LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj interesohet për gjendjen e punëtorëve

Haradinaj interesohet për gjendjen e punëtorëve

I nominuari për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma Ramush Hardinaj, ka pritur në një takim përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku kanë diskutuar për avancimin dhe gjendjen e të drejtave të punëtorëve në vend. Haradinaj tha se është zotuar se do të punojnë së bashku për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve, siç ka bërë dikur, në kohën sa ishte kryeministër.

“E kam një përvojë bashkëpunimi me BSPK-në, nga marrëdhënia trepalëshe, që është publiku, sindikatat dhe sektori privat. Në atë kohë ka rezultuar me disa të arritura të kohës së qeverisjes sime. Mirëpo tani e kam për kënaqësi edhe njëherë me u kthyer në temë, me bisedu për kërkesat legjitime, për të drejtat e punëtoreve. Falënderoj kryetarin Arifi, falënderoj krejt bashkëpunëtorët, jam më i informuar , jam në temë dhe besoj që do të punojmë si dikur, si partner në një tavolinë, jo ndaras. Zotimi im ishte se punët do të bëhen bashkë“, tha ai.


Ndërkaq kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi tha se një bashkëpunim i ndërsjellë, do të jap rezultate në të ardhmen.

“Shpalosëm shumë kërkesa tonat, që edhe në të kaluarën i kemi biseduar shpesh. Normal ne do të kërkojmë plotësimin e këtyre kërkesave, me një bashkëpunim që tha dhe kryetari, në tavolinë bashkërisht. Atë çka mundeni dhe çka mund të bëhet. Edhe ne si BSPK edhe tani e tutje, pa u kthyer në retrospektivë, jemi që ta kemi një partneritet të sinqertë, siç është punëdhënës, punëmarrës dhe Qeveri dhe bashkërisht t’i realizojmë kërkesat, të punëtorisë kosovare. Dhe të gjejmë zgjidhje dhe afatgjate, por dhe aty ku ka nevoja dhe më të shpejta, sepse sot e dimë se në çfarë gjendje është punëtoria dhe cila është papunësia në Kosovë. Andaj mbesim me shpresë dhe nuk e diskutojmë se nuk do të realizohen, këto sepse ka mundësi të bëhen. Sepse një bashkëpunim i tillë i ndërsjellë në partneritet, do të jap dhe rezultate në të ardhmen”, tha Arifi. /Telegrafi/