LAJMI I FUNDIT:

I shtrenjti tren

I shtrenjti tren

“Më lirë sesa të udhëtosh me tren, s’ka”, kështu mendon Selmani, qytetar, i cili gati çdo ditë në orën 8:02 i hipën trenit në Ferizaj për në Han të Elezit. Për rreth një orë rrugë ai paguan 1.20 euro biletë. Me mjete tjera transporti, bileta do t'i kushtonte 2 euro.

Si ai janë edhe qindra udhëtarë të rregullt që trenin e kanë zgjedhur për mjetin më të lirë të transportit. Por, a e dinë ata se sa shpenzon një lokomotivë për ta bartur atë në destinacionin e caktuar?

Këtë vështirë ta kenë menduar edhe të tjerët që udhëtojnë në relacione edhe më të gjata, përveç zyrtarëve të vetë kompanisë “Trainkos” që e menaxhojnë transportin hekurudhor.

Një tren nga stacioni kryesor në Fushë Kosovë deri në Han të Elezit dhe anasjelltas i shpenzon 338 litra naftë. Me çmimin aktual të naftës në tregun e Kosovës i bie që ky udhëtim të kushtojë hiq më pak se 415 euro. Ndërkaq, nga shitja e biletave nuk e mbulon as gjysmën e shpenzimeve.

Pjesa më e madhe e udhëtarëve të rregullt janë të liruar nga pagesa sipas rregullave të caktuara nga kompania “Trainkos”, shkruan gazeta “Tribuna”.

Afrim Kuleta, zyrtar për informim në këtë kompani, tregon se veteranët e luftës, invalidët e luftës, e disa kategori tjera janë të liruara nga pagesa, ndërsa disa kategori tjera të udhëtarëve kanë zbritje deri në 50 për qind. “Të hyrat nga shitja e biletave nuk i mbulojnë shpenzimet që krijohen në trenat e udhëtarëve, shpenzimet që krijohen në transportin e udhëtarëve nuk mund t’i mbulojnë pothuajse shumica e hekurudhave në botë”, thotë Kuleta.

Mirëpo, transporti publik i udhëtarëve me tren, sipas tij, zakonisht subvencionohet nga shteti për mbulimin e humbjeve të krijuara.

Në hekurudhat e Kosovës çdo ditë qarkullojnë 10 trena udhëtarësh në relacione të ndryshme. Mosha e tyre nuk është shumë e re në bazë të të dhënave të kompanisë menaxhuese, që disa janë ndërtuar qysh para 55 vjetësh. /Telegrafi/