LAJMI I FUNDIT:

Iu vazhdohet arresti shtëpiak aktivistëve të Vetëvendosjes

Iu vazhdohet arresti shtëpiak aktivistëve të Vetëvendosjes

Në seancën dëgjimore për rastin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, të dyshuar për sulmin terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, kërkesat e palës mbrojtëse ishin që të hedhet poshtë aktakuza, që të pushojnë hetimet dhe po ashtu të dyshuarve t’u hiqet masa e arrestit shtëpiak.

Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, pasi ka dëgjuar edhe prokurorin Abdurrahim Islami, nuk i mori parasysh këto kërkesa, duke e lënë masën për arrest shtëpiak deri në seancën tjetër dëgjimore për katër të akuzuarit: Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha.


Avokati i Frashër Krasniqit, Tomë Gashi, nuk pati për të shtuar diçka, përveç asaj që i ka dërguar gjykatës me shkrim, i cili kërkoi që vet klienti i tij Frashër Krasniqi, para trupit gjykues dhe prokurorit të rastit të jep shpjegime rreth aktakuzës.

I akuzuari Frashër Krasniqi tha se të gjeturat nga prokuroria më shumë dëshmojnë pafajësinë, se sa fajësinë. Provat e paraqitura nga prokuroria, sipas tij, janë më shumë montime për aktivistët e Vetëvendosjes, të cilët janë arrestuar për shkak të protestave për Demarkacion dhe për t’i frikësuar aktivistët edhe qytetarët tjerë.

Krasniqi po ashtu shtoi se përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit në burg, është prokurori Abdurrahim Islami.

Ai shkoqiti në fjalën e tij, përse prokurori ngriti aktakuzën aq shpejt, për një javë. I cili kërkoi të dije pse ndodhi kjo, pikërisht një ditë para protestës së organizuar nga LVV. /KP/