LAJMI I FUNDIT:

Jo Juve, Lazio është në finale

Jo Juve, Lazio është në finale

Lazio ka shënuar fitore dramatike në minutën e fundit me rezultat 2-1 ndaj Juventusit që i ka mjaftuar skuadrës romake që të kualifikohet në finale të Kupës së Italisë.

Ndeshja u zhvillua në prani të rreth 70 mijë shikuesve në Romë, ndërsa ishte Juventusi ekipi që dominoi përgjatë gjithë pjesës së parë, teksa Lazio e parkoi autobusin.

Në pjesën e parë vlen të përmendim se gjyqtari ia mohoi një penalti të pastër Juventusit pas një ndërhyrje të portierit Marchetti në Mirko Vucinicin. Në fund të pjesës së parë edhe Giovinco e lëshoi një mundësi të mirë shënimi.


Në pjesën e dytë ndryshuan gjërat. Lazio filloi të marrë në dorë lojën dhe filloi të qarkullonte topin.

Pas një harkimi fenomenal nga Christian Ledesma, ishte Alvaro Gonzalez ai që me kokë është gjendur më së miri në mbrojtjen e dobët të Juventusit për të shënuar për 1-0 (53’).

Juventusi bëri mjaft presion deri në fund, por mbrojtja e Laziot në këtë takim ishte e pathyeshme deri në minutën e dytë të shtesës, kur Arturo Vidal u gjend më së miri në zonë (90 +2’) për të shënuar për 1-1, duke bërë të gjithë të mendojnë se ndeshja do të shkonte në vazhdime.

Pasi që gjyqtari dha gjashtë minuta lojë shtesë, Lazio nuk u dorëzua dhe në minutën e tretë të shtesës shënoi Sergio Floccari për 2-1 dhe rezultatin përfundimtar, ashtu sikurse gëzimin në stadiumin olimpik të Romës. Antonio Conte nuk mund t’i besonte syve.

Një minut pa përfunduar koha shtesë nga afërsia Giovinco lëshoi një mundësi të artë, ku Marchetti u tregua hero duke ndalur goditjen dhe as nga topi i kthyer nuk arriti që Juve të shënonte për 2-2.

Në finale Lazio kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 3-2 pas dy ndeshjeve dhe në finalen e madhe në Olimpico e pret Romën ose Interin. /Telegrafi/