LAJMI I FUNDIT:

Jorgani i Nasradinit, lapidari dhe bisedimet e Brukselit

Dikur Nasradin Hoxhën e kishte zgjuar nga gjumi një tollovi që zhvillohej para shtëpisë së tij. Si i trishtuar nga rrëmuja e tillë, ai kishte harruar fare të vishet, por kishte dalë në rrugë me jorganin mbi supe. Mirëpo, pasi mbaroi tollovia dhe u qetësua situata, ai e pa veten të zhveshur dhe pa jorgan mbi supe. Atëherë, konstatoi me dëshpërim se “kjo paska qenë hallakatmë e jorganit”. Sa duket, tek ne “hallakatma” e lapidarit e ka zhvendosur vëmendjen tonë nga negociatat politike për statusin e serbëve të veriut të Kosovës në Bruksel, pa u përmendur fare Lugina e Preshevës, duke u ofruar atyre pakon “Ahtisari Plus”, kurse Luginës as “Ahtisarin Minus”.

Situata e tendosur rreth Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë ka ngritur tensionet politike me përmasa shqetësuese. Gjuha kërcënuese ndaj shqiptarëve të Luginës që përdoret nga ana e kreut të Qeverisë serbe Daçiq, si dhe nga presidenti Nikoliq, për nga ashpërsia dhe tonet kërcënuese ia kalon edhe Millosheviqit.


Rivaliteti politik midis tyre paraqet garë politike për “bajrakun” e antishqiptarizmit që gjithnjë u ka sjellë mbështetje dhe vota tek elektorati dhe votuesit e tyre.

Pozita tejet e “fortë” e Daçiqit sa duket është duke e sjellë në siklet SNS-in e Nikoliqit, meqë Daçiqi është duke i prirë bisedimeve me Thaçin në Bruksel, Nikoliqi ngutej që “t’ia trasoj rrugën” dhe t’ia presë rrobat sipas masës së tij me të ashtuquajturën Platformë mbi Kosovën.

Kjo punë disi nuk është duke i shkuar sipas qejfit, sepse as punët e Vuçiqit me arrestimet dhe burgosjen e “tajkunëve” serb, ose magnatëve ekonomikë, është duke u sfiduar nga Daçiqi. Deri më tani sukseset pa problem të theksuara janë duke u vjelë vetëm ndaj DS-it që është hedhur në opozitë dhe në konsolidim të ngadalshëm, për t’u “rikuperuar” me nguti dhe për t’i konsoliduar radhët që në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, të hyjnë me çdo kusht në qeveri, me qëllim që t’i shpëtojnë kuadrot e veta që janë në “listën” e Vuçiqit.

Ndërkaq, kuadrot e SPS-it të Daçiqit janë duke i rezistuar me sukses deri më tani, duke e sfiduar projektin e Vuçiqit, që është duke i sjellë mbështetje të madhe, krahas luftës së tyre ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Luginë.

Kjo garë e tyre synon të çoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare Serbinë, për ta “zhveshur” Daçiqin nga pushteti dhe ndoshta për ta risjellë DS-in, me liderin e ri Gjillasin (e afërt me Vuçiqin), sërish në pushtet. Sinjalet janë dhënë tanimë dhe beteja politike do ta shndërrojë Serbinë në arenë të vërtetë politike gjatë këtij viti që disa e quajnë “ters” meqë mbaron me numrin “baksuz” 13.

“Tersllëku” i këtij viti ka hasur në ambientin sfidues të negociatave për “djepin e serbizmit” që duan të përfundojnë në qershor. Dhe këtu duan t’i ngasin kuajt për ta bindur sa është e mundur më tepër votuesin serb me peshën e “serbizmit” që e kanë secila nga ato.

Lufta në Serbi bëhet mes ëndrrave se “Kosova është Serbi” dhe se ajo “duhet të kthehet në shtetin e vet Serbinë”, pa çka se as presidenti i saj nuk mund ta vizitojë Kosovën pa lejen e Prishtinës zyrtare. Dhe ky “djep” i serbizmit është duke i sjellë telashe këtij kombi meqë nuk e lë të “piqet” kurrsesi politikisht, duke synuar gjithnjë “djepin” e vet për t’u përkundur në ëndrrat e veta antishqiptare të “foshnjërisë” ultranacionaliste e shovniste.

Kjo “foshnjëri” politike e serbëve ka qenë dhe mbetet akoma si burim i rrëmujave politike dhe skenës gjithnjë të tensionuar politike, që aktualisht manifestohet me lapidaromaninë që e ka kapluar Serbinë fillim e mbarim në tërë hapësirën e saj territoriale, duke ndërtuar dhjetëra përmendore të përmasave gjigante Drazha Mihajlloviqit si kryekriminel serb që u dënua me vdekje dhe u pushkatua në vitin 1945, meqë akuzohej se ishte fajtor për vrasjen e qindra mija serbëve, kroatëve, myslimanëve, hungarezëve, shqiptarëve etj. E tillë ishte edhe përmendorja e xhandarëve serbë të rënë në luftë kundër shqiptarëve në Luginë.

Dhe dekorit të lapidarëve në Serbi, e veçanërisht atyre që i ndërtuan serbët në Luginë nuk i mungon në asnjë rast kryqi i përmasave gjigante, i cili doemos duhet të jetë i pajisur me drita të fuqishme që mund të shihen nga largësia. I tillë është edhe lapidari serb në afërsi të fshatit Lluçan, i cili mund të shihet nga autostrada ditën, kurse natën edhe shumë më larg.

Ndërkaq, ndodhi paradoksi. Derisa Serbia është e përfshirë nga histeria e “lapidaromanisë” dhe “kryqomanisë” anembanë territorit të vet, ajo bënë luftë të “pakompromis” kundër lapidarëve joserbë. Kështu, në korrik 2012 u ngrit kundër lapidarit të Aqif Efendisë (me origjinë shqiptare), i cili ishte kryetar i komunës së Novi Pazarit dhe organizoi mbrojtjen e popullatës nga sulmet e hordhive çetnike kah fund i Luftës së Dytë Botërore. Ky lapidar qëndron i palëkundur edhe sot e kësaj dite.

Pastaj, erdhi në rend edhe lapidari i Preshevës. Këtu sulmi ishte edhe më i “furishëm”, duke koinciduar me afërsinë e datës së bisedimeve për Mitrovicën e veriut dhe për komunat tjera në veri të Kosovës. Me këtë u zhvendos vëmendja nga bisedimet e Brukselit tek lapidari i Preshevës. Kurse, Lugina e Preshevës nuk u përfshi fare në agjendën e bisedimeve të Brukselit. Pra, ra lapidari dhe e “harruam” Brukselin!

Gjykuar sipas hapave të bërë dhe “hyzmetit” që ia kanë bërë kësaj pune, këtu vend për rastësi nuk ka. Pra, Serbia me kohë kishte filluar ndërtimin e lapidarit për xhandarët e rënë serbë, duke zënë një hektar tokë në bregun e malit mbi Lluçan, me çka ka zaptuar tërë horizontin hapësinor që sidomos natën imponohet me dritat e kryqit gjigant nga largësia dhjetëra kilometrash. Pastaj, Serbia kishte ngritur “peshë” tërë rajonin për ta ndaluar lapidarin e dëshmorëve shqiptarë me qëllim që ta fshehë nga opinion imponimin e lapidarit serb që vendosej si provokim ndaj popullatës shqiptare, meqë aty nuk jeton asnjë serb i vetëm.

Ndërkaq, premieri i Kosovës – Hashim Thaçi – dhe premieri i Serbisë – Ivica Daçiq – me ndërmjetësimin e kryediplomates së BE baroneshës Eshton realizuan bisedimet mbi pesorëshe. Aty oferta e Kosovës ishte pakoja “Ahtisari Plus”, duke ofruar një shportë të madhe ndihmash ekonomike dhe pranimin e situatës faktike të strukturave paralele serbe, të cilat sipas Thaçit “do të hiqen”, kurse sipas Daçiqit ato u “legalizuan”. Për Luginën e Preshevës nuk u tha asnjë fjalë e vetme, duke e lënë atë krejtësisht jashtë agjendës së bisedimeve.

Derisa temperatura politike në Luginë është ngritur aq shumë dhe është duke vluar rreth lapidarit të rrënuar në Preshevë, si dhe atij serb në Lluçan, “treni” i bisedimeve të karakterit gjeopolitik në Bruksel, ku është duke u vendosur fati i Kosovës si shtet dhe statusi politik i serbëve të Kosovës, Lugina po mbetet në stacion duke pritur “trenin” tjetër, e mbërthyer në zhurmën dhe tensionet politike me rrezik real të shpërthimit të edhe një konflikti të armatosur, duke bërë “sehir” qytetarët e shqetësuar demonstrimin e forcës ushtarake të shtetit serb dhe të rimilitarizmit të çdo pëllëmbe tokë të kësaj treve tonë stërgjyshore.

Në trend

Më shumë
Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Lajme
Reagimi me një fjalë i ministrit izraelit – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagimi me një fjalë i ministrit izraelit – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Pas dhjetë orë pune, Robotin se mbajnë këmbët - rrëzohet në Chicago

Pas dhjetë orë pune, Robotin se mbajnë këmbët - rrëzohet në Chicago

Teknologji
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Siguri
Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Lajme
Kalo në kategori