LAJMI I FUNDIT:

Haraçi mbyt investimet në Kosovë

Haraçi mbyt investimet në Kosovë

Promovimi i investimeve të huaja në Kosovë u bë në forma të ndryshme, duke filluar nga paraqitja e Kosovës si vend ideal për investime në mediat me prestigjioze ndërkombëtare, e deri tek organizimi i shumë konferencave, si jashtë ashtu dhe brenda vendit. Mirëpo, problemi kryesor i rritjes së investimeve në vend mbetet haraçi dhe krimi i organizuar.

Se në Kosovë u kërkohet haraç kompanive ndërkombëtare, e ka pranuar edhe vetë zv/kryeministrja dhe ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Haraçi e krimi i organizuar, sipas saj, edhe pse nuk paraqiten publikisht, janë pikërisht ata që po i largojnë investitorët e huaj nga vendi. Këtë fakt e rikonfirmoi javën e kaluar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi në Kuvendin e Kosovës, ku u fol për të bërit biznes në vend, shkruan Tribuna.

Por, përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se as Kusari-Lila e as Krasniqi nuk e kanë sqaruar opinionin se kush janë konkretisht ata që po kërkojnë haraç dhe cilat janë kompanitë që kanë rënë pre e këtij fenomeni. /Telegrafi/