LAJMI I FUNDIT:

Historia e dhimbshme e italianes që dashuronte diktatori – “hakmarrja” e Enverit ndaj vajzës që i kishte thënë “JO”

Historia e dhimbshme e italianes që dashuronte diktatori – “hakmarrja” e Enverit ndaj vajzës që i kishte thënë “JO”

Sipas rrëfimit të Xhakomino Pozelit, portierit të famshëm të Kombëtares shqiptare që fitoi Ballkaniadën në 1946-­ën, Aldo Renato Terrusi në librin e tij “Brenga ime shqiptare” tregon se pas arrestimit të të atit, e ëma Aurelia dhe daja i tij Xhakomo ishin përpjekur ta shpëtonin.

Ish-drejtori i bankës së Vlorës, ishte në burg kur familja i kërkonte ndihmë nga Enver Hoxha e Nako Spiru që ai të lirohej. Ndërsa italiania Aurelia Pozeli (më pas Terrusi) dhe Enver Hoxha ishin njohur në Gjirokastër, madje Hoxha i kish propozuar asaj fejesë duke marrë refuzimin e saj, vite më vonë, sistemi që Hoxha drejtonte fut në burg bashkëshortin e Aurelias.


Historia e dhimbshme e familjes Pozeli­Terrusi, vjen në librin “Brenga ime shqiptare”­ një botim i cili rrëfen udhëtimin e Aldo Renato Terrusit dhe të dajës së tij, Xhakomos, që u kthyen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh nga koha kur shteti komunist i deportoi. ldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes.

“Brenga ime shqiptare”

Dokumentet e Procesit nën diktaturë titullohet libri i botuar nga “Botimet M&B”, përkthyer nga Elvana Zaimi dhe redaktuar nga Agron Tufa.

Libri i Aldo Renato Terrusit është një shtegtim në kërkim të origjinës dhe historisë së vet: nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave.

Rrëfimi i Xhakomos

Në vitin 1946 u organizua e para Ballkaniadë në Shqipëri dhe kombëtarja jonë e futbollit duhej të përballej me atë të Rumanisë, Bullgarisë dhe Jugosllavisë. Për këtë rast, qeveria shqiptare vuri në dispozicionin e skuadrave pjesëmarrëse një pallat në ndërtim në periferi të Tiranës.

Në çdo kat ishte sistemuar një ekip, ndërsa salla e ngrënies ishte e përbashkët. Po këto kombe kishin edhe ekipet për femra që konkurronin në garat e atletikës së lehtë. Vajzat i kishin strehuar diku tjetër, por edhe ato hanin bashkë me ne.

Ndeshjet dhe garat, të cilat u ndoqën nga shumë vetë, u zhvilluan në fushën sportive Stafa, ndërtuar nga italianët. Unë isha portier në stol, por meqenëse titullari kishte bërë disa gabime, trajneri më tha të dilja në fushë. Kështu fillova të luaja si portier titullar kundër tre ekipeve konkurrente: Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Ekipi ynë fitoi ndaj atij të Jugosllavisë dhe për të festuar fitoren, u bë një pritje e madhe në Dajti me ushqime, kërcime e muzikë. Na u dha çmim nga federata, siç na kishin premtuar, 25 napolona flori – rreth dhjetë milionë sot, por për Shqipërinë e asaj kohe ishte goxha shumë.

Me ato para munda të blija një motor Guci, madje edhe më tepruan para të tjera. Motorin tim e pëlqenin kaq shumë, sa një drejtues i Partisë Komuniste, Izet Jaho, ma merrte shpesh borxh dhe ma kthente kur t’i tekej. Unë isha i detyruar t’i hapja udhë lojës së ligë dhe të mos bëja zë për të shmangur ndonjë shpagim.

Takimi me Nako Spirun

Me atë rast erdhi të na nderonte me vizitën e vet kreu i rinisë shqiptare, Naku Spiru, një shok i dashur, me të cilin kishim qenë bashkë në shkollën italiane të Korfuzit, edhe pse ishte disa vjet më i madh se unë. Isha bash në treme të Dajtit kur hyri ai i shoqëruar nga agjentët e policisë shqiptare që i shërbenin si truproje.

U afrua dhe më përshëndeti tërë entuziazëm në emër të miqësisë sonë dhe pasi më uroi për fitoren e shkëlqyer, më pyeti në mund të më ndihmonte me ndonjë gjë. Atëherë i kërkova nëse mund të më ndihmonte me një nder krejtësisht personal.

“Kunatin tim, si gjithë drejtorët italianë të bankave, e kanë futur në burg dhe ndërkohë që shumica janë liruar, ai akoma jo. Është akuzuar, ashtu si të tjerët, se ka dëmtuar financat e shtetit, për shkak se ka dërguar në Itali arin shqiptar. Në të vërtetë nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk ka asnjë arsye se pse e mbajnë në burg. Mund të ketë vetëm motive hakmarrjeje ose… shkëmbimi… me fjalë të tjera, peng”.

Naku më pyeti a isha i sigurt në fjalët që sapo thashë. “Pa pikë dyshimi”, iu përgjigja. “Unë mund të rri këtu akoma, të luaj dhe të punoj, por ama atë, bashkë me të shoqen dhe të birin, dërgojini në Itali. Të lutem, bëj ç’të kesh në dorë”. Më tha që do të përpiqej të më ndihmonte.

Pas pak ditësh morëm vesh lajmin e vdekjes së Naku Spirut. Një ndjenjë e fortë shtypjeje dhe pafuqie më bllokonte trurin, por duhej të reagoja dhe të shmangia rënien në dëshpërim dhe në panik. I vetmi njeri miqësor që mund të na ndihmonte njëfarësoj kishte vdekur.

Shpjegimi zyrtar nga burime të qeverisë theksonin se Spiru ishte vetëvrarë pa dashje me një të shtënë ndërsa pastronte pistoletën e vet. Me sa dukej, regjimit nuk i shkonte për shtat dhe kishin gjetur një mënyrë për ta hequr qafe. Ishte komunist, por padyshim që Enveri nuk e honepste dot sepse ai kishte treguar njëfarë simpatie për italianët… madje dhe kishte qenë në shkollë me ta. Iu bë funeral shtetëror me të gjitha nderet.

Kërkesë për ndihmë Enverit

Shumë herë, si Melisi, ashtu edhe unë kemi shkuar në komitetin qendror që të takonim Enver Hoxhën ose për të folur me ndonjë nga vartësit e tij, por gjithçka më kot.

Ndonjëherë nuk pranonin fare, herë tjetër thoshin të prisnim por nuk vinte askush, ndërsa ndonjë herë tjetër madje përballeshim me sjellje të pacipa shantazhi.

Një herë Melisi shoqëroi Aurelian, e cila shpresonte të takohej me Enverin personalisht dhe t’i kërkonte faljen e të shoqit në emër të miqësisë së hershme, por ai u justifikua duke thënë se arsyet shtetërore e pengonin të ishte shpirtmadh: po të dorëzohej para kërkesës së saj, do ta pësonte edhe vetë pushteti dhe hierarkia e tij. Por në vijim ama, Aurelian e thirri disa herë një nga puthadorët e Enverit që i bënte vetëm propozime të papërsëritshme në këmbim të një lëshimi të mundshëm të të shoqit.

Letra drejtuar komisionit

Dëshmi e Aurelia Pozeli Terruzit Komisionit për Krimet e Luftës: Unë e nënshkruara Aurelia Terruzi, bashkëshortja e Xhuzepe Terruzit, ish­funksionar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ju paraqes kërkesën në vijim, e bindur që ky komision do ta marrë në shqyrtim me dashamirësi dhe paanësi.

Familja ime mbërriti në Shqipëri në vitin 1928 dhe u vendos në Gjirokastër. Aty u njoha dhe u martova me të sipërpërmendurin. Gjatë dhjetë viteve të jetës bashkëshortore në fillim në Gjirokastër, Sarandë dhe më vonë këtu në Vlorë, nuk di të jetë marrë kurrë me politikë, përveçse me punën e tij në bankë, për të mirën e vendit.

Në të tria vendet ku ka punuar si nëpunës banke, është përpjekur të mbajë marrëdhënie shumë të mira me banorët vendas, të cilët e kanë parë përherë me simpati, edhe atëherë kur u shpërngulëm nga një qytet në tjetrin banorët na përcollën me mallëngjim dhe dashuri.

Jam e sigurt se për sa është shkruar më sipër do të merret në konsideratë. Kam besim të plotë, sepse janë shprehje e shpirtit tim që po vuan për të rritur djalin e vetëm, sepse për popullin me të cilin kam kaluar ditë të bukura të jetës sime dhe vuajtje gjatë luftës, kam ndjenja dashurie dhe vëllazërie.

Unë, e bindur në Drejtësinë e Popullit Shqiptar, lutem që çështja ime të merret në shqyrtim me hollësi dhe t’i jepet bashkëshortit liria, për të mirën e Lëvizjes Nacional­Çlirimtare të mbarë botës.

Mbetem në pritje të pranimit dashamirës që do t’i rezervoni lutjes sime. Vlorë, 7 Dhjetor 1945 Aurelia Terruzi

Bashkëshorti i Aurelias, Xhuzepe, ndodhet në burgun e Vlorës bashkë me Belucin që nga prilli i vitit 1945. Aurelias nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i shkruajë një letër të thjeshtë dhe të kujdesshme Komisionit hetues, në mbrojtje të të shoqit, për dhënien e lirisë.

Ajo përshkruan shkurtimisht karakterin dhe zakonet e burrit me të cilin ndau për 10 vjet jetën e saj: ai ka qenë përherë një bashkëshort i përsosur, një nëpunës kërkues nga vetja dhe korrekt me vartësit e tij, një mik, i parë me simpati nga banorët vendas, që nuk ishte marrë kurrë me politikë, që kishte një djalë 3 muajsh i cili do të rritej pa të atin.

Të gjithë kishin shpresa dhe një bindje të arsyeshme në faljen e Gjykatës, edhe pse regjimi, të cilit edhe ajo vetë i ishte nënshtruar, zor se jepte shpresa për lirimin.

Presioni që hija e Enver Hoxhës hidhte tashmë në të gjitha hallkat e nomenklaturës ishte shumë i fortë. Shoqëruar me akuzën e Komisionit për Krimet e Luftës ndaj Xhuzepes të tre krimeve që i visheshin, merren, ndaras, edhe dëshmitë me shkrim dhe me kundërfirmë të disa dëshmitarëve. (GSH)

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - gjithçka që duhet të dini

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - gjithçka që duhet të dini

Politikë
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori