LAJMI I FUNDIT:

Implantimi i neuroneve kundër sëmundjes së Parkinsonit

Implantimi i neuroneve kundër sëmundjes së Parkinsonit

Hulumtuesit brazilianë në D'OR Institute for Research and Education (IDOR) dhe Universitetin Federal të Rio de Janeiro (UFRJ) e kanë bërë atë që ata e përshkruajnë si një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të implantimit të neuroneve të gjeneruara nga qelizat burimore si një trajtim për sëmundjen e Parkinsonit.

Duke e përdorur një substancë të aprovuar nga FDA për trajtimin e kancerit të lukthit, Rehen dhe kolegët ishin në gjendje të rrisin neurone dopaminë-prodhuese që rrjedhin nga qelizat burimore embrionale të cilat mbetën të shëndosha dhe funksionale deri në 15 muaj pas transplantimit në minj, duke e rikthyer funksionin motorik pa formimin e tumoreve.

Parkinsoni, i cili i prek më shumë se 10 milionë njerëz në botë, shkaktohet nga një reduktim i neuroneve dopaminë-prodhuese në tru. Trajtimet aktuale përfshijnë ilaçe dhe implante elektrike në tru të cilat shkaktojnë efekte të rënda negative me kalimin e kohës dhe dështojnë në parandalimin e përparimit të sëmundjes.


Disa studime kanë treguar se transplantimi i qelizave burimore i përmirëson funksionet motorike në modelet e kafshëve. Megjithatë, deri tani, procedura ka treguar të jetë e pasigurt, për shkak të rrezikut nga tumoret pas transplantimit.

Për ta adresuar këtë çështje, studiuesit testuan për herë të parë për t’i para-trajtuar qelizat e padiferencuara burimore të miut me mitomicinë C, një ilaç i përshkruar tashmë për ta trajtuar kancerin. Substanca e bllokon replikimin e ADN-së dhe i parandalon qelizat të shumohen jashtë kontrollit.

Hulumtuesit përdorën minj të modeluar për Parkinsonin. Kafshët u ndanë në tre grupe. I pari, grupi i kontrollit, nuk kishte marrë implante të qelizave burimore. I dyti, kishte marrë implante të qelizave burimore të cilat nuk ishin trajtuar me mitomicinë C dhe i treti kishte marrë qeliza të trajtuara me mitomicinë C.

Pas injektimit të 50.000 qelizave burimore të patrajtuara, kafshët e grupit të dytë treguan përmirësim në funksionet motorike por të gjitha vdiqën në mes javës 3 dhe 7 më vonë. Këto kafshë zhvilluan gjithashtu tumore intracerebrale. Në kontrast, kafshët që pranuan qeliza të trajtuara burimore treguan përmirësim në simptomat e Parkinsonit dhe mbijetuan deri në fund të periudhës së vëzhgimit 12 javë pas transplantimit pa tumore të detektuara. Katër prej këtyre minjve janë monitoruar deri në 15 muaj më pas, pa shenja të patologjisë.

Për më tepër, shkencëtarët treguan gjithashtu se trajtimi i qelizave burimore me mitomicine C nxiti një rritje të katërfishtë në lirimin e dopaminës pas diferencimit in-vitro.

"Kjo strategji e thjeshtë me qeliza burimore pluripotente të ekspozuara shkurtimisht ndaj një ilaçi antikancerogjen e bëri transplantimin më të sigurt, duke e eliminuar rrezikun e formimit të tumorit", thotë udhëheqësi i studimit Stevens Rehen, profesor në UFRJ dhe studiues në IDOR.

Zbulimi, i raportuar në prill në revistën Frontiers in Cellular Neuroscience, mund t’i hap rrugë hulumtuesve, transmeton Koha.net, dhe mjekëve për ta propozuar një provë klinike duke përdorur qeliza burimore pluripotente të trajtuara me mitomicinë C përpara transplantimit për t’i trajtuar pacientët me Parkinson dhe sëmundje të tjera neurodegjenerative.

"Teknika jonë me mitomicinë C mund ta përshpejtojë propozimin e provave klinike me qelizat pluripotente ndaj disa sëmundjeve të njeriut", thotë Rehen. "Ky është hapi i parë për të bërë të mundshëm këtë lloj të trajtimit me qeliza burimore". /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori