LAJMI I FUNDIT:

Helikopterët

Helikopterët

Pjesa më e madhe e gazetave dhe portaleve sot kanë botuar një analizë të RTV Dukagjinit për kategorizimin e fuqisë ushtarake të vendeve të Ballkanit sa i përket pajisjes së tyre me helikopterë.

Analiza ka shumë mangësi dhe pasi i drejtohet lexuesit të rëndomtë, ajo mund të shkaktojë huti dhe panik. Shihet qartë se hartuesi i kësaj analize ka njohuri të cekëta sa i përket fushës ushtarake në përgjithësi dhe armës së helikopterëve në veçanti. Matja e fuqisë ushtarake të një ushtrie është komplekse pasi çdo herë nga numri nuk përcaktohet fuqia. Faktori teknik është vetëm njëri nga i cili përcaktohet fuqia e një ushtrie, pasi ajo varet dhe krijohet edhe nga dy faktorë tjerë bazikë që ndahen në moral, dhe natyror ku secili nga këta ka aspekte të veta të ndikimit në fuqinë ushtarake të një ushtrie.


Meqë në analizë bëhet fjalë vetëm për një segment të faktorit teknik, pra atë të armës së helikopterëve, analizuesi është dashtë të dijë në radhë të parë destinimin e helikopterit si mjet luftarak, mundësitë tekniko-taktike, aftësitë e mirëmbajtjes teknike të shteteve që janë marr për analizë etj.

Nga kjo do të rezultonte se: nëse shikohet destinimi i helikopterit si mjet transportues, fuqi ballkanike na rezulton të jetë Shqipëria, pasi ajo disponon flotën më të madhe të kësaj kategorie të helikopterëve dhe gjithashtu më modernen. Helikopterët e flotës transportuese shqiptare janë të brezit me të ri që i përkasin tipit AS-532 Couger, kurse flota serbe kryesish është e pajisur me tipin e vjetruar sovjetik Mi-8 dhe Mi-17. Pavarësisht se Serbia vitin e kaluar ka blerë edhe dy helikopterë rusë të versionit të përmirësuar Mil Mi-17V5, prapë karshi flotës shqiptare ka një inferioritet, ngase mundësitë tekniko-taktike të helikopterëve shqiptarë i tejkalojnë dukshëm të atyre serb. Gjithashtu është i njohur fakti se helikopterët transportues serbë Mil Mi-8 dhe Mil Mi-17 janë jashtë përdorimit operativ, ngase për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk është bërë remonti i tyre.

Por, pavarësisht kësaj, në konfliktin eventual ballkanik, transporti ajrorë i trupave dhe mjeteve luftarake nuk do të jetë ndikues i madh. Në konfliktin eventual ballkanik, ndikues do të jetë aftësia goditëse nga ajri, ku helikopterët gjuajtës janë mjete të përshtatshme. Edhe sasia e paraqitur në analizë prej 61 helikopterëve gjuajtës Gazela, nuk është e saktë. Në evidencën e Ushtrisë serbe aktualisht janë 45 helikopterë të këtij tipi, ku të gjithë nuk janë operativë. Së dyti, ky helikopter ka kapacitete të kufizuara tekniko-taktike; nuk është i blinduar – çka e bën të ndjeshëm edhe nga armatimi i lehët i këmbësorisë dhe nuk është i armatosur me armatim adekuat për luftim ajër-tokë. Se ka mundësi të vogla luftarake e dëshmon fakti së gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, ku është përdorur fare në misione gjuajtëse. më tepër ka shërbyer në misione transportuese të njësive sanitare.

Shikuar nga ky prizëm, na rezulton që Maqedonia disponon flotën më të fuqishme të helikopterëve, pasi ajo në kuadër të flotës së vetë ajrore ka 10 helikopterë Mi-24V, i destinuar kryesisht për luftë ajër-tokë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Maqedonia është fuqi në këtë fushë ngase helikopteri si mjet luftarak është i pavlefshëm në fushëbetejë nëse nuk ka mbështetje nga aviacioni luftarak dhe mbështetje elektronike gjë që Maqedonia ngec sa i përket këtyre dy elementeve.

Fuqia e një ushtrie është gjithëpërfshirëse, ku në konfliktin eventual Ballkanik determinues do të jetë në radhë të parë fuqia ekonomike, morali i trupave, stërvitja e tyre dhe aleancat ushtarake. Në rrafshin operativ, determinues do të jetë forcat tokësore, ku sa i përket faktorit teknik, sistemet moderne mobile kundërblinduese dhe kundërajrore do të vulosin epilogun e shumë betejave.