LAJMI I FUNDIT:

Jetëgjatësia e Kosovës A varet nga Kosova e Re

Jetëgjatësia e Kosovës A varet nga Kosova e Re

Zotimi i Qeverisë se Kosovës për mbylljen e ndotësit më të madh në vend, Termocentralin “Kosova A” në vitin 2017 duket se nuk do të jetë i mundshëm . Zyrtarë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se sipas draft strategjisë së energjisë, mbyllja e “Kosovës A” bëhet në momentin kur kemi njësinë e re gjeneruese Termocentrali “Kosova e Re”.

“Do të jetë e pa mundur për shkak të gapit të madh që krijohen në terma të sigurisë së furnizimit”, thonë në MZHE.

Strategjia e energjisë së Republikës së Kosovës 2013 – 2022 bazohet në tri shtylla të cilat paraqesin kornizën për krijimin e politikave dhe planeve të veprimit për zhvillimin e sektorit të energjisë. Lidhur më këtë në MZHE thonë së Qeveria ende nuk është përcaktuar për ndonjërën nga shtyllat.

“Opsionet ende janë draft, do të selektohet ai i cili nuk rrezikon sigurinë e furnizimit me energji për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thonë në MZHE.

Sipas tyre, përparësitë e Termocentralit “Kosova e Re” me termocentralet ekzistues janë shumë të mëdha.

“Termocentrali ‘Kosova e Re’ do të ndërtohet në tërësi me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian, siç janë ‘Teknikat më të mira të mundshme (BAT)’, me emetime të ulëta (IED), njësia me koogjenerim, si dhe mundësia e ekstraktimit të CO2”, thuhet në përgjigjet e Divizionit për Komunikim me Publikun në MZHE.

Mbylljen e Termocentralit “Kosova A” nuk e sheh edhe aq të nevojshme, Skënder Bucolli, drejtor në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun të KEK-ut.
Sipas tij, KEK-u tashmë e ka dëshmuar se është faktor stabiliteti sa i përket sektorit energjetik.

“Në bazë të procedurave të gjitha remontet e planifikuara në Termocentralin ‘Kosova A’ dhe Termocentralin ‘Kosova B’ kanë rezultuar të suksesshme, me këtë edhe besueshmëria në të gjitha blloqet është rrit në nivelin e duhur”, tha Bucolli.

Ai tha se KEK-u gjatë nëntë mujorit të këtij viti ka arritur me sukses të realizojë prodhimin konform planifikimeve dhe bilancit energjetik.

“Ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për sezonin dimëror dhe nuk ka mëdyshje se prodhimi do të vazhdojë me të njëjtin ritëm”, tha ai.
Por nevojën emergjente për mbylljen e “Kosovës A” e përsërisin për të satën herë ambientalistët.
Daut Maloku kryetar i Partisë së Gjelbërit të Kosovës tha se “Kosova A” për shumë dekada ka shkaktuar impakt mjedisor që tejkalon dhjetëra here standardet mjedisore e shëndetësore .

“Mbyllja ishte paralajmëruar në vitin 2006 , mirëpo akoma vazhdon te zvarritet. Viti 2017 do të duhej të ishte viti i fundit eksploativ për TC ‘Kosova A’”, tha Maloku.

Edhe shumë grupe tjera ambientaliste në raportet e tyre vazhdimisht e kanë konsideruar Termocentralin “Kosova A” si ndotësin më të madh në vend dhe kanë kërkuar që sa më shpejt të bëhet e mundur mbyllja e tij. /Telegrafi/