LAJMI I FUNDIT:

Helmut Kohl, njeriu që ndryshoi Evropën

Helmut Kohl, njeriu që ndryshoi Evropën

Xhezair Zaganjori

Të premten që kaloi, rreth orës 9:00 të mëngjesit, në moshën 87-vjeçare mbylli sytë përgjithmonë Helmut Kohl, ish-kancelari i Republikës Federale që ribashkoi Gjermaninë, politikani i përkushtuar, vizionar dhe ambicioz, njeriu që projektoi dhe realizoi ndryshime epokale në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ish-presidenti amerikan Bill Clinton do ta cilësonte pak kohë më parë atë si një nga burrat e shtetit më të mëdhenj të historisë së pasluftës. Vlerësime të tilla të natyrës superlative ka patur pambarim edhe këto dy ditë, kudo në botë, nga personalitete të shquara të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, nga miq, të afërm, partnerë, bashkëpunëtorë dhe ish-kundërshtarë të rrugëtimit të tij politik.


Si ish-ambasador i Shqipërisë në Gjermani në vitet 1992-1997 dhe si i apasionuar pas jetës politike dhe shoqërore gjermane edhe për periudhën në vijim, mendova të shkruaj disa rreshta si homazh për këtë personalitet të shquar, për këtë kolos të mendimit dhe aksionit përparimtar, veprimtaria politike e të cilit ka lënë gjurmë të gjëra e të thella në zhvillimet paqësore, progresive, prosperuese, reformuese dhe integruese në Gjermani dhe Evropë.

Helmut Kohl ka lindur më 3 Prill te vitit 1930 në Oggersheim pranë qytetit Friedrichshafen, që është pjesë e landit Rheinland-Pfalz të Gjermanisë. Ishte fëmija i tretë dhe i fundit i Hans dhe Cecilie Kohlit, të martuar në vitin 1920. Babai punonte si nëpunës i thjeshtë në administratën tatimore të qytetit. Periudha në të cilën kaloi fëmijërinë, mes dy luftërave botërore (aq më tepër pranë kufirit francez), patjetër që la dukshëm gjurmë në formimin e tij. Babai dhe xhaxhai kishin marrë pjesë aktive në Luftën e Parë Botërore. Për më tepër, xhaxhai ishte vrarë në luftime.

Në kujtimet e tij, Helmut Kohl përmend se fëmijëria e tij mbaron praktikisht në moshën nëntëvjeçare, më 1 Shtator të vitit 1939, kur i ati detyrohet sërish të marrë pjesë në sulmin e Gjermanisë ndaj Polonisë, dhe ato duhej të përballonin jetesën të vetëm me nënën. Përveç kësaj, pak kohë më pas edhe vëllai do të thirrej në shërbim ushtarak e do të vritej nga bombardimet aleate në Normandi në vitin 1944.

Frekuentimi i shkollës u bë i vështirë. Kishte mungesa të theksuara në ushqime dhe sende të tjera të nevojshme për një jetë normale. Rituali kryesor i ditës ishin sirenat paralajmëruese, bombardimet, vrasjet, plagosjet, si dhe vuajtjet fizike e shpirtërore. Prandaj, megjithëse në moshë të vogël, në kujtimet e tij, ai thekson se arriti të evidentojë që herët të këqijat apo pasojat e tmerrshme që sjell me vete diktatura, si dhe lufta e padrejtë. Në këto kushte, me mbarimin e luftës, në moshën 15-vjeçare Helmut Kohl merr vendimin e rëndësishëm për t’ju përkushtuar politikës, përmes së cilës mund të luftohet paqësisht për drejtësi, liri dhe paqe, sepse “dinjiteti i njeriut dhe e drejta e jetës janë vlerat më të larta njerëzore të cilat duhet të mbrohen me të gjitha energjitë”, shkruan më pas ai. Pikërisht mbi këtë bazë, Helmut Kohl shpejt do të bëhej anëtar i CDU-së gjermane, që në krijimin e saj nga Konrad Adenauer në vitin 1947.

Në moshën 20-vjeçare, kur sapo kishte përfunduar provimet e maturës, ishte një nga anëtarët më aktivë të partisë. Me këtë cilësi ai u bë anëtar i një delegacioni të CDU-së që viziton Parisin në shtator të vitit 1950, vizitë që do të lërë mbresa të pashlyeshme në jetën e tij politike. Në sallën Ora të Ministrisë së Punëve të Jashtme (në Quai d’Orsay) do të takonte ministrin e Jashtëm francez Robert Shuman, nismëtarin dhe arkitektin e projektit të madh mbi Integrimin Evropian, i cili vetëm katër muaj më parë, në të njëjtin vend kishte lancuar zyrtarisht planin e tij ambicioz në funksion të paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit në Evropë.

Në vitin 1950 Helmut Kohl filloi studimet në Universitetin e Frankfurtit e më pas i vazhdoi e përfundoi në Universitetin e Heidelbergut. Në përfundim të studimeve do të diplomohej në histori si profesion kryesor e me profil dytësor Shkencat politike dhe drejtësinë. Me mbarimin e studimeve në vitin 1956, Helmut Kohl u mbajt si pedagog dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin Alfred Weber të Universitetit të Heidelbergut.

Ndërkaq, nga jeta partiake mund të veçohet zgjedhja në kryesinë e CDU-së së landit Rheinland-Pfanz në vitin 1953 dhe kryetar i kësaj dege në vitin 1959. Në vitin 1969, në moshën 39-vjeçare zgjidhet kryeministër i Landit Rheinland-Pfalz dhe zëvendëskryetar i CDU-së në nivel federal. Në qershor të vitit 1973 zgjidhet Kryetar i CDU-së, pozicion që do ta mbajë për 25 vite me radhë, deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Në zgjedhjet e vitit 1976 zgjidhet nga fraksioni CDU/CSU si kandidat për Kancelar. Fiton me 48.6 për qind të votave, duke mos siguruar kështu shumicën absolute përballë Helmut Schmidit të socialdemokratëve gjermanë.

Në zgjedhjet e vitit 1980, fraksioni CDU/CSU bie dakord që si kandidat për kancelar të caktonte Franz Josef Shtrausin. Fiton sërish koalicioni i socialdemokrateve me liberal-demokratët, me kancelar Helmut Schmidtit. Megjithatë, Helmut Kohl rikonfirmohet si kryetar i CDU-së dhe kryetar i fraksionit opozitar CDU/CSU në Bundestag. Por, ngjarjet tashmë do të marrin shpejt një kthesë të papritur. Në vitin 1981-1982 ka çarje në koalicionin SPD/FDP. Liberal-demokratët nuk janë dakord me shumë reforma ekonomike të socialdemokratëve, e mbi të gjitha me qëndrimin e SPD lidhur me të ashtuquajturin “Vendim te Dyfishtë” të NATO-s së 12 Dhjetorit 1979. Ky vendimi i NATO-s ishte marrë me nismën së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’iu përgjigjur revanshit të armatimit bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe vendimit të tij që në kuadër të Traktatit të Varshavës të shpërndante raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në disa vende të Evropës Qendrore e Lindore. Në vendimin e NATO-s, ndër të tjera kërkoheshin dy gjëra: a) Vendosja e raketave amerikane me rreze të mesme veprimi Cruisse dhe Pershing II në disa vende të NATO-s, kryesisht në Gjermaninë Federale, si dhe realizimi i idesë së bombës atomike me neutrone; dhe b) Ftesa ndaj Traktatit të Varshavës (Bashkimit Sovjetik) për negociata mbi marrjen e masave konkrete për kontrollin dhe kufizimin e armatimit bërthamor.

Sigurisht që vendimi kishte më shumë natyrë politike se sa ushtarake. Presidenti amerikan Jimmy Carter insistonte që aleatët evropianë të merrnin menjëherë përsipër këtë angazhim, ndërsa Bashkimi Sovjetik e kundërshtoi atë me forcë. Situata u acarua edhe më shumë nga pushtimi i Afganistanit prej Bashkimit Sovjetik në fund të vitit 1979. Zgjedhja e Ronald Reaganit si president i SHBA-ve në vitin 1981 i dha energji dhe shtysë krejt të re idesë së zbatimit pa vonesë të “Vendimit të Dyfishtë” të NATO-s. Ndër të tjera ai trefishon prodhimin e raketave me rreze të mesme veprimi; prodhon bombën me neutrone; cilëson Bashkimin Sovjetik si Perandoria e së Keqes dhe kërkon vendosmëri brenda NATO-s për zbatimin e strategjisë afatgjatë të mbrojtjes.

Në shumë vende të Evropës Perëndimore kishin filluar të organizoheshin demonstrata tepër të mëdha kundër këtij projekti, me pjesëmarrjen e qindra-mijëra protestuesve. Flitej për rrezikun e një lufte atomike e miliona të vdekur në Evropën Perëndimore për shkak të sulmit të mundshëm bërthamor sovjetik; flitej për kthimin e krizës kubaneze; për një “Euroshima” me pasoja katastrofale e të tjera. Në këto kushte, shumica e qeverive evropiane hezitonin dukshëm zbatimin e “Vendimit të dyfishtë” të NATO-s. Edhe Helmut Schmidti e socialdemokratët gjermanë, në pushtet në Gjermani, kërkonin zbatimin e tij në mënyrë të kufizuar.

Kundër këtij qëndrimi ishte qartësisht vetëm Helmut Kohl, kryetar i CDU-se dhe kryetar i opozitës në Parlamentin gjerman. Ai mendonte se vetëm përmes forcimit të NATO-s dhe zbatimit sa më parë e sa më mirë të këtij projekti amerikan, mund të bëhej i mundur përballimi apo shmangia e rrezikut rus si dhe ulja në bisedime serioze e të përgjegjshme për të reduktuar përmes masave konkrete armët bërthamore. Me këtë qëndrim u pajtua edhe Hans-Dietrich Genscher, ministër i Jashtëm në Qeverinë gjermane dhe kryetar i FDP-së. Mbi këtë bazë, bazuar në nenin 67 të Kushtetutës gjermane, u kërkua në Bundestag votëbesimi i Qeverisë dhe zgjedhja e një Kancelari të ri, gjë që përmes ndryshimit të shumicës u bë e mundur të realizohej në votimin që u zhvillua më 1 tetor të vitit 1982. Pra, Helmut Kohl u zgjodh kancelar i Gjermanisë përmes së ashtuquajturës votëbesim konstruktiv të Parlamentit gjerman, megjithëse ky rezultat dhe shumica e re do të konfirmoheshin qartësisht në zgjedhjet parlamentare gjermane të marsit 1983.

Por, edhe në praktikë u provua pa ekuivok drejtësia e qëndrimit të Helmut Kohlit. Presidenti Reagan gjeti një aleat të vendosur dhe mbështetje të fuqishme për realizimin e projektit të tij. Raketat Pershing dhe Cruisse u vendosën në Gjermani e më pas edhe në Belgjikë, Holandë, Britani të Madhe dhe Itali, njëkohësisht me fillimin e bisedimeve për kontrollin dhe zvogëlimin e armëve bërthamore. Pikërisht kjo situatë e re dhe këto bisedime bënë të mundur nënshkrimin në Shtëpinë e Bardhë, me 8 dhjetor 1987, të marrëveshjes historike për këtë qëllim ndërmjet Reaganit dhe Mikhail Gorbachevit, e cila do të zbatohej me korrektesë dhe në mënyrë progresive në periudhën në vijim.

Por, përveç partneritetit të ngushtë e të padiskutueshëm me SHBA-të, që në fillim të mandatit si kancelar – detyrë që do ta mbante për 16 vite me radhë, nga viti 1982 deri në 1998 – për shtensionimin e marrëdhënieve mes dy blloqeve dhe arritjen e objektivave të tij, Kohl do t’iu kushtonte rëndësinë e duhur edhe marrëdhënieve me Lindjen, veçanërisht me Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik. Për këtë qëllim bën vizita në vende të ndryshme të Lindjes si dhe fton dhe pret përfaqësues të tyre në Gjermani. Veçohet në këtë kuadër pritja zyrtare në shtator të 1987-ës e Erich Honekerit, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore. Pavarësisht nderimeve dhe ceremonive zyrtare planifikuar vetëm për kryetarë shtetesh, në fjalën e tij Helmut Kohl i bëri atij të qartë preambulën e Kushtetutës së Gjermanisë Federale që aspiron dhe kërkon bashkimin paqësor të popullit gjerman në një shtet të vetëm, dhe vendosmërinë e angazhimin e tij për realizimin e këtij qëllimi.

Një vit më vonë, në fund të tetorit 1988, Helmut Kohl do të shkonte për vizitë zyrtare në Moskë. Kjo vizitë shërbeu ndër të tjera mjaft mirë për njohjen me nga afër me Gorbachevin dhe shkëmbimin e pikëpamjeve dhe qëndrimeve për çështje të ndryshme të politikës ndërkombëtare. Kohl e përshkruan atë si mjaft konstruktiv, duke u shprehur pozitivisht edhe për vetë Gorbachevin. Nuk duhet harruar se pak kohë më parë, referuar programeve reformuese të Gorbachevin, Perestrojka dhe Gllaznost, Helmut Kohl e kishte krahasuar atë me Joseph Goebbels, ministrin nazist te Propagandës.

Padyshim që në fushën e politikës së jashtme Helmut Kohl i kushtoi kujdes të veçantë marrëdhënieve me Francën. Kjo jo thjesht për të çuar së bashku përpara projektin e madh të integrimit evropian, por mbi të gjitha për të bërë sa më të prekshëm ndjenjën e simpatisë dhe respektit mes dy vendeve fqinje. E, në këtë kuadër, marrëdhëniet e tij me presidentin François Mitterrand u bënë tepër të ngushta e miqësore, gjë që ngjalli dukshëm kureshtjen, simpatinë e edhe xhelozinë e shumë kryetarëve të shteteve e qeverive në mbarë botën. Është i paharruar takimi i tyre në Francë në fushëbetejën e Verdunit më 22 shtator të vitit 1984, aty ku kishte luftuar babai i Helmut Kohlit, ku ishte vrarë xhaxhai i tij dhe ishte arrestuar e internuar vetë Mitterrand nga nazistët gjermanë. Kapja instinktivisht e tyre përdore është komentuar si simbolika më e qartë dhe më e mirë e pajtimit mes dy popujve të përgjakur historikisht mes tyre në rrjedhën e gjatë të historisë. Nga ana tjetër, kjo lidhje do të shërbente mjaft mirë edhe në të ardhmen e afërt gjatë zhvillimeve që shoqëruan kryesisht shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, në përfundim të të cilit mund të flitet për një rend të ri evropian të pasluftës së ftohtë.

Padyshim që zhvillimet më spektakolare dhe më dramatike në jetën politike të Helmut Kohlit janë ngjarjet e pas shembjes së Murit të Berlinit më 9 nëntor të vitit 1989. Në fakt, “çarja” e Murit kishte filluar disa muaj më parë me të ashtuquajturën krizë të ambasadave. Rreth 10 mijë gjermanolindorë që kishin udhëtuar në Pragë dhe Budapest kërkonin pranë ambasadave të Gjermanisë Federale në këto vende ndihmë për të kaluar në Gjermaninë Perëndimore. Situata u menaxhua në mënyrë të përsosur, derisa më 30 shtator 1989 kancelari Helmut Kohl dhe ministri i Jashtëm Genscher organizuan e realizuan këtë kalim të shumëpritur.

Në fakt, natën e rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, kancelari Helmut Kohl ndodhej në banketin e organizuar për nder të tij në Varshavë nga presidenti polak. Pas njoftimit, ai merr masa për t’u kthyer direkt në Berlin për të marrë pjesë në festimin e shumëpritur, duke mbajtur edhe një fjalë prekëse në shkallët e Bundestagut gjerman. Pak ditë më vonë, Helmut Kohl do të paraqiste zyrtarisht në mënyrë befasuese në Bundestag një plan prej 10 pikash për bashkimin e Gjermanisë. Ideja qendrore e këtij plani ishte krijimi menjëherë i një konfederate mes dy Gjermanive, e cila në perspektivë jo të largët do të shkrihej në federatën ekzistuese. Më 19 dhjetor 1989, Helmut Kohl takon në Dresden kryeministrin e Gjermanisë Lindore, Hans Modrow, për të diskutuar mbi mundësinë e një traktati të përbashkët për bashkimin.

Në të njëjtën ditë, në sheshin qendror të Dresdenit, Kohl mban një fjalim tepër të rëndësishëm me titull “Një Atdhe”, i cili u ndoq në mbarë botën me një vëmendje të jashtëzakonshme. Tre ditë më pas, më 22 dhjetor, së bashku me Modrowin do të hapnin zyrtarisht Portat e Brandenburgut, të cilat kishin shërbyer për gati katër dekada si kufi ndarës të Berlinit. Në fjalën e tij me këtë rast, Helmut Kohl e cilëson këtë ngjarje si “momentin më të lumtur të jetës së tij”.

Të gjithë këto zhvillime pozitive dhe intensive në Gjermani ngjallin entuziazëm, gëzim, shpresë, por edhe frikë, pasiguri e xhelozi në mbarë botën. Si gjithmonë, ato që janë më pranë se kurrë me Gjermaninë dhe popullin gjerman me shpirt, mendje dhe zemër janë SHBA-të që e duan një Gjermani të natyrshme, të bashkuar e demokratike, partnere të denjë për zhvillim dhe sigurimin e paqes e sigurisë ndërkombëtare.

Që në vitin 1962, presidenti John F. Kennedy, gjatë vizitës në Berlin, duke kërkuar bashkimin e Gjermanisë, e kishte konsideruar veten berlinez (Ich bin ein Berliner), si simbol të qëndresës dhe botës së lirë demokratike që qëndron përballë diktaturës që dhunon lirinë dhe të drejtat e individit. Pak vite me parë, presidenti Reagan Regan, sërish gjatë një fjalimi në Berlin, do t’i kërkonte Gorbachevit të rrëzonte murin ndarës. Sigurisht që në këtë linjë ishte edhe presidenti George Bush, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe mbajti kontakte të vazhdueshme me kancelarin Kohl.

Por, nga ana tjetër, situata paraqitej krejt ndryshe me fuqitë e tjera aleate dhe Rusinë. Margaret Thatcher dallohej nga të gjithë. Është e njohur thënia e saj në atë kohë në një takim me kryetarë shtetesh në Strasburg se “Gjermaninë e kemi mundur dy herë, por ajo po na del sërish përballë më e madhe dhe më e fuqishme se kurrë më parë”. Mitterrand ndihej i befasuar nga shpejtësia e bashkimit dhe mungesa e konsultimeve me të. Edhe ai druhej nga madhësia dhe fuqia e re e Gjermanisë. Në Francë përmendej me këtë rast thënia e nobelistit të shquar François Mauriac: “E dua kaq shumë Gjermaninë saqë jam i lumtur që janë dy”. Natyrisht edhe Gorbachevi ishte kundër. Kundërshtohej energjikisht në mënyrë të veçantë anëtarësimi i Gjermanisë së bashkuar në NATO.

Por, situata do të ndryshonte shpejt. Kohl dhe Genscher filluan një fushatë intensive bisedimesh diplomatike kryesisht në Washington, Londër, Paris, Moskë dhe Bon. Ndër të tjera u dhanë garanci që Gjermania e bashkuar do t’i bashkohet Bashkimit Evropian; u rinjoh zyrtarisht edhe njëherë kufiri Oder-Naiss; u premtuan shuma të mëdha për tërheqjen e trupave ruse dhe investime në Rusi. Si rezultat, pas shumë bisedimeve, katër fuqitë aleate dhe dy Gjermanitë lidhën marrëveshjen 2+4 përmes së cilës përcaktohen modalitetet për bashkimin e Gjermanisë. Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje me 3 tetor të vitit 1990 shënon de jure edhe bashkimin përfundimtar. Pikërisht kjo ditë është sot edhe festa kombëtare e Republikës Federale të Gjermanisë.

Në zgjedhjet e para parlamentare të Gjermanisë së bashkuar, më 2 dhjetor 1990, sërish do të fitonte koalicioni CDU/CSU. Helmut Kohl do të vazhdonte të ishte kancelar i Gjermanisë. Në periudhën në vijim ai do të angazhohej energjikisht për ta bërë këtë bashkim sa më të shpejtë e real veçanërisht për pjesën Lindore. U barazua marka e Lindjes me atë të Perëndimit; u morën masa për barazimin progresiv të pagave dhe pensioneve; u projektuan dhe realizuan vepra të mëdha dhe investime tepër të rëndësishme për një infrastrukturë moderne të standardeve bashkëkohore; u morën masa për rehabilitimin e të përndjekurve politikë dhe korrigjimin e padrejtësive të bëra në Lindje gjatë regjimit komunist; u bënë reforma të rëndësishme në fushën e ekonomisë, financës, arsimit etj.

Por, krahas angazhimit për ribashkimin e Gjermanisë, Helmut Kohl nuk la pas dore punën e palodhur për thellimin gjithnjë e më tepër të integrimit evropian, si garancia më e mirë për paqen dhe prosperitetin në Evropë. Ai ishte realisht një evropian i madh që me energji të pakursyera iu përkushtua këtij qëllimi edhe në periudhën në vijim. Bashkëpunimi i tij i ngushtë veçanërisht me presidentin energjik të Komisionit Evropian Jacques Delors i dhanë shtysën për zhvillime spektakolare idesë së integrimit evropian. Më 7 shkurt të vitit 1992, Helmut Kohl do të nënshkruante për Gjermaninë Traktatin e rëndësishëm të Mastrihtit për krijimin e Bashkimit Evropian, si shtëpia e përbashkët evropiane me tri kolona (komunitare, politika e jashtme dhe sigurisë dhe bashkëpunimi për çështjet e drejtësisë), në të cilin përcaktohen ndër të tjera qartësisht edhe hapat e bashkimit monetar që do të bëhej praktikisht realitet më 1 janar 1999.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, pavarësisht diskutimeve të shumta në CDU, u vendos që sërish si kandidat për kancelar i koalicionit të qendrës së djathtë të ishte Helmut Kohl. Socialdemokratët, prej 16 vjetësh në opozitë, zgjodhën si kandidat kryeministrin e landit Niederzaksen, Gerhard Schröder, i cili fiton zgjedhjet. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në qytetin Speyer, kancelari i ri, kundërshtari i tij politik për dekada me radhë do të vlerësonte maksimalisht figurën e Helmut Kohlit. Ndër të tjera, duke iu drejtuar atij ai theksoi se “…jam i bindur zotëri Kancelar që populli gjerman nuk do ta harrojë kurrë kontributin tuaj të çmuar që keni dhënë për të gjatë gjithë jetës suaj politike”.

Në periudhën në vijim, Helmut Kohl tërhiqet nga jeta politike aktive. Në vitin 2000 ai detyrohet të japë dorëheqjen edhe si kryetar nderi i partisë së tij për shkak të një skandali mbi financimin e CDU-së gjatë një fushate të mëparshme elektorale. Kryetarja e re e CDU-së, Angela Merkel, distancohet nga ky rast dhe kërkon sqarimin e tij. Në vitin 2008, Helmut Kohl pëson një paralizë të pjesshme dhe pas një operacioni të vështirë në kokë detyrohet të lëvizë me karrocë deri në fund të jetës. Më pas është shfaqur rrallë në publik, pavarësisht vlerësimeve, çmimeve apo dekorimeve të pafund që i janë bërë rregullisht për shkak të kontributeve të çmuara të tij.

Sigurisht që si ambasador i Shqipërisë në Gjermani në vitet 1992-1997 kam patur rastin, kënaqësinë dhe nderin ta takoj disa herë kancelarin Kohl me rastin e vizitave të delegacioneve apo në aktivitete të ndryshme të karakterit protokollar. Do të veçoja mes tyre takimin e parë në dhjetor të vitit 1992 në Bon në vilën qeveritare Shaumburg. Ndër të tjera shprehu kënaqësinë që me Shqipërinë marrëdhëniet po ecnin shumë mirë dhe se hapja ndaj botës kishte krijuar mundësinë e njohjes më mirë të këtij vendi evropian që fatkeqësisht në rininë e tij njihej vetëm përmes librit të autorit të njohur gjerman Karl May me titull, “Përmes vendit të shqiptarëve”, një libër interesant, por që nuk shpreh aspak realitetin dhe mentalitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përveç kësaj, ai theksoi gatishmërinë e mbështetjes së reformave në Shqipëri përmes programeve të ndryshme të iniciuara nga Ministria gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik.

Po kështu, më ka lënë përshtypje përshkrimi interesant që i bëri në një takim të mëvonshëm bukurisë së bregdetit shqiptar nga një vëzhgim që i kishte bërë me dylbi përmes një shëtitjeje në det gjatë takimit të Këshillit Evropian të Korfuzit. Me këtë rast shprehu edhe dëshirën për ta vizituar Shqipërinë në të ardhmen. Më pas më është dhënë mundësia të flas me të kryesisht për çështjen e Kosovës, si dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e rajonit.

Padyshim që takimi më i rëndësishëm me Kancelarin Helmut Kohl është ai i 18 dhjetorit të vitit 1995 gjatë vizitës zyrtare që ish-presidenti Sali Berisha zhvilloi në Gjermani. Gjatë një pritjeje rreth dhjetë ditë para këtij takimi, ai përmendi se e kishte fiksuar me kënaqësi këtë takim, i cili do të ishte me shumë rëndësi për Shqipërinë. Dhe, në fakt, i tillë ishte. Në bisedimet e zhvilluara ndër të tjera ai dha lajmin e mirëpritur se pas konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane dhe ekspertëve të zyrës së tij ishte rënë dakord që në mesin e vitit 1996 të mbështetej kërkesa e Shqipërisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Evropiane (Marrëveshjes së Asociimit) me Bashkimin Evropian, pasi vlerësoheshin arritjet të cilat ishin dukshëm në këtë kohë më të mira se në disa vende të rajonit, përfshirë edhe ato shtete që tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 në Shqipëri dhe më pas ngjarjet e vitit 1997 dhe 1998 e stopuan këtë rrugëtim. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të bëhej i mundur vetëm 10 vjet më vonë, në qershor të vitit 2006, ndërsa hyrja në fuqi e saj më 1 prill të vitit 2009.

Si vend dhe popull evropian, edhe Shqipëria dhe shqiptarët duhet t’i bëjnë homazh Helmut Kohlit, si një burrë shteti me kontribute të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, si kryetar i një qeverie që ka kontribuar substancialisht në implementimin e reformave tepër të rëndësishme për demokratizimin e vendit tonë dhe integrimin e tij në mekanizmat euroatlantikë.