LAJMI I FUNDIT:

Harakiri

Kolumnen e sotme po e filloj me humor të zi ballkanik, përplot kolorit e urrejtje, të mbushur me stereotipa dhe paragjykime që mbijetuan deri më sot në mes nesh.

“Çfarë do t’i bëje një kroati i cili do të vinte në qendër të Beogradit dhe do të krenohej më zë të lartë se është kroat?”, po e pyesnin një serb! “Do e therja me thikë”, qenka përgjigjur serbi, pa menduar fare. Kur të njëjtën pyetje ia bënë një kroati, për serbin i cili të njëjtën gjë do ta provonte në Zagreb, ai u përgjigj: “Asgjë! Do t’i thosha: Po mirë more burrë, e kush të ka faj tash që je serb”?

Ka “dashuri” epike në barsoletën e mësipërme, dashuri për armikun i cili na plotëson në kuptimin që e mbushë zbrazëtinë identitare.

E, në kulturën e Japonisë, epika merr forma të tjera. Harakiri, për shembull, njihet si një ritual vetëvrasjeje në rastet kur individi e ka humbur nderin publik ose kur e ka urdhëruar kështu padroni. Në rastet kur parimet morale të Samurajit nuk përputhen me urdhëresën e eprorit, ai është gjendur në një situatë të konfliktit të fuqishëm dhe pa shtegdalje në mes të ligjit të hekurt të bindjes dhe parimeve morale të tij. Kodeksi i samurajëve flet për një moral të pakorruptueshëm.

Pra, harakiri paraqet “dalje” nga situata pa shtegdalje kur individi ka bërë gabime që nuk ia falë vetes apo të atilla të cilat nuk ia falë shoqëria atij. Ky ritual i famshëm, kur individi bie në gjunjë dhe ngulet me gjoks mbi shpatën e tij të prehtë prej samuraji, është praktikuar ndër shekuj.

Zakonisht kjo bëhet me një dhe e shumta me dy të prera. Në historinë e gjatë japoneze nuk është regjistruar të ketë pasur ndonjë rast me dymbëdhjetë plagë. Në fakt, akti ka qenë i vetëkuptueshëm, i pritur dhe asnjëherë nuk është shtruar çështja se “u vetëvra” apo e “vranë”!

Kryeministri serb, Ivica Daçiç, e ka zhvilluar më tej këtë koncept duke i dhënë kolorit dhe çmenduri ballkanike. Jo se ka diçka kundër Shqipërisë, por duke e krahasuar vendin e vet me të, e përmendi edhe harakirin. Madje ai foli për një harakiri kolektiv, si i vetmi fund i ndershëm për një komb, nëse lejon të bjerë në nivelin e Shqipërisë. Jo se ka diçka kundër saj, u shpjegua Daçiç, por për të Shqipëria ka qenë sinonim i vendit më të varfër, më të mjerë.

Ashiqare, serbët kanë mendim të mirë për veten. Mendojnë se janë popull qiellor dhe se të tjerët janë nën nivelin e tyre. E, në qiell i ngritën akademikët. Akademikët e “gjorë” serbë, hartues të memorandumit të famshëm, të gjithë vdiqën nga vdekja natyrore, ndërkohë që për pasojë të këtyre ideve të shkruara nga ata, vdiqën me qindra-mijëra “vëllezër” nga ish Jugosllavia të cilët nuk mendonin se serbët duhet të jenë më të barabartë se të tjerët.

Vdiqën edhe shumë serbë me idenë se po bien në altarin e kombit të tyre qiellor. Vdiqën duke shijuar bukurinë e fshatrave të bukura ballkanike që digjeshin edhe më bukur. Kjo nuk është veç sarkastike. Ka diçka përtej kësaj!

Më thellë se kaq qëndron veç (mos)respekti për fqinjët, ideja e madhështisë dhe turpërimit vetjak.
Përbuzja dhe mos respekti për fqinjët buron nga matrica kulturore e civilizuese e oratorit.

Te japonezët harakiri ende ngjallë emocione të fuqishme, madje aplikohet ende nga udhëheqës të lartë kompanish apo institucionesh të cilët bëjnë harakiri nëse dështojnë. Është fat që ndër ne nuk ekziston një ndjenjë kaq e lartë përgjegjësie. Po të ndodhte kështu ne do të mbeteshim krejtësisht pa klasë politike, madje edhe pa “jaka të bardha”! Ka mendime të ndara se a do të ishte kjo fat, apo fatkeqësi!

Ndërkaq, kryeministri serb, i ndodhur në mes ndërgjegjes së tij nacional-socialiste dhe presioneve (ndër)kombëtare, shpërtheu në një retorikë e cila mund të duket edhe si një harakiri, në versionin verbal të saj, edhe pse ai nuk e mendoi për vete, por për kombin e vet. Kështu, kryeministri fqinj kapi majën tjetër të amplitudës duke kërcyer prej retorikës vrasëse të paraardhësit të vet, në atë vetëvrasëse. Ai foli për harakiri kolektiv. Përbuzjen dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve ai po përpiqet me e kthye në karburant për ekonominë serbe e cila po stagnon edhe përkundër 500 milionëve kredi, nga “nëna” Rusi, për të cilën (krye)ministri Daçiç ankohet se është larg e Serbia ndodhet e rrethuar!

Të mësuar me deklarata e sjellje skandaloze, kryesisht të dizajnuara për publikun e tij të brendshëm, as kjo nuk na befasoi. Kështu jemi mësuar me të, qysh kur i qeli sytë në politikë. Albanofobia është sëmundje kronike e cila nga politikanët e rinj serb merrej në bibliotekën e ASSHA.

Pra, u pa puna, serbët edhe mund të bëjnë harakiri kolektiv, sepse Shqipëria po ecë përpara! Po ndryshon! Ose, do ta përpijnë “turpin”! Si besoj se as kryeministri jonë nuk do të bëjë harakiri, edhe pse tashmë ka ra në pozitat politike, të ish-kundërshtarit të tij të madh të cilin e luftonte me të gjitha mjetet. Kundërshtarin, ish-presidentin, të cilin për së gjalli asnjëherë nuk arriti ta mund në një luftë të ndershme. Në takimet formale dhe joformale, kur donte të ofendonte dikë, ai e quante rugovist. E kapërdiu “turpin” edhe kryeministri ynë dhe u bë rugovisti më i flaktë. Sebepi i pushtetit apo ndërroi bindje?

Qeveritarët tanë, pra nuk bëjnë harakiri, as e përmendin, përkundër dështimeve! Në fund të procesit do të na lënë vetëm me autostrada nëpër të cilat do të ikim me viza të rregullta. Këtu do të kthehet veç gjenerata e parë e cila ka lindur këtu, ndërkohë që gjenerata e dytë me identitet të shformësuar do të akomodohen diku, ku të jetë kismet. Edhe ata që kthehen nuk do ta njohin vendin e tyre, sepse ai do të jetë akulturuar plotësisht. Do ta mohoj vetveten duke u përshtatur me kulturat e mëdha.

Pra, vend për frikë nuk ka! As serbët, as kryeministri Daçiç, as kryeministri jonë nuk do të bëjnë harakiri. Sidomos jo ky i yni. Ai po e shijon pushtetin dhe lavdinë (ndër)kombëtare.

Në fakt, si pragmatik, ai nuk ka asnjë ideologji. Përshtatet lehtë. Është veç ambicioz dhe hakmarrës. Prandaj, dikur e meritoi nofkën “gjarpri”!

E Rroni, ky rebeli ynë “ndoshta krejt pa arsye”, këto ditë, tha se nuk është joetike edhe me vra, për tradhti. E kishte fjalën për kryeministrin. Ai po thotë se ishte vetëm hipotezë filozofike. Ai është filozof. E din se edhe tradhtia në kohën e globalizmit duket se e tillë është, pra një hipotezë filozofike. Por, në vrasje, nuk ka asgjë etike, qoftë edhe kur bëhet fjalë për të vrarë vrasës. Diktatorët i “vret” vetëm liria. Vetëm mundësia e zgjedhjes.

Një gjë është e sigurt Rron, dhe të gjithë idealistët e tjerë: Diktatorët e sotëm “vetëvriten” gjithsesi, por vetëm atëherë kur nuk gjejnë më armiq për armiqtë e tyre. Atëherë do të jenë konsumuar medialisht dhe do të bëjnë harakiri!