LAJMI I FUNDIT:

Ibrahimi premton përkrahje për kompaninë “Agropal” – shfrytëzuese e masave për punësim

Ibrahimi premton përkrahje për kompaninë “Agropal” – shfrytëzuese e masave për punësim

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, së bashku me drejtorin e Agjencisë për punësim, Vllatko Popovski, sot e vizituan kompaninë “Agropal” në Bërvenicë të Tetovës që ka gjashtë të punësuar të cilët mbledhin dhe përpunojnë mbeturina të plastikës në thasë të plastikës dhe letra alumini që pastaj plasohen, në tregun vendor dhe atë të huaj, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas kompetentëve rritja e tyre dhe hapja e të ashtuquajturave vende pune të gjelbërta është ndihmuar nga masat operative për punësim që në dhjetë vitet e fundit nga zbatimi i tyre kanë hapur mbi 40 mijë vende të reja pune në kompanitë nëpër shtet.


“Kompani që veçmë 20 vite është aktive në treg dhe një nga kompanitë që me të vërtetë tregon se si biznesi privat mund të zhvillohet. Në periudhën e fundit ato shfrytëzuan tre masa nga plani operativ për punësim Maqedonia punëson 1, punësim i subvencionuar dhe trajnim te punëdhënësi i njohur. Tani bëjmë plane se si t’u ndihmojmë në të ardhmen”, deklaroi ministri Ibrahimi.

Drejtori i Agjencisë për punësim Popovski theksoi se kjo kompani është shembull ku disa masa qeveritare kanë sjellur deri te rritja e punësimeve dhe mbi 15 persona janë punësuar me to.

Nga kompania presin se ndihma nga institucionet kompetente do të vazhdojë edhe në të ardhmen./Telegrafi/