakti senil (perdja e syrit) – diagnoza dhe trajtimi i tij

Katarakti senil (perdja e syrit) – diagnoza dhe trajtimi i tij
Dr. Anita Syla Lokaj, Specialiste e Oftalmologjisë

Katarakti senil është sëmundje e shpeshtë e syrit që populli e njeh si “perdja e moshës”. Është gjendje e humbjes së tejdukshmërisë së thjerrëzës natyrore të syrit e cila në kushte fiziologjike është transparente

Dr. Anita Syla Lokaj, Phd Candidate
Specialiste e Oftalmologjisë
tel. 044 756 682


Ky turbullim i thjerrëzës ndikon në mënyrë të vazhdueshme në uljen e shikimit dhe pacientët shohin si nëpërmjet një perdeje të hollë e cila vazhdimisht trashet dhe e vështirëson shikimin.

Thjerrëza e syrit është një strukture bikonvekse e vendosur në pjesën e mesme të kokërdhokut të syrit. Kjo thjerrëz si strukture transparente, është pjesë e rëndësishme e aparatit dioptrik të syrit dhe funksioni i saj është i shumëfishtë si:

▪ Refraktar
▪ Akomodativ, dhe
▪ Protektiv ose mbrojtës (kryesisht mbron nga rrezet ultraviolete)

Thjerrëza ka të njëjtin funksion sikur thjerrëza e aparatit fotografik. Ajo shërben për thyerjen e rrezeve të dritës dhe fokusimin e tyre në retinë, në mënyrë që shëmbëllimi i figurave të jetë i qartë.

Prandaj turbullimi i saj bën që të ulet sasia e dritës që kalon përmes saj dhe personat që preken nga katarakti në stadet e avancuara, mund të dallojnë vetëm dritën.

Shkaktarët e sëmundjes së kataraktit

Etiologjia e perdes së syrit është multifaktoriale. Shkaku më i shpeshtë është mosha duke ndikuar në çrregullimin e metabolizmit të saj. Moshat më të atakuara janë personat mbi moshën 55-60 vjeçare.

Shkaktarë të tjerë:

▪ Komplikimet nga sëmundjet sistemike (diabeti, hipertensioni, insuficienca e zemrës, pneumonitë, b). alergjitë, barnat e ndryshme)
▪ Infeksionet e brendshme të syrit
▪ Anomalitë e refraksionit (myopia)
▪ Traumat etj.

Pasqyra klinike e kataraktit

– Ulja e mprehtësisë së të pamurit
– Zvogëlimi i ndjeshmërisë së kontrastit
– Çrregullimi i dallimit të ngjyrave
– Miopizimi i syrit (disa njerëz me katarakte fillojnë të shohin më mire në afërsi edhe pa përdorimin e syzeve)
– Diplopia monookulare –shikimi i dy figurave (turbullimet e thjerrëzës mund ta ndajnë tufën e rrezeve të dritës, e për pasojë në retinë shfaqen dy shëmbëllime).

Shenjat nga katarakti

Shenja kryesore është turbullimi i thjerrëzës, që konsiston në zhdukjen e refleksit të kuq nga regjioni pupillar gjatë ndriçimit duke i dhënë ngjyrë hiri këtij regjioni.

Çfarë duhet të dini

– Katarakti nuk është sëmundje infektive që mund të kalojë në syrin tjetër
– Nuk zhvillohet nga lodhja e syve apo puna e tepërt
– Shikimi i humbur nga katarakti nuk mund të korrigjohet me marrjen e një palë syzash të reja. Megjithatë, syzet mund të ndihmojnë në fazën fillestare për shkak se thjerrëza e ndryshon dioptrinë, por kjo është një gjendje e përkohshme.

Si diagnostikohet katarakti senil

Diagnoza e kataraktit senil bazohet në anamnezë që pacientët e përshkruajnë si reduktim të ngadalësuar të mprehtësisë së të pamurit si dhe nga ekzaminimi objektiv i pacientit.

Testet laboratorike nevojitën si pjesë e skriningut preoperative me qëllim të detektimit të sëmundjeve ekzistuese (p.sh., diabeti, hipertensioni, çrregullimet kardiovaskulare)

Studimet tjera imazherike (p.sh. Ultrasonografia,CT scan ose MRI) nevojitën në raste të dyshimit në patologji të polit të pasmë ku vizualizimi këtj segmenti është i pamundur nga turbullimi i thjerrëzës.

Teste tjera

Gjatë përgatitjes preoperative, pacientëve iu realizohen edhe disa matje shtesë si keratometria që përcakton fuqinë përthyese të kornesë si dhe biometria që përcakton gjatësinë aksiale të bulbusit.

Kombinimi i këtyre dy metodave mundëson të bëhet edhe kalkulimin i dioptrisë së implantit intraokular (IOL). Evaluim i detajuar i bëhet aparatit lakrimal me qëllim të përjashtimit të vatrës së infeksionit në rrugët e drenimit të lotëve.

Po ashtu teste të nevojshme janë edhe pakimetria që mundëson matjen e trashësis së kornesë si dhe mikroskopia spekulare në përacktimin e numrit të saktë të qelizave të endoteli të kornesë, numri i këtyre qelizave i ruajtur është parakusht në evitimin e disa komplikimeve postoperative.

Trajtimi

Perdja e syrit nuk mund të shërohet me medikamente e as me syza. Pra intervenimi kirurgjik është e vetmja mundësi e trajtimit për të arritur sukses të plotë. Në rreth 90% të rasteve, shikimi përmirësohet qysh në ditët e para pas operacionit.

Megjithatë, ekzistojnë edhe përjashtime ku nuk arrihet përmirësimi i shikimit edhe pas kirurgjisë së kataraktit.

Syri i njeriut për të patur një pamje të qartë, përveç thjerrëzës i nevojitet që edhe pjesët tjera të jenë të shëndosha duke përfshirë kornenë, ujin e syrit, retinën, nervin optik,rrugët optike deri në sistemin nervor.

Metoda të ndryshme kirurgjike kanë evoluar prej formave klasike deri te format e avancuara siç është metoda e fakoemulsifikimit.

Po ashtu është bërë evolucioni i implanteve intraokulare për nga lokalizimi brenda syrit, materiali dhe metodat e implantimit.

Intervenimi kirurgjik kryhet nën anestezion lokal-regjional dhe topical (me pika). Në disa raste pacientët i nënshtrohen edhe anestezionit të përgjithshëm.

Procedura kirurgjike

Metoda më e sofistikuar është ajo e fakoemulsifikimit e cila kryhet me anë të një sonde milimetrike e cila punon në bazë të ultratingullit.

Kjo procedure mundëson hapje më të vogël të syrit prej 1-3 mm në krahasim me metodat tjera të operimit. Hiqet kapsula e përparme e thjerrëzës, bërthama copëtohet dhe thërrmizohet me anë të sondës dhe aspirohet përmbajtja e thjerrëzës.

Pas kësaj bëhet implantimi i thjerrëzës së butë përmes një injektori special në shtratin e kapsulës së pasme. Thjerrëza është elastike ku pas impantimit hapet në brendësi të syrit në vendin e thjerrëzës natyrore dhe qëndron aty gjatë gjithë jetës.

Hapja e syrit mbyllet vetë dhe nuk ka nevojë për qepje.

Thjerrëzat intraokulare

Këto thjerrëza janë të punuara nga materialet e ndryshme dhe përbëhen nga dy pjesë: pjesa optike( që mundëson pamjen) dhe pjesët anësore të zgjatura të quajtura haptika që mundësojnë përforcimin e këtyre thjerrëzave në brendësinë e syrit.

Këto thjerrëza mundë të jenë të forta dhe të buta. Ndryshe nga lentat e kontaktit që vendosen sipër kornesë, thjerrëzat artificiale vendosen në brendësi të syrit dhe nuk shkaktojnë ndjeshmërinë e trupit të huaj.

Komplikimet nga katarakti senil

Në disa raste trajtimi i vonuar i katarktit senil mund të qoj deri te disa komplikime tjera siq janë:

▪ Glaukoma e induktuar nga thjerrëza (pra rritja e tensionit intraokular)
▪ Uveit ose inflamacioni i pjesës së mesme të syrit (uvesë) induktuar nga thjerrëza
▪ Subluksacion (zhvendosje) ose dislokim thjerrës për shkak të dobësimit të aparati zonular mbështetës që mundëson mbajtjen e thjerrëzës në pozicionin e saj normal.

Po ashtu ekzistojnë edhe komplikime tjera nga operacioni i kataraktit. Si në çdo ndërhyrje tjetër kirurgjike ekziston mundësia e komplikimeve intraoperative apo edhe në periudhën e hershme ose të vonshme postoperative, megjithatë nuk janë të shpeshta.

Shumica prej intervenimeve kirurgjike kalojnë pa komplikime,për arsye se intervenimi kryhet me një metodë të avansuar dhe me një sistem të mbyllur( pa hapje të gjerë dhe pa qepje te syrit).

Komplikimet e mundshme janë:

– Turbullirat e kornesë
– Rritja e tensionit intraokular
– Ndjeshmëria e rritur ndaj dritës
– Edema e regjionit të makullës
– Hemorragjitë (gjakderdhjet)
– Infeksionet (endoftalmiti)
– Ablacioni i retinës (shkolitja e pjesës së pasme të syrit)

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori