LAJMI I FUNDIT:

Heronjtë janë fatmirë!

Se heronjtë janë fatmirë e dëshmoi edhe një herë cirku i quajtur Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë. Nuk më vije aspak keq nga ish-kryeprokurorja Carla Del Ponte e cila u dëshmua se tentoi ta shndërroj ICTY-në si vendin ku do barazohen krimineli dhe viktima. Ajo të cilën e kisha pritur që moti u tha në Prishtinë nga avokati mbrojtës Ben Emmerson, se Carla Del Ponte u ftua në përgjegjësi.

Tribunali i Hagës i shpalli edhe një herë të pafajshëm heronjtë e Kosovës dhe morri vendimin për lirimin e Ramush Haradinajt, bashkë me Lahi Brahimajn e Idriz Balajn. Pafajshmëria preku të gjitha pikat për të cilat u akuzuan çlirimtaret. Pa dyshim heronjtë janë fatmirë.


Gëzimi i njëqindvjetorit të mëvetësisë së Shqipërisë aktuale u ndje gjithandej ku ka shqiptarë, e këtij gëzimi iu shtua edhe ardhja e çlirimtarëve nga Haga si fitimtarë të drejtësisë për të satën herë. Mirëpo, tentimi për të prezantuar bëmat e çlirimtarëve si krime u rifillua prapë në një rast tjetër. Një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy gjyqtarë vendas, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Supreme, e ktheu në rigjykim lëndën kundër Fatmir Limajt dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e ashtuquajtur Kleçka. Kërkesa e prokurorit për rishqyrtim të lëndës Maurizio Salustro u bë e mundshme që të merret për bazë pjesërisht.

Kjo gjë ishte irrituese nga fakti se Fatmir Limaj u dëshmua edhe në Hagë si i pafajshëm për bëmat e tij gjatë luftës; u dëshmua edhe në Kosovë si i pafajshëm; kurse kjo e fundit si ripërsëritje që është, dhe me formën e momentin si u paraburgos, lë të kuptohet se politika qëllimkeqe ka dorë.

Dua të besoj dhe besoj në drejtësi, por me të drejt mund të konstatohet se rrethanat dëshmojnë që drejtësia në rastin e Fatmir Limajt është thellësisht e prekur nga politika. Avokati mbrojtës i të riakuzuarit Fatmir Limaj, Tahir Rrecaj, përveç që e konsideron si procedurë të padrejtë, thotë se prapa këtij vendimi ka dorë politika. Vendimi i fundit për paraburgim i cili vije për më pak se dy muaj nga mbarimi i procesit gjyqësor kundër të riakuzuarit Limaj, le të kuptohet se drejtësia në këtë rast është e infektuar keq dhe të shtynë me doemos të mendosh se kjo gjë është skajshmërisht, jo vetëm joprofesionale por edhe dashakeqe.

Durimi dhe maturia në rastin e çlirimtarit Fatmir Limaj nuk lë për t’i dëshiruar. Me të drejt Qeveria e Kosovë, me komunikatën e saj menjëherë pas paraburgimit të Limajt, thotë se veprimet e “befasishme” dhe pa një njoftim dhe koordinim me institucionet e Kosovë, cenojnë bashkëpunimin! Kur jemi te “befasia”, kjo gjë nuk ndodhi bash ashtu. Kjo ngase pak para se të vihej në paraburgim Limaj dhe të tjerët, gazetat beogradase lajmëronin për riarrestimin e këtyre të fundit. Kjo gjë do të duhej të kishte shpjegim nga përgjegjësit e sigurisë në vendin tonë.

Michael Mann, zëdhënësi kryesor i Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, duke folur për rastin e fundit të arrestimit nga forcat e EULEX-it, ka deklaruar se ndërhyrjet politike në procese gjyqësore janë të papranueshme. Të cilat me të vërtetë ashtu do të duhej të ishin, por është më shumë se qesharake se si ndodhi i gjithë rasti i paraburgimit. Respektimi dhe forcimi i sundimit të ligjit është pjesë thelbësore e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, por jo edhe arrestimi e paraburgimi i “befasishëm” për opinionin në Kosovë të çlirimtarëve të cilët e meritojnë ta kenë fatin e mirë. Republika e Kosovës dhe institucionet e saja EULEX-in e kanë ftuar që të ndihmojë Kosovën, por jo që ta komprometojë drejtësinë me ata që mundësuan ardhjen e EULEX-it në Kosovë duke larguar me një luftë të drejtë okupatorin e saj.

Heronjtë e Kosovës janë fatmirë, paraprakisht se patën fatin ta shpëtojnë vendin e tyre nga pushtuesi më famëkeq që njeh historia botërore. Ata janë heronjtë e vendit dhe po u sulmua kauza e tyre, u sjell fat të keq sulmuesve.