0Shares

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga qeveria e ardhshme që të shikojë të gjitha kontratat e privatizimit, e me theks të veçantë ato që ishin profitabile si: Ferronikeli, Amortizatori, Ballkani i Suharekës, Sharcemi, Distribucioni, e shumë ndërmarrje të tjera shoqërore e publike.

Krasniqi në një shkrim të postuar në Facebook ka kërkuar nga qeveria e ardhshme, që veçanërisht të merret me zhvillimin ekonomik të vendit.

Postimi i plotë i Krasniqit:

DISA ÇËSHTJE QË DUHET TË HIQEN NGA RENDI I DITËS NGA QEVERIA E RE GJITHËPËRFSHIRËSE

Konsideroj se kapacitetet tona intelektuale e profesionale kanë rezultuar me argumente e fakte se bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit në mes Kosovës e Serbisë kanë qenë të dëmshme për vendin tonë. Nuk ka asnjë dyshim, Qeveria e ardhshme e Kosovës me urgjencë duhet të merret me dy çështje politike që janë bërë pengesë për shumë veprime të domosdoshme në të cilat duhet përqendruar. Madje, jo vetëm të merret me to, por edhe t’ju japë zgjidhjen e duhur! Zhvillimi i vendit, qeverisja e mirë e vendit nuk guxon të mbeten peng i dy marrëveshjeve të dëmshme politike, të cilave Kuvendi i Kosovës duhet t’ua japë zgjidhjen e duhur mbi bazën e një konsensusi nacional. Të gjithë duhet ta dimë se shtetin me shumë sakrifica e kemi bërë, por, shtetformimin nuk e kemi përfunduar. Prandaj përgjegjësia politike e partive politike dhe e liderëve të tyre duhet të jenë konform këtij realiteti.

1. Bisedimet politike të zhvilluara në mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, si në formë dhe në përmbajtje (duke përfshirë edhe largimin e gjithë aktorëve në ato bisedime) janë bërë domosdoshmëri. Bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit, për çështjet e brendshme të Kosovës, për çështjen e komunitetit serb duhen ndalur, pos atyre çështjeve që i trajton gjithanshmërisht Dokumenti i Presidentit Ahtisari, pra për ato gjera që jemi marrë vesh në Bisedimet e Vjenës. Për Marrëveshjen e 19 prillit 2013 Gjykata Kushtetuese ka konstatuar jo më pak se 23 nene të Kushtetutës janë të papajtueshme me Marrëveshjen e përmendur të Brukselit. Ndërkaq Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të funksionalizohet vetëm mbi bazën e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare. Varianti i Asociacionit i arritur në Marrëveshjet e Brukselit është antikushtetues dhe si i tillë ai nuk është i pajtueshëm as më Kart ën Evropiane për decentralizimin e pushtetit vendor dhe Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës.

2. Dihet se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, nga ekspertë të lëmive të ndryshme është dëshmuar se ishte e gabuar. Sipas ekspertëve, Kosova me atë marrëveshje ka humbur mbi 8200 hektarë tokë. Dëshmitë që kanë ofruar ekspertët janë të mjaftueshme që Kuvendi i Kosovës, Ratifikimit të asaj marrëveshje duhet t’i thotë JO dhe tek pastaj të nisin hapat e rinj për të ecur tutje me marrëveshje të re apo arbitrazh. Qeveria e ardhshme nuk duhet të zvarritë këtë çështje politike, e cila pa ndonjë arsye na ka lënë varur dhe është bërë kusht për liberalizimin e vizave.

3. Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe investimeve të jashtme apo të brendshme, nuk mund të bëhet fjalë pa e konstatuar gjendjen se ku jemi. Kështu që së pari duhet të konstatojmë: sa e si Procesi i Privatizimit në Kosovë (i filluar në kohën e UNMIK-ut) e ndihmoi zhvillimin ekonomik të vendit? Sa ishte i kriminalizuar ky proces? Kush përfitoi e kush humbi? Duhet të shikohen të gjitha kontratat e privatizimit e me theks të veçantë ato që ishim profitabile si: Ferronikeli, Amortizatori, Ballkani i Suharekës, Sharcemi, Distribucioni e shumë e shumë ndërmarrje të tjera shoqërore e publike. Gjithashtu duhet të dihet pse nuk pati investime gjatë këtyre viteve në Kosovë, kush i pengoi ato dhe pse? Pse nuk u investua në ndonjë termocentral të ri kur dihet se thëngjilli fle nën tokën tonë, e të ngjashme. Një çështje tjetër që kërkon zgjidhje adekuate është pasuria nëntokësore.

4. Gjithashtu është e domosdoshme të konstatohet gjendja në Telekomin e Kosovës. Kush e solli në këtë gjendje dhe pse? Nuk ka asnjë dyshim, telekomi është në krizë! Ndaj, a jemi duke i marrë masat konform gjendjes? Madje kush duhet t’i merr këto masa? Konform gjendjes që është krijuar aty, duhet t’i marrim masat adekuate për t’ia rikthyer publikut pasurinë e tij! Këtu nuk duhet pritur më për t’i marrë masat e duhura për ta shpëtuar atë ndërmarrje publike nga kolapsi ku e ka sjellë krimi i organizuar!

5. Gjendja aspak më e mirë nuk është as në Arsim e Shëndetësi. Raporti i PISA-sëështë tregues më i mirë i gjendjes së mjerë në këtë segment tepër të rëndësishëm për tëardhmen e vendit. Edhe në këto sisteme publike duhet marrë masat e duhura për ta bërë kthesën e duhur.

6. Për Sistemin e Drejtësisë e sidomos për Prokurorinë e Shtetit nuk do të shtoj asgjë të re, pasi kjo është krejt jashtë sistemit dhe përgjegjësisë së saj kushtetuese e ligjore. Depolitizimi i saj dhe funksionimi i saj sipas ligjit e Kushtetutës është i domosdoshëm. Ndonëse në gjendje më të mirë nuk është as Gjyqësori.

Jam i bindur se në të gjitha fushat e përmendura gjendja është e tillë, për shkak së organeve vendimmarrëse të partive të mëdha politike që ishin në qeverisje dhe liderëve të tyre, të cilave/cilëve ju ka munguar dhe po ju mungon vullneti politik për të qeverisur në të mirë të qytetarëve dhe fatkeqësisht kjo gjendje po vazhdon edhe sot e gjithë ditën. Pa dyshim kjo gjendje është stimuluar shumë edhe nga jashtë. Mungesa e këtij vullneti po vazhdon edhe pas 11 qershorit 2017! Këtu prodhohen lajme ditore që nuk i hyjnë askujt në punë dhe për asgjë!

Siç po shihet, krejt çështja është si t’i shfrytëzojmë kapacitete politike, profesionale e shkencore për të bërë incizimet e sakta të problemeve në sektorët e përmendur, e sidomos aty ku na mungojnë konstatimet e sakta! Ajo që dihet është se mjekësia kurrë nuk e shëron të sëmurin pa e caktuar saktë diagnozën e tij! Ne duhet t’i dimë saktë ku i kemi problemet, për të krijuar mekanizmat e duhur dhe gjetur njerëzit e duhur për zgjidhjen adekuate të problemeve.

Kriza paszgjedhore e shfaqur në jetën tonë politike, e cila është mjaft kontroverze, sikur e qet në plan të parë krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse për t’i dhënë kobit e vendit një orientim të ri. Natyrisht, nuk ka orientim të ri pa e arritur një konsensus për njeriun dhe çështjet që duhet të zgjidhen në mandatin gjithëpërfshirës të qeverisjes. Ndaj kjo qeveri gjithëpërfshirëse do të duhej të shërbente edhe për shtensionimin e kundërthënieve politike, të cilat kanë arritur në një shkallë të lartë mosdurueshmërie politike. Politika shqiptare, së këndejmi edhe ajo qytetare e ka të domosdoshme identifikimin e çështjeve që janë të përbashkëta, pa ia mohuar askujt të drejtën për t’i ruajtur të veçantat e tyre politike.

Politika jonë, kështu si ishte e si është katandisur, zor se i ka kapacitetet e nevojshme politike, intelektuale, kombëtare e profesionale për të ardhur në përfundimet e duhura se nga duhet ecur në politikë, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në drejtësi e në shtetndërtim!

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)