LAJMI I FUNDIT:

Hoti u premton bizneseve lirim nga lënda e parë

Hoti u premton bizneseve lirim nga lënda e parë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa, Avdullah Hoti, tha sot në Ferizaj se qysh në ditët e para të qeverisjes nga ai do të fillojë së implementuari pakoja e dytë fiskale.

Hoti gjatë vizitës që i bëri fabrikës Eurometal në Babush të Muhaxherëve tha se është kënaqësi që i sheh rezultatet e reformave që janë bërë sa ishte ministër i Financave në Qeverinë që udhëhiqej nga Isa Mustafa.


“Jam këtu për të shpalosur pikat e reja të programit të fushës së ekonomisë. Ne kemi filluar me reformën e parë fiskale nga shtatori i vitit të 2015 e cila ka gjeneruar 2 miliardë euro qarkullim në ekonominë e Kosovës, ka prodhuar 400 milionë taksa të reja për shtetin dhe i kemi ndihmuar drejtpërdrejt bizneset me rreth 50 milionë euro. Ajo reformë ka gjeneruar mbi 40 mijë vende të reja të punës vetëm ne sektorin formal. Nuk është kryer e gjithë puna është vetëm fillimi ju garantoj që është vetëm fillimi, me qeverisjen e ardhshme ne do të implementojmë qysh në ditët e para pakon e dytë fiskale, e cila është zhvilluar në detaje me të gjitha elementet e saj. Mua më vjen keq sepse është dashur të jetë sot në fuqi por për shkak të zhvillimeve”, tha Hoti.
Sipas tij, qysh në ditët e para të qeverisjes do të fillojnë me zbatimin e reformave të tjera fiskale.

“Në ditët e para të qeverisjes së ardhshme ne do të fillojmë me zbatimin e reformave të tjera fiskale përfshirë në rend të parë lirimet për të gjitha lëndët e para që përdorin bizneset pa përjashtim, duke i listuar bizneset vendore që i kemi, do t’i funksionaliziojmë. E dyta është që do t’i funksionalizojmë zonat ekonomike në të gjitha qendrat e Kosovës, i kemi finalizuar pothuajse marrëveshjen me BERZH-in bashkë me Ministrinë e Tregtisë, projekti është i gatshëm për funksionalizimin e këtyre zonave. Do t’ i kombinojmë pushimet tatimore me këto zona dhe besoj që me gjithë këto masa biznesi në mandatin e ardhshëm do të ketë një rritje dyfish më të lartë se që e kemi pasur deri më tani”, tha Hoti.

Ai tha se 40 mijë vende të reja të punës kanë pasur në sektorin formal, por që sipas tij, është e sigurt se në gjysmën e parë të mandatit mund të shkojnë edhe 40 mijë vende të reja të punës.

Pronari i “Eurometal”, Njazi Musliu, tha se reformat që janë bërë gjatë kohës kur Avdullah Hoti ishte ministër i Financave janë shumë të mira dhe se kanë bërë lehtësimin e zhvillimit të bizneseve.

Pronari i kësaj fabrike madje nuk ka hezituar ta quajë Hotin edhe kryeministër të Kosovës.

“Reformat që i ka marrë ish-ministri i Financave edhe tani kryeministri i Kosovës janë shumë pozitive, do të thotë kanë bërë një hap pozitiv në lehtësimin e zhvillimit të bizneseve”, tha Musliu. /Telegrafi/