LAJMI I FUNDIT:

Hoti dhe zyrtarët e Bankës Botërore flasin për strategjinë e re të BB-së për Kosovë

Hoti dhe zyrtarët e Bankës Botërore flasin për strategjinë e re të BB-së për Kosovë

Ministri i Financave, Avdullah Hoti së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor, Ellen Goldstein.

Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në implementimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja.


Sipas një komunikate të MF-së, përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan ministrin Avdullah Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështetje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat projekte tani më janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime.

“Në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe zhvillimet për projektin ‘Kosova e Re’, për çka Banka Botërore ri-konfirmoi zotimin e tyre për përkrahjen e këtij projekti me rëndësi. Po ashtu, u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë, në të cilën strategji reflektohen prioroitetet e Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, u bë e ditur se Ministria e Financave ka dërguar komentet në draftin e këtij dokumenti tek Banka Botërore, dhe pritet që këto komente të integrohen në draftin final. Delegacioni i Republikës së Kosovës po ashtu morri pjesë edhe në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova, ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe në Bankën Botërore”, thuhet në komunikatë.

Të dyja palët u pajtuan që në muajin e ardhshëm të organizojnë një tryezë në Prishtinë, me organizatat e shoqërisë civile për të promovuar mundësitë që kanë OJQ-të në Kosovë për qasje në fonde të Bankës Botërore, pas letrës që ka dërguar Ministri Avdullah Hoti në Bankë Botërore lidhur me “Global Partnership For Social Accountability”. /Telegrafi/