LAJMI I FUNDIT:

Ismet Bexheti, këngëtari i lirisë!

Ismet Bexheti, këngëtari i lirisë!

Këngëtarët e gjeneratave të ndryshme, ku bën pjesë edhe Ismet Bexheti, kanë pasur shumë ndikim te masat, por edhe mision të pashoq për të nxitur ndjenjën e atdhedashurisë për breza e ndër breza. Ata e nxitën frymëzimin, i himnizuan figurat kombëtare, por edhe nëpërmjet zërit të tyre, sikur lëshuan kumtin për Liri dhe Pavarësi, e cila do të vijë falë luftës sonë dhe aleatëve shekullorë.

Ismet Bexheti, pa dyshim ka hise në Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, duke e ndihmuar atë në forma të ndryshme. Meqë sot kremtojmë përvjetorin e Pavarësisë, ja si e ka ndihmuar atë dhe cili është Ismeti në jetën e përditshme, ndiqni intervistën e rrallë të tij, por ekskluzive vetëm për ne.


Njiheni si këngëtari i parë i trevës së Kumanovës që me plot afsh dhe guxim kënduat për trimërinë. Patriotizmin artistik e keni trashëgim, apo e ndieni si një obligim?

Unë vij nga Kumanova, e cila ka shumë këngëtarë të mirë dhe që i kanë kënduar edhe trimërisë. Si fëmijë “krahinat” i kam dëgjuar nga babai im, edhe në të gjallë edhe të incizuara. Pa dyshim që këto kanë lënë gjurmë në thellësinë e shpirtit tim dhe dikur e kam ndier obligim që të shpërfaq në atë frymë. Këngët e mia shpërthyen nivelin lokal, fillimisht, me albumin tim të parë “Çka ka hasmi”. Unë nuk u ndala vetëm me albumin e parë, duke kërkuar frymëzim për luftën për liri. E pas çlirimit të Kosovës e deri sot vazhdoj të krijoj dhe të këndoj për ata që dhanë më të shtrenjtën për liri.

Po si filluat, ku arritët me këngën dhe a synoni që figurat gjithëkombëtare t’i përjetësoni nëpërmjet saj deri në altar?

Fillimisht, që në moshë të re kam qenë anëtar i SHKA “Bajram Shabani” dhe SHKA ”Jehona e Karadakut”. Motivi dhe shkëndija e parë për të krijuar këngë patriotike ishte rezistenca e Tahir Mehës në shtëpinë e vet në Prekaz, përballë një makinerie të plotë ushtarako-policore jugosllave. Këngën për Tahir Mehën e kam krijuar dhe kënduar me qëllim që nëpërmjet luftës së tij heroike në mbrojtje të pragut të shtëpisë, të përcjell mesazhin që shpirti luftarak dhe gjaku fisnik shqiptar ende frymon dhe jeton pothuaj në çdo shtëpi të shqiptarit.

Jeni ndër këngëtarët e rrallë që talentin tuaj nuk e keni materializuar, por keni kënduar për të mos u harruar?

Kënga është pjesë e artit, e cila jetën, dashurinë, bukurinë i shpreh në një formë artistike. Qëllimi parësor i këngës duhet të jetë përcjellja e mesazhit dhe jo përfitimi material. Për këngëtarin është kënaqësi e madhe që kënga të mos mbetet vetëm e tij, por të vazhdojë edhe më tej të jetojë në popull dhe në kohë, duke u përcjellë edhe nga këngëtarët e tjerë.

Këngët tuaja ishin dhe mbesin udhërrëfyese dhe ndezin shpirtin atdhetar te çdo shqiptar. A është ky mision i çdo artisti?

Nëpërmjet këngëve përkushtuese patriotike kam vënë në pah simbolet e rezistencës, kushtrimin për liri, në raste të caktuara kam shprehur edhe mllefin “ku janë trimat, ku është lavdia?!”, gjithashtu në tekstet e mia përshkruhet ndjenja kulmore e humane e të qenit luftëtar i lirisë.

Kënga juaj lapidare “Mirë se vjen, o vëlla”, sikur ishte një kushtrim për mobilizim për luftën çlirimtare?

Kënga” Mirë se vjen, o vëlla” përshkruan një moment madhështor dhe krenar kur luftës së Kosovës i përgjigjen luftëtarët nga të gjitha trojet shqiptare, po edhe bashkëluftëtarët dhe shokët e mi nga Kumanova.

Madje luftën çlirimtare, përveç moralisht, e keni ndihmuar edhe në forma të tjera. Cilat janë ato?

Unë nuk kam ndihmuar luftën çlirimtare, por e kam pasur obligim, sepse kam qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare. E pos tjerash, e ndiej veten të lumtur që e kam pasur fatin që komplet teknikën e radios ”Zëri i Kumanovës”, t’ia fal ushtrisë dhe popullit tim. Në kulmin e punës së Radio Zëri i Kumanovës, e kam ndërprerë sinjalin dhe komplet teknikën e saj e kam përcjellë për në vendin më të ndritshëm në Berishë, si “Kosova e lirë”, në mesin e luftëtarëve të lirisë.

Pas çlirimit keni kënduar në koncertin e parë me shumë këngëtar. Si jeni ndier në ato çaste kur Prishtina po kremtonte?

Shumë gjenerata i kënduan lirisë, por nuk e përjetuan. Ne kënduam për lirinë, por dhe arritëm të këndojmë në liri. Kjo ndjenjë vështirë mund të përshkruhet me fjalë.

Luftës së Kosovës i keni dhënë edhe bashkëkombësin tuaj, dëshmor e hero, Ismet Jashari-Kumanova. Sigurisht ndiheni krenar edhe për të?

Kumanova ka dhënë shumë dëshmorë. Pa dyshim që Ismet Jashari është pishtar që i dha dritë edhe Kumanovës. Dhe kjo, jo vetëm mua, por çdo kumanovar e bën të ndihet krenar.

U keni kënduar edhe luftëtarëve të lirisë, pastaj pavarësisë. Mendoni se artisti, këngëtari, ua ka borxh trimave së paku këngën dhe himnizimin?

Këngëtarët duhet t’u këndojnë atyre që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës, jo për të kryer një borxh, por për të mbajtur të gjallë dashurinë ndaj atdheut dhe lirisë së fituar me jetën e çmuar të dëshmorëve. Kënga është gjëja më e vogël për dëshmorët, por kujtimi për ta përmes këngës duhet të jetë i përjetshëm.

Kosova po feston nëntëvjetorin e Shtetësisë. Si e përjetoni këtë datë, për të cilën edhe ju ishit angazhuar, pa hezituar?

Pavarësia e Kosovës është një pjesë e realizuar e ëndrrës së Shqiptarit.

Ju, i këndoni lirisë, por edhe dashurisë. Duket se ky binom nuk ndahet, sepse pa dashuri nuk ka liri, sikurse nuk ka liri, pa dashuri?

Në opusin e këngëve të mia përfshihen këngët lirike, të dashurisë, patriotike si dhe këngët e kurbetit si plagë e vjetër e gjakut tonë të shpërndarë në të katër anët e globit.

Kush këndon, nuk mendon keq. A pajtoheni me thënien se, ‘arti fisnik, lind nga njeriu fisnik’?

Po. Arti e fisnikëron njeriun. Kënga nuk e fisnikëron vetëm atë që këndon, por edhe atë që e dëgjon. Dua të përmend Platonin, sipas të cilit, muzika njeriut i kaplon brendinë e shpirtit” duke futur në të fisnikërinë dhe mirësjelljen”.

Çfarë të frymëzon nga realiteti, për ta përdorur pastaj në krijimet e tua muzikore?

Frymëzimi im për këngën time është realiteti që më rrethon.

Kemi bindjen se shumicën e teksteve i shkruani vetë. A është e vërtetë?

Kryesisht tekstet dhe muzikën i bëj vetë. Madje kam shkruar e kompozuar edhe për këngëtarë të tjerë, si dhe në zhanre të tjera, deri te këngët për fëmijë.

Pas hyrjes në një treg kaotik, bota e artit gjendet befas në një luftë mes interesave të mirëfillta ekonomike dhe vlerave të vërteta. Si e gjykoni këtë luftë dhe, nëse do të mundeshit, a mund ta pasqyroni përgjigjen tuaj me situata konkrete?

Nuk ekziston luftë e vlerave me antivlerat, sepse kompozitorët dhe producentët profesionistë, po edhe institucionet relevante, moti i kanë dorëzuar “armët” para “kasetaxhinjve”, të cilët e kanë marrë industrinë muzikore totalisht nën kontroll.

Një pyetje që është bërë gjithmonë, por që realisht vlen të bëhet sërish: është ky treg kaotik që ushqen shijet e publikut, apo është publiku që kërkon të ketë këtë cilësi që i ofrohet?

Industria e muzikës në treg i ofron konsumuesit mall që është i dëmshëm për shpirtin, sikur që industria e duhanit ofron mallin e dëmshëm për shëndetin.

Po mediet, çfarë roli luajnë në këtë drejtim?

Mediet elektronike, si radio dhe televizioni, shumë pak bëjnë në mbrojtjen nga antivlerat. Mbi muzikën vendëse promovohet muzika e huaj, mbi muzikën e mirëfilltë mbizotërojnë kiçi dhe shundi. Pra, tabani folklorik, i përcjellë me gjenerata e me shekuj brez pas brezi, është në rrezik të zhdukjes.

Gjendemi kështu përballë situatës kur media, sipas jush, nuk luan siç duhet rolin e saj, artistët vetë nuk janë të organizuar për të mbrojtur vlerat, ndërsa tregu, në anën tjetër, funksionon në kaos, e publiku përtyp atë që i ofrohet! Kush duhet të kujdeset në këtë mes për të ruajtur vlerat?

Politikën mediale në aspektin e aktiviteteve muzikore do të duhej ta bënin institucionet shtetërore, ashtu si bëhet në vendet e tjera të botës. Të kujtojmë se në vitet ‘90, megjithëse nuk funksiononin institucionet në Kosovë, e me këtë edhe mediet, ne, këngëtarët dhe producentët, i kishim vënë vetes një obligim moral për të ruajtur vlerat. Paradoksalisht, pas luftës, kur krijohen institucionet tona, nuk ka politikë mediale të mirëfilltë për aktivitetet muzikore. Fatkeqësisht, shumë nga këngëtarët që i kanë ruajtur vlerat në kohëra më të vështira, sot janë promovuesit më të mëdhenj të kiçit dhe shundit në muzikë.

Lini përshtypjen se bëni një jetë modeste dhe të qetë, pra keni një familje të dashur dhe të çmuar?

Jetoj me gruan dhe tre fëmijët: dy djem dhe një vajzë. Gjithashtu me mua janë edhe dy prindërit e mi. Për mua nuk ka pasuri më të madhe se kjo.

Çfarë kanë arritur të marrin nga nektari juaj, trashëgimtarët tuaj?

Fëmijët nga unë e kanë marrë shpirtin muzikor, të cilin e manifestojmë shumë shpesh bashkërisht, duke kënduar të shoqëruar me telat e kitarës.

A po e ndjek rrugën tënde ndonjë fëmijë juaji?

Si profesion nuk e kam pasur dëshirën as më të vogël t’ua lë fëmijëve. Për mua është më fisnike që fëmijët të jetojnë me këngën, por jo të jetojnë nga kënga.

Ju, jeni edhe kryetar i Bordit të RTK-së. Shquheni për bashkëpunim, balancim dhe neutralizimin e ndonjë problemi eventual, nëpërmjet kulturës së dialogut, pra me maturi dhe me fjalë. Dua të them, nuk i hidhni benzinë zjarrit?

Mua këto fjalë më bëjnë të jem edhe me i përkushtuar në këtë drejtim, duke dhënë kontributin tim në funksion të mbarëvajtjes së institucionit edhe në aspektin tim profesional. Bagazhi im profesional përmbledh tri fusha të ndryshme: Fusha e gjuhës dhe letërsisë, e shkencave muzikore si ngritje arsimore, si dhe nga fusha e medies si përvojë shumëvjeçare e mëhershme.

Cili është Ismeti, jashtë skenës dhe larg rutinës, pra jashtë zyrës?

I pasionuar pas leximit.

Cili do të ishte mesazhi juaj?

Duke uruar 17 Shkurtin – Ditën e Shtetësisë së Kosovës, le të kthejmë kryet mbrapa, për t’i kujtuar gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë, si dhe për t’u mishëruar me aspiratat supreme të kombit shqiptar. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Izraeli sulmon Iranin me raketa

Izraeli sulmon Iranin me raketa

Botë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori