LAJMI I FUNDIT:

Kafeina para fitnesi: A i lehtëson ushtrimet fizike dhe si ndikon në muskuj

Kafeina para fitnesi: A i lehtëson ushtrimet fizike dhe si ndikon në muskuj

Sa më të lodhur ndjeheni, aq më të vështira do të jenë ushtrimet fizike. Kjo është arsyeja se përse trajnerët e atletëve më të suksesshëm botërorë kanë sugjeruar për një kohë të gjatë të pini kafeinë para një sesioni ushtrimor apo ndonjë gare – sepse kafeina e përmirëson performancën duke i bërë më të lehta ushtrimet fizike, duke e zvogëluar dhimbjen dhe duke e hequr lodhjen.

Efekti kryesor i kafeinës në trup është të rritë përqendrimin dhe vëmendjen, gjë e cila mund t’i bëjë ushtrimet fizike të mos duken një gjë aq e keqe. Gjithashtu kafeina mund t’i ndihmojë muskujt të djegin më shumë dhjam.


Ja një teori: Muskujt përdorin glikogjen për energji, dhe kur rezervat e glikogjenit të harxhohen, muskujt dobësohen dhe bëhen më pak efiçientë, gjë e cila shpie deri te lodhja. Por muskujt gjithashtu mund të djegin dhjam, dhe kur e bëjnë këtë, muskujt nuk lodhen aq shpejt.

Kafeina mund të ndikojë që muskujt të djegin dhjam më shpejt, gjë e cila mund t’i ruajë rezervat e glikogjenit dhe t’u jep muskujve më shumë kohë të stërviten para se të dobësohen apo lodhen.

Kjo gjë në mënyrë indirekte shpie në sesion ushtrimor më të gjatë dhe me më pak dhimbje.

Disa hulumtues gjithashtu zbulojnë se kafeina mund të ndikojë direkt në muskuj duke e përmirësuar efiçiencën e tyre në gjenerimin e fuqisë.

Pra, ekspertët e fitnesit rekomandojnë të pini kafe një orë para stërvitjeve – por duhet të keni kujdes me sasinë e kafeinës që e konsumoni, pasi që kafeina mund të shkaktojë dhimbje të kokës, rritje të tensionit, etj. /Telegrafi/