LAJMI I FUNDIT:

Hoxha këmbëngul se ka aktakuzë për zyrtarët e Shërbimit Korrektues

Hoxha këmbëngul se ka aktakuzë për zyrtarët e Shërbimit Korrektues

Dhurata Hoxha, ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion. Raportimi i Hoxhës është i pari prej se ka marrë postin e ministres së Drejtësisë.

Hoxha ka raportuar për arrestimin e policit Nehat Thaçi nga policia e Serbisë, për njoftimin për suspendim të zyrtarëve të suspenduar të Shërbimit Korrektues të Kosovës, për lëndët e pazgjidhura, për përzgjedhjen e gjyqtarëve në veri dhe për shumë çështje tjera që kanë lidhje me Ministrinë e Drejtësisë.

Ministrja Hoxha tha se lidhur me rastin e Thaçit i kanë dërguar një notë verbale Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë dhe më nuk kanë ndonjë informatë në lidhje me këtë rast.

“Unë kam dërguar një notë verbale ministrisë së Drejtësisë së Serbisë . Ka qenë nota e parë verbale që i është dërguar drejtpërdrejt përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd. Jemi shumë të shqetësuar me rastin në fjalë. Por Ministria e Drejtësisë e ka bërë punën e tyre i kemi marrë veprimet përkatës sa i përket mandatit tonë. Jemi duke u informuar në mënyrë të rregullt nga zyra jonë ndërlidhëse në lidhje me rastin e Thaçit. Dje është mbajtur seanca në Gjykatën për krim të organizuar në Beograd , ekipi i avokatëve ka pasur mundësinë të shprehet.. Kjo është informata e fundit që kemi ne “, tha Hoxha.

Ministrja Hoxha ka folur lidhur me një njoftim dërguar nga Ministria e Drejtësisë me anë të cilit është thënë se zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë suspenduar për shkak të ngritjes së një aktakuze.

Ajo nuk ka pranuar se me këtë lajm ia kanë huqur ashtu siç është shkruar në media.

“Nuk ka qenë aspak e vërtetë . Ministrja nuk ia ka huq. Ne kemi pranuar një shkrese nga Prokuroria e Shtetit dhe sipas ligjit për shërbyesit civil kemi vepruar menjëherë. E kam këtu shkresën por është shkresa konfidenciale dhe nuk do ta kisha ndarë me media po ndoshta ju anëtarët e Komisionit. Këtu specifikisht një fjali thotë: Me 22 shtator ju njoftoj se kundër punonjësve dhe ish punonjësve, kanë filluar hetimet , gjegjësisht është ngritur aktakuza”, tregon Hoxha.

Deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, ka kërkuar të dijë rolin e përzgjedhjes së gjyqtarëve në veri , pasi sipas saj ka zëra se aty ka të infiltruar njerëz që në të kaluarën kanë kryer gjenocid.

Në lidhje me këtë pyetje ministrja Hoxha tha se në këtë çështje Ministria ka rol të kufizuar dhe e vetme që kanë mundur të bëjnë është organizimi i provimit të jurisprudencës.

Hoxha ka thënë se sa i përket kësaj çështje Ministria e Drejtësisë ka rol të kufizuar.

“Sa i përket integrimit të gjyqtareve apo prokurorëve në veri Ministria e Drejtësisë në shtator ka organizuar provimin e jurisprudencës dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës , gjithë dokumentacioni i kërkuar me ligjin për jurisprudencën është dorëzuar . Nuk ka pasur trajtim referencial ta quaj ashtu po sikur gjithë kandidatët të tjerë të cilët kanë qenë për t’u integruar në sistemin gjyqësor apo prokurorial të Kosovës i kanë përmbushur gjitha kushtet…Ne ndoshta do të kërkojmë që të kemi transparencë në procesin i cili po vije po nuk mund të ndikojmë më tepër . Është gjykatë ka pavarësinë e vetë dhe vetëm në kuadër të bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha Hoxha.

Duke folur në këtë komisioni, anëtarja nga radhët e PDK-së Selvije Halimi, ka folur edhe për vendimin e Gjykatës në rastin “Drenica II”.

Halimi tha se vendimi i djeshëm pavarësisht nga kush është marr, vendorët apo ndërkombëtarët ai vendim ka qenë më i rëndi që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Është lënduar një shtet i tërë që nga pas lufta e dytë botërore …që kanë sakrifikuar për këtë vend. Kush duhet t’i dënoj ata që për gjysmë shekulli persekutuan shqiptarë. Askush.. “, tha Halimi.

Ndërsa deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka kërkuar të dijë nga ministrja Hoxha se a janë ende 200 mijë lëndë të pazgjedhura si dhe nëse prokurorët dhe gjyqtarët janë të politizuar.

Sa i përket numrit të madh të lëndëve ministrja Hoxha tha se këtë problem janë duke u munduar ta përmirësojnë me anë të ligjit për ndërmjetësim.

Hoxha ka sqaruar se me anë të këtij ligji të bëhet kategorizimi i rasteve në mënyrë që lëndët të zgjidhen me ndërmjetësim ose me anë të përmbaruesve privatë.