LAJMI I FUNDIT:

Hoti kërkoi ndihmë nga Luksemburgu për përgatitjen e legjislacionit për tregun e kapitalit

Hoti kërkoi ndihmë nga Luksemburgu për përgatitjen e legjislacionit për tregun e kapitalit

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, po qëndron për vizitë zyrtare në Luksemburg, ku është pritur në takim nga Ministri i Financave i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Pierre Gramegna.

“Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti, dhe homologu i tij nga Luksemburgu, Pierre Gramegna, kanë diskutuar për zhvillimet ekonomike në vend dhe situatën politike dhe ekonomike në rajon dhe më gjerë.

Hoti e falënderoi ministrin Gramenga për gatishmërinë e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të tatimit të dyfishtë, hap ky i cili do të mundësoj një bashkëpunim më të mirë tregtar si dhe do të hapë rrugën për mbajtjen e Forumit të Investimeve mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin për media.

Të dy ministrat u dakorduan që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje, ku me këtë rast ministri Hoti kërkoi ndihmën e shtetit të Luksemburgut për Kosovën në përgatitjen e legjislacionit për tregun e kapitalit.

Gjithashtu Hoti kërkoi nga homologu i tij përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave si hap i domosdoshëm për implementimin e plotë të MSA-së për të cilën çështje ministri Gramenga u zotua për përkrahje./Telegrafi/