LAJMI I FUNDIT:

Investimet e KEDS-it po i paguajnë qytetarët

Investimet e KEDS-it po i paguajnë qytetarët

Zyra e Rregullatorit e Energjisë Elektrike (ZRRE) konfirmon për gazetën “Zëri” se investimet që është duke i bërë KEDS-i në modernizimin e rrjetit të energjisë elektrike po i paguajnë qytetarët e Kosovës përmes faturave të energjisë elektrike

Qytetarët e Kosovës krahas pagesës së energjisë elektrike në faturat e tyre mujore po paguajnë edhe investimet që është duke i bërë KEDS-i në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se përpos investimeve qytetarët nëpër faturat e tyre janë duke paguar edhe energjinë elektrike që po shpenzojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës e që brenda një viti është rreth 8 milionë euro. Modernizimi i rrjetit dhe ulja e humbjeve të energjisë elektrike ka qenë arsyeja kryesore e privatizimit të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Por, ndonëse kanë kaluar më shumë se tre vjet humbjet e energjisë thuajse janë të njëjta, derisa ndryshimet në rrjet që po i bën KEDS-i po u faturohen qytetarëve të Kosovës.


Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se të gjitha kostot e investimeve si në gjenerim, transmision dhe në shpërndarje të energjisë elektrike përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale që mblidhen nga tarifat e energjisë. Por, në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it mohojnë një gjë të tillë.
Zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj, thotë se rregullimi i sektorit të energjisë është i bazuar në ligjet e energjisë dhe rregullat tjera në fuqi për rregullimin e këtij sektori. Sipas saj, duke u bazuar në parimet ndërkombëtar të rregullimit ekonomik dhe legjislacionin në fuqi në vendin tonë, në çmimet finale të produktit ose shërbimit, që e ofron një entitet, duhet të përfshihen të gjitha kostot e arsyeshme operative dhe kapitale në mënyrë që ai entitet të mundë të funksionojë dhe të jetë i qëndrueshëm financiarisht.
“E njëjta ndodh edhe gjatë shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale të operatorëve të rregulluar në sektorin e energjisë elektrike në vendin tonë. Të gjitha kostot e investimeve si në gjenerim, transmision dhe në shpërndarje të energjisë elektrike përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale që mblidhen nga tarifat e energjisë”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Murtezaj. Sipas saj, të gjitha kostot e arsyeshme të sistemit hyjnë në të hyrat e lejuara maksimale të operatorëve dhe mblidhen nga tarifat që paguajnë konsumatorët, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime.

Por në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala thotë se të gjitha investimet e ndërmarra deri më tash janë bërë nga KEDS-i. Sipas tij, kjo mund të verifikohet në pasqyrat tona financiare, por edhe në raportet që ne i dërgojmë në ZRRE, si autoriteti mbikëqyrës. “Çdo vit ne paraqesim në ZRRE maksimumin e të hyrave të lejuara, ku përfshihet gjithashtu edhe investimet e planifikuara dhe në bazë të aprovimit të tyre ne ndërmarrim investimet”, ka thënë Buzhala për gazetën “Zëri”. Sipas tij, faturat e qytetarëve përfshijnë vetëm shpenzimin e tyre të energjisë, të ndarë në bllok-tarifa të aprovuara nga ZRRE-ja. “Nuk ka tjetër kosto që është e përfshirë në faturat e qytetarëve”, shtoi Buzhala. /Zëri/Telegrafi/